PSD kandidon e vetme në zgjedhje, Gjinushi: KQZ falsifikoi vendimin për kandidimin e partive jashtë koalicioneve, superskandal

Apr 15, 2015 | 12:51
SHPËRNDAJE

Teksa bëri me dije se PSD-ja do të kandidojë e vetme në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, kreu i kësaj force politike Skënder Gjinushi ka akuzuar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se ka tentuar të falsifikojë një vendim të sajin për caktimin e mënyrës se si do të kandidojnë partitë që s’janë pjesë e koalicioneve.

Skënder Gjinushi

“Denoncojmë një tentativë për falsifikim të procesit të kandidimit të bërë nga KQZ, e cila po përpiqet të ndryshojë vendimin e vet në mënyrë arbitrare.

Vendimi 88 i datës 07.04.2015, ku tregohet se kush janë kriteret për kandidimin dhe të drejtat e partive për të kandiduar për këshill apo kryetar…”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se KQZ pasi ka marrë një vendim të drejtë, “mbrëmë janë mbledhur fshehurazi e paskutave dhe nën urdhër kanë ndryshuar vendimin pa vendim”.

“Po të kesh këshilltarë në Paskuqan s’ke të drejtë të kandidosh në Kamëz, por nëse ke në Kamëz ke të drejtë të kandidosh në Paskuqan”, tha Gjinushi duke e quajtur këtë një superskandal.

Këto zgjedhje nga sot s’janë legjitime”, tha Gjinushi.

“PSD kandidon e vetme duke qenë e hapur për aletaë në të njëjtin dimension”, tha Gjinushi.

Gjinushi pretendon se me ndryshimet e mbrëmshme këtij vendimi i është fshirë një paragraf.

Kreu i PSD tha se ky veprim është i ngjashëm me falsifikimet me procesverbalet e ‘21 janarit’.

“Pasoja e fshirjes atëherë ishte vrasja e 4 të pafajshmëve, kurse këtu për të fshehur vrasjen e votës së lirë të dy qytetarëve…Vendoset të vritet vota e lire…”, tha Gjinushi.

Gjinushi i bëri thirrje të prokurorisë të hetojë kryesisht për “këtë falsifikim dhe KQZ të zbatojë vendimin e vet që është në fuqi se s’ka burrë nënë ta ndërrojë as natën e as ditën. Manuali i mbrëmshëm është një copë leckë para këtij vendimi. Përndryshe vë në diskutim legjitimitetin e zgjedhjeve. Do i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese nëse nuk korigjohet ky falsifikim”, tha Gjinushi.

Gjinushi shtoi: “Paranojë …, nga frika se kandidojnë të tjerët. Kompromentin i rëndë i procesit zgjedhor. Se di kush e ka urdhëruar, urojmë të mos jetë urdhër politik i raundit të lartë se do të ishte çmenduri”.

Duke iu referuar garës së shkuar për Tiranën, Gjinushi tha se PS po sillet si PD kur ishte në pushtet. 

Reagon KQZ: PSD të mos bëhet pre e ekseseve apo interesave të vogla politike

Pas deklaratave të zotit Gjinushi ka mbërritur reagimi i KQZ, e cila thotë përmes një njoftimi për shtyp se “në zbatim të kompetencave të njohura nga ligji, KQZ, si organi kryesor në administrimin e procesit zgjedhor, prodhon vazhdimisht akte nënligjore, të cilat detajojnë formulat e parashikuara nga Kodi Zgjedhor dhe i’u shërbejnë Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, por edhe organeve të tjera në hierarkine institucionale, për të realizuar një proces konform ligjit e Kushtetutës. Nga ana tjetër, ftojmë çdo subjekt të interesuar që, në lidhje me çfarëdo pakënaqësie apo mosdakordësie me vendimmarrjen e KQZ, ti drejtohet Kolegjit Zgjedhor, duke ndihmuar kesisoj që procesi të qëndrojë brenda hapësirave institucionale, pa u bërë pre e ekseseve apo interesave të vogla politike”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vlerëson t’ju bëjë me dije përmes këtij njoftimi për shtyp se, në mbledhjen e sotme, do të miratohen aktet për regjistrimin e partive politike në zgjedhjet e 21 qershorit 2015. Afati i fundit për dorëzimin e dokumetacionit ka qënë dje, ora 18.00. Gjithashtu ju rikujtojmë se afati i fundit ligjor për regjistrimin e Komiteteve Nismëtare është data 18 prill, ndërsa afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve është data 2 maj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë mblidhet çdo dite, dhe ka angazhuar të gjitha burimet e tij për të siguruar mbarëvajtjen maksimale të procesit zgjedhor. Në veprimtarinë e tij, normative dhe organizative, KQZ dhe strukturat përbërëse kane zbatuar dhe zbatojnë me përpikmëri e profesionalizëm maksimal Kodin Zgjedhor, me të gjitha ndryshimet si dhe legjislacionin tjetër në fuqi, me impakt në zgjedhje”, thuhet në njoftimin e KQZ. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura