Gjipali: Pse kandidoj për kreun e Teatrit të Operës dhe Baletit

Aug 24, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

Josif Gjipali nuk renditet ndër ata emra që punën e tyre e kanë vënë në reklamë, edhe pse ka fituar shumë çmime ndërkombëtare, kënduar në “La Scala”, “Convent Garden”, “Bastille” Paris, Berlin, San Francisko, Toronto, Pekin etj.

Josif Gjipali

Edhe pse ka bashkëpunuar shumë herë me emrat më të mëdhenj të lirikës botërore si: Riccardo Muti, Zubin Mehta, George Pretre etj., me regjisore si Franco Zeffirelli, Gilbert Deflo, Lorenzo Mariani e shumë të tjerë… Edhe pse ka një repertor për t’u pasur zili nga çdo tenor, që nga Verdi, Donizzeti, Puccini, Bellini, Cilea, Massenet e shumë të tjerë. Gjipali është kujdesur të ndërtojë veten, pa shumë bujë, por me sa duket tani është momenti që ai t’i kushtohet pak më shumë Shqipërisë e të bëjë konkrete gjithë ato biseda që mes miqsh bënte për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Tenori Josif Gjipali është një nga kandidatët për drejtor të këtij institucioni. I sapoardhur në Tiranë për të qenë pjesë e procedurave të konkurrimit, Gjipali, me modestinë e një profesionisti dhe vetëbesimin e një vlonjati, shpjegon arsyet që e shtynë të futej në garë dhe si mendon t’i zgjidhë problemet e institucionit që synon të drejtojë.

Çfarë e shtyn një njeri, me një karrierë të sigurt si e juaja, të konkurrojë për drejtor të TKOBAP?

Shpesh na ndodh që kur mblidhemi me kolegë, që kanë ndërtuar një karrierë të respektueshme jashtë vendit, të diskutojmë për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, për problemet e tij, për nevojën për ngritje. Dhe duke qenë se unë tashmë jam rezident në Tiranë, mendova që kontributin tim për TKOBAP të mos e lë thjesht në kuadrin e fjalëve, por ta bëj atë konkret.

A nuk do të ishte një kokëçarje e tepërt në gjendjen, në të cilën ndodhet ky teatër?

Është e vërtetë që është një sfidë shumë e madhe, që kërkon nerva të tendosura dhe djersë, por nuk ka asgjë të paarritshme për ata njerëz që e njohin mekanizmin e funksionimit të gjërave, kanë mbi supe eksperiencë brenda dhe aq më tepër jashtë vendit, atje ku institucionet funksionojnë ashtu si duhet.

Nëse do të zgjidheshit ju drejtor, nga do ta fillonit punën në TKOBAP?

Nga informacionet që kam, baleti ka njohur rritje dhe ka marrë një drejtim të mirë, ndërsa pjesa e operës ka shumë për të bërë. Së pari, që në mënyrën e zgjedhjes së repertorit, të titujve, vënia në eficiencë e stafit dhe ajo çka është më e rëndësishmja, e cila mund të arrihet pas dy apo tri vitesh, për të kapërcyer ngërçin e mungesave të zërave, është politika që duhet ndjekur me brezin e ri, pasi janë ata që do të vijnë nesër për të mbushur boshllëqet, apo për të zëvendësuar ata që janë sot.

Një ndër çështjet, me të cilën ju duhet të përballeni, është edhe sistemi i ri kontraktues për artistët, pjesë e reformës së ndërmarrë nga Ministria e Kulturës. Si e keni menduar ta përballoni?

Nuk është një problem i thjeshtë, por jo i pazgjidhshëm. Një njeri që e njeh repertorin, por edhe kapacitetin e teatrit, mund të ndërtojë një kalendar dyvjeçar, tek i cili të gjithë artistët duhet të gjejnë veten, për të justifikuar pagën që marrin. Nga ana tjetër, kështu dalin edhe nevojat që ka teatri. Në filozofinë time të punës ekziston parimi se nuk duhet të jetë teatri në funksion të stafit, por stafi në funksion të teatrit. Duke krijuar një kalendar të tillë, pa krijuar drama sociale, mund të lidhësh kontrata 2 apo 3-vjeçare me artistët.

Meqë përmendët eficiencën e trupës aktuale, një nga shqetësimet e ngritura nga artistët është ai i “importimit” të zërave nga jashtë përkundër atyre të TOB-së…

Unë nuk dua të gjykoj punën e askujt, por e vërteta është që në stafin solistik të Teatrit të Operës dhe Baletit ka mangësi të mëdha, sidomos në zërat mashkullorë vihet re një krizë e jashtëzakonshme. Kjo mangësi mund të ishte shmangur, vetëm nëse ky problem do të ishte kapur nga drejtuesit disa vite më parë. Elementët më të mirë të Akademisë së Arteve duheshin afruar, të futeshin në shina, të drejtoheshin atje ku duhet, duke shmangur këtë ngërç. Duke u nisur gjithnjë edhe nga buxheti, në rast se solistët e ftuar janë të një niveli më të lartë se ata ekzistues, atëherë është e pranueshme dhe e vlefshme, sepse shërben për ngritjen e nivelit të trupës, por pa e kthyer në një mani, por në rast se të ftuarit janë të të njëjtit nivel ose më të dobët, atëherë ky është spekulim.

Ndërkohë, ju jeni pedagog pranë Fakultetit të Muzikës dhe kjo do t’ju ndihmojë më tepër në përzgjedhjen e zërave të rinj apo jo?

Ky është çelësi për të pasur vazhdimësi e për të anashkaluar kriza zërash, si ai që po përjeton tashmë TKOBAP. Vendet e tjera këtë ngërç e kanë zgjidhur shumë lehtë. Në të gjitha operat e botës ekziston ajo që quhet “opera studio”, ku trajtohet brezi i ri, parapërgatiten për të qenë solistë të ardhshëm, por ndërkohë këtë bagazh njerëzish të talentuar, por pa eksperiencë, teatri mund ta përdorë për rolet e dyta dhe ndonjë talent të spikatur, pse jo dhe për role kryesore.

A do t’i përdorni audicionet për përzgjedhjen e roleve, pasi ka pasur artistë që janë “fyer” nga kjo praktikë pune?

Audicionet janë një praktikë normale në të gjithë botën. Por drejtori i një teatri, që është njohës i mirë veprave, roleve dhe i kapacitetit të trupës që ka në dispozicion, nuk ka përse t’i marrë të gjithë në audicion, pasi ka emra që tashmë kanë dhënë prova për një bagazh teknik më të mirë se të tjerët, apo kanë eksperiencë më të madhe. Ndërsa, pjesa tjetër duhet patjetër t’i nënshtrohet audicionit. Në këtë pikë, nuk ka asgjë ofensive. Këtë e kam nga eksperienca. Në fillimet e mia më është dashur të shkoj në audicione, që drejtorët e teatrove të më njihnin, më pas vetë ata mund të vinin në një nga shfaqjet e mia për të më dëgjuar, duke njohur kalendarin tim. Në rastin e këtushëm, këngëtarët e kanë të vështirë t’i bëjnë drejtorit një ofertë të tillë, ndaj edhe janë të detyruar të marrin pjesë në një audicion.

Krahas vënies në eficiencë të trupës së teatrit, cila është marrëdhënia që do të mbani me ata artistë, që si ju kanë ngritur karrierën jashtë vendit?

Kjo është një pyetje e drejtë, por njëkohësisht retorike, pasi kushdo që do të jetë drejtor, jo vetëm që nuk ia mbyll dot derën ndokujt nga këta, por do të ishte shumë i interesuar edhe personalisht, sepse jemi të ndërgjegjshëm që ardhjet e tyre ishin të vetmet shkëndija në jetën artistike të TKOBAP.

Kandidimi juaj e nëse do të zgjidheni, drejtimi, përkon me rikonstruksionin e godinës së TKOBAP, si do ta menaxhoni këtë periudhë?

Nuk e shoh si një problem, përkundrazi është shansi më fantastik për këdo drejtor që do të zgjidhet, pasi me gjithë problemet që unë shoh në teatër, qoftë në nivel apo zëra, këtë periudhë do ta shfrytëzoja maksimalisht për njohjen më mirë trupës, korit, orkestrës, të gjithë elementëve, për t’i mëshuar më tepër punës për ngritjen profesionale. Pa dyshim përgjatë periudhës së rikonstruksionit, ngarkesa e TKOBAP nuk do të jetë maksimale dhe mund të përdoret në mënyrë të shkëlqyer për rritjen e nivelit të trupës.

Të mos harrojmë Ansamblin…

Ansambli është një pikë shumë e rëndësishme programit tim. Nuk do të doja të bëja asnjë koment për atë që është bërë deri më sot, por mund t’ju them që përgjatë gjithë verës, në zonat turistike nuk pashë asnjë dalje të Ansamblit. Kam parë gjithfarësoj reklamash, “këngëtarësh”, nga ata që qarkullojnë së fundmi në Shqipëri, por nuk pashë asnjë afishe të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore. Pse jo, edhe një gala të Operës. Është e vërtetë që opera nuk është një art masiv dhe do të ketë aq publik sa edhe pushues, por në ato vende ku mund të ketë një publik më të sofistikuar, pse jo? Mund të jetë një program me vepra të zgjedhura dhe me vepra të njohura për veshin e publikut, që do t’ua bënte pushimin edhe më të këndshëm. Me pak fjalë, ka shumë për të bërë.

Një nga “përplasjet” e ish-drejtorit të TKOBAP me Ministrinë e Kulturës ka qenë buxheti i ulët, ju trembin buxhetet?

A janë faktorë frenues në ndërtimin e një kalendari? Nuk më tremb buxheti, pasi duke njohur se si funksionojnë teatrot e mëdha e di se ka mundësi për të thithur para. Kudo, drejtorët e teatrove, sidomos pas krizës ekonomike që përfshiu të gjithë Europën, përzgjidhen edhe nga aftë- sia që ata kanë për të thithur fonde. Zakonisht, vetëm 30- 40% të buxhetit e mbështet shteti, ndërsa pjesa tjetër duhet të sigurohet nga teatri. Unë them se ka mënyra të tjera për të siguruar fonde. Tashmë, platformat janë dorëzuar dhe mund të zbuloj se një nga mundësitë është krijimi i shoqatës “Miqtë e lirikës”. Gjatë përgatitjes së dosjes së konkurrimit kam takuar shumë njerëz, që janë adhurues të operës dhe të gatshëm për të kontribuar në financat e saj me donacione, qoftë edhe modeste. Por mund të organizohen edhe koncerte simfonike e sofistike me muzikë nga vende të ndryshme të botës, duke bashkëpunuar me trupat diplomatikë të secilës, me bindjen se të gjithë do të bashkëpunonin. Ka qindra mënyra për të thithur fonde.

Tashmë, ju jeni njohur me “rivalët” për postin e drejtorit të TKOBAP, çfarë mendoni për ta?

Rivalë është fjalë e madhe. Do t’i quaja thjesht kandidatë. Rivalë njoh të tjerë në këtë fushë. Megjithatë, nuk shoh ndonjë me kapacitetin tim të njohjes dhe kontakteve, por edhe punës konkrete. Ndër kandidatët, Zana Çela ka qenë njëherë drejtoreshë e TKOBAP, ndërsa për Hushin nuk kam çfarë them, sepse nuk më rezulton në listën e profesionistëve të kësaj fushe në Europë apo në botë. Por në fund është politika ajo që vendos.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura