Gjirokastra, bukuria që fshihet pas trishtimit të vet

May 7, 2018 | 11:55
SHPËRNDAJE

ylli asllaniYLLI ASLLANI

Gjirokastra po përjeton një nga periudhat më delikate të historisë së saj. Melankolia si tipar i bukurisë së qytetit i ka lënë vendin dhimbjes. Dikur thuhej se ky qytet ishte “kursyer” nga bombardimet për shkak të vlerave që mbartte. Por me sa duket forca shkatërruese e dimrave dhe indiferenca po e degradojnë gradualisht… Imazhet e monumenteve të tij të madhërishme po pulsojnë para syve tanë përpara se të zhduken dhe të ngelen përgjithmonë vetëm në dosjen e kujtesës kulturore të njerëzimit (UNESKO)… Rrënimet këtij viti qenë tronditëse… Plagët e dimrit që lamë pas janë alarmuese.

Nuk ishte thjesht një amortizim i kohës. Është luhatur pikërisht tabani tektonik, mbi të cilin ngrihen kështjella, banesat, monumentet dhe vetë qyteti… Kjo është arsye dhe jo vetëm që vala e shkatërrimeve duhet ndalur. Ndërhyrja në kohën e duhur është më me vlerë se çdo gjë tjetër. Nëse jo, me keqardhje them se, e ardhmja mund jetë e paparashikueshme. Në këto rrethana kërkohet një angazhim përtej notave sentimentale. Duhet një logjikë e ftohtë dhe këndvështrim tërësisht teknik, i bazuar në një informacion dhe ekspertizë të detajuar për të sotmen dhe të ardhmen. Në punën time si këshilltar për pushtetin vendor i Presidentit më është dashur shpesh të verifikoja dhe konkludoja rreth situata fatkeqësish natyrore, përmbytje, rrezikime territoresh apo zhvillime ta caktuara në rajone. Një raport për vendlindjen e dëmtuar, natyrisht ngelet më i vështiri…

Por kush është realiteti i asaj që po ndodh në Gjirokastër? Përkeqësimi i situatës se reshjeve gjatë këtij dimri ka nxjerrë në pah një seri problemesh për Gjirokastrën dhe krahinat e saj. Në kodrat e qytetit kanë filluar rrëshqitje masive, të cilat po rrezikojnë dhe po paralajmërojnë një të ardhme të pasigurt për banorët dhe banesat e tyre, qytetin. Qyteti po përballet me forcën shkatërruese të përrenjve të Cullos, Bufamesë, Gjokanës dhe Sopotit. Mbulimi i pritave të vjetra dhe mosndërtimi i pritave të reja në shtretërit e kë- tyre përrenjve po rrezikon mbulimin me inerte të pjesës së re urbane të qytetit. Sivjet ishte vetëm fillimi i krijimit të një shtrese mbi 1 m me aluvione e materiale të disa lagjeve… Ndërkohë rrënimi i banesave po kthehet në një makth. Dita ditës ky fenomen po merr përmasa alarmante.

Qyteti po shpërfytyrohet dhe banorët e qeverisja vendore nuk mund ta ndalin dot këtë tendencë. Faktorët mbështetës, që dikur i mbanin gjallë, ka kohë që po neglizhohen. Mungesa ende e fondeve emergjente është asfiksuese. Ne qytet dhe zonat përreth investimet në përgjithësi janë të pamjaftueshme, sporadike, të copëtuara dhe të pamirëmenduara. Varfëria, ndarja e re administrative dhe mungesa e perspektivës po bëjnë që zona të braktiset. Jeta social-ekonomike po asfiksohet gradualisht. Brezi ri po refuzon çdo ditë e më tepër jetën në vendlindje. Fondet për gjallërimin e jetës kulturore dhe artistike pak ndikojnë në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin real të mirëqenies së banorëve. Ne këtë situatë, pushteti vendor po përpiqet për të frenuar rënien dhe garantuar vazhdimësinë.

Me sa kam komunikuar, bashkia e qytetit ka memorizuar çdo dëmtim deri në detaje dhe qeveria e ka tashmë një inventar të plotë të dëmtimeve. Fatkeqësisht problemet e akumuluara, pengesat dhe vështirësitë e momentit e tejkalojnë kapacitetin logjistik, burimet financiare dhe mundësitë tekniko- organizative të bashkisë, ndofta edhe të vetë qeverisë. Një Projekt Pilot ngelet e vetmja zgjidhje. Në këto kushte, e vetmja zgjidhje ngelet hartimi dhe financimi i një Projekti Pilot, që të bashkojë vullnetin dhe mundësitë e gjithë potencialeve qeverisëse të vendit dhe donatorëve.

Një Projekt Pilot që të përcaktojë prioritetet dhe t’u japë zgjidhje problemeve të karakterit emergjent dhe të perspektivës: Problemet më emergjente janë: Menaxhimi i territorit ka dalë nga kontrolli si pasojë e rrëshqitjeve gjeotektonike në relievin e kodrinave ku bazohet kështjella dhe një pjesë e lagjeve të poshtme të qytetit. Shkatërrimi i pritave malore. Mungesa për vite me radhë e pritave malore në përrenjtë e qytetit ka sjellë përmbytjen me zhavorrishte të pjesës së grykëderdhjes së tyre nën qytet. Ndërtimi i katër pritave në përrenjtë që përshkojnë qytetin (Cullo, Fiko, Sopotit dhe Bufanë).

Banesat monument kulture po shemben me shpejtësi si pasojë e mospasjes së një politike shtetërore për restaurimin e tyre apo subvencionimin e qytetarëve të saj të varfër që banojnë aty. Është me urgjencë financimi i godinave monument të kategorisë së parë më të rrezikuara. Gjirokastra është specifike. Ajo ka nevojë çdo vit për restaurime të banesave monumentale. Qyteti është në UNESKO falë magjisë së kësaj banese… Mungesa e investimeve mirëmbajtëse në kështjellën e qytetit dhe kodrën ku ajo ngrihet. Muret e kështjellës kanë thelluar plasaritjen e tyre si rezultat i lëvizjes tektonike të shkëmbinjve ku janë mbështetur themelet e tyre.

Fundi është i paparashikueshëm. Kërkohet pyllëzimi dhe fortifikimi shkëmbinjve të kodrës së kështjellës, pasi në situata reshjesh intensive do të jemi përballë rrënimit të vetë kështjellës. Godinat e Muzeut Kombëtar dhe Ansamblit Arkitektonik pranë tij janë të pahidroizoluara, gjë që sjell depërtimin e ujit në muret mbajtës dhe rrënimin e tyre… Objektiva afatgjatë: Menaxhimi i territorit dhe ruajtja e pasurisë monumentale nuk mund të jenë jashtë kodeve teknike, standardeve dhe studimeve afatgjata.

Gjirokastra duhet të aprovojë dhe zbatojë me rigorozitet studimin e plotë sizmik, gjeologjik, hidroteknik për menaxhimin e rreziqeve në territorin e Gjirokastrës në dritën e zhvillimeve të fundit. Duhet theksuar se ky plan menaxhimi është kryer dekada më parë nga studio italiane dhe nuk po zbatohet, pasi duhet të aprovohet ne KRRTR-në e Republikës. Qyteti ka nevojë për hartimin mbi këtë studim të një rregulloreje teknike (Statuti) të menaxhimit të qytetit për zonën e mbrojtur, por edhe për krejt territorin. Ky statut do të vendosë disiplinë teknike dhe rregulla të forta për menaxhimin e ndërtimeve dhe ruajtjen e territorit.

Hartimi i një politike të harmonizuar për ruajtjen e vlerave muzeore. Është detyrim kushtetues ruajtja e identitetit të saj etnokulturor. Gjirokastra është një vlerë e pasurisë kulturore kombëtare dhe asaj botërore. Këto vlera nuk mund t’i suportojnë qytetarët e varfër që banojnë në to. Në gjithë botën vlera të tilla janë pjesë e programeve të subvencionimit e mbështetjes financiare. Rikthimi gradual i institucioneve shtetërore ne Qendrën Historike. Pazari historik ka qenë arsye e krijimit të vetë Gjirokastrës.

Largimi absurd, për arsye banale, i ndërmarrjeve shtetërore në këto 25 vjet në pjesën e poshtme të qytetit ka lënë shteg për braktisjen e tij prej qytetarëve, komunitetit zejtaro-tregtar dhe sistemit bankar. Rikthimi i tyre është jetik për ekzistencën e qytetit. Më shume se për investime, ky qytet ka nevojë për jetësim… Një cikël i plotë turistik për Jugun, me qendër Gjirokastrën. Një projekt i detajuar në mbështetje të rigjallërimit të tregut dhe vlerave etnokulturore.

Gjirokastra ka domosdoshmëri një studim të plotë në ndërtimin e një tregu turistik afatgjatë. Një cikël turistik brenda vendit dhe ndërkufitar. Në këtë studim do të përfshihen; preventivimi i infrastrukturës turistike, kapaciteteve akomoduese, aeroportit, përcaktimi i siteve kulturore, antike, muzeve, monumenteve, etnografia, kulinaria, doket, zakonet, produktet karakteristike. Implementimi i një pakete kreditimi të banesës gjirokastrite dhe rimodelimi i shërbimit të Drejtorisë së Monumenteve. Drejtoria e Monumenteve duhet të ketë një brigadë mirëmbajtësish dhe restauruesish, të cilët t’i qëndrojnë te koka monumenteve…!!!

Ndërkohë, kërkohet një politikë shtetërore subvencionuese, e qartë për restaurimin e banesave monument kulture. (Të paktën objektet e kategorisë së parë). Braktisja e qyteteve dhe banesave muzeale nga skemat lehtësuese të kreditimit është absurde dhe ka qenë fatale… Ndërkohë, pozicionimi i Institutit të Monumenteve si qendër prokurimi është larg shërbimeve dhe nevojave imediate të qytetit. Forcimi i fshatrave përreth si dhe subvencionimi, nxitja e investimeve në agroindustri e blegtori. Koha ka treguar se asnjë qytet nuk mund të mbijetojë pa pasur një fshat të zhvilluar.

Rrënimi i Gjirokastrës ka filluar nga braktisja e fshatit dhe tani po përfshin në mënyrë të pandalshme, edhe qytetin. Ndarja drastike territoriale dhe eliminimi i pastudiuar i qeverisjeve të zgjedhura në ish-komunat, ishin katastrofë më vete… Në vend të epilogut… Ky raport, në fakt, është një kujtesë në stinën e pranverës, kur zakonisht kryhen punët për dimrin. Duke paraqitur këtë tablo emergjence, jam i bindur se Gjirokastra ka një të ardhme të begatë.

Janë të shumtë dashamirësit e hijeshisë së tij, që e admirojnë për çka përfaqëson në etnokulturën dhe identitetin shqiptar! Problemi është se duhet të dish si dhe kur ta ndihmosh… Qytetet e UNESKO-s si Gjirokastra janë vështirë në mrekullinë e vet, ato nuk janë si qytetet e tjerë. Ndërhyrjet për rikuperimin e tyre, kërkojnë racionalitet dhe politika investimesh specifike… Megjithatë, Gjirokastra ia vlen mos e braktisim në kapriçiot e fatit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura