Gjinushi: Koalicion jashtë PS-së në zgjedhjet lokale

Mar 30, 2015 | 21:53
SHPËRNDAJE

Kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, thote ne nje interviste per “Panorama” se po punon për krijimin e një grupimi elektoral jashtë koalicionit me PS-në në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

SKENDER GJINUSHI

Në bisedime janë PDS e Paskal Milos, por edhe parti të tjera të majta e të qendrës së djathtë. Afrimin e Dritan Priftit në PSD Gjinushi e cilëson një vendim personal të ish-ministrit të LSI, ndërsa dënon veprimet procedurale të prokurorisë së Përgjithshme në arrestimin e dy deputetëve, Doshi dhe Frroku.

Në zgjedhjet parlamentare të 2013 ju nënshkruat një marrëveshje me PS për të ndarë pushtet nëse do të fitonit. Në ç’pikë të zbatimit të saj jeni sot?
Këtë periudhë ka ndodhur ajo që ndodh shpesh në politikë që me tjetër bën koalicion dhe me tjetër ndan pushtetin. Kjo hyn tek ato përcaktime që quhen inkorrektesa politike, llogari të bëra gabim, sepse aleancat e stërprovuara duhen për çdo parti që mendon në afatgjatë, duhet të jetë në gjendje të dallojë aleatët e vërtetë. PS dhe PSD kanë një histori të gjatë bashkëpunimi të patradhtueshëm. Në 2005, kur e majta doli në opozitë, PSD qëndroi me PS në opozitë dhe nuk bëri asnjë lloj pazari, edhe pse kishte 7 deputetë, ndërsa Berisha që nga 2005 ka qeverisur me ish-opozitarë të majtë, e nisi me Agraren, e mbylli me LSI-në.

Nuk ka asnjë pikë të marrëveshjes të zbatuar?
Marrëveshja vetëm një pikë ka: “Do të vazhdojë bashkëpunimi në bashkëqeverisje” apo do kalohet heshtazi, siç ka kaluar.

Ka pasur takim mes jush dhe zotit Rama për një bashkëpunim për zgjedhjet vendore të 21 qershorit?
Jo, ne kemi preferuar që në kushtet e krijuara, qoftë për ecurinë e bashkëpunimit në këta dy vjet, qoftë dhe për disa politika të maxhorancës apo qoftë për këto zhurma që ndodhin tani, të kërkojmë votën në proporcional si PSD. Pasi në çdo rast partitë marrin aq mandate sa vota kanë, e shumta ndodh që i kalojnë vota njëra-tjetrës dhe se në sistemet aktuale zgjedhore të mëdhenjtë ia kalojnë votat e të vegjëlve vetes së tyre. 

Do të dilni më vete, jashtë koalicionit me PS-në?
Ne preferojmë të hyjmë grup partish të “vogla”, ku prapë i marrim njëri-tjetrit, por dhe mbështesim njëritjetrin. Kjo ka dy favore, identiteti i partisë është më i qartë, por edhe dallimi për politika e qëndrime të caktuara. Së dyti, mënyra se si administrohet vota është më e mirë, sepse kur vota jote futet te tufa me 40 parti, nuk merret më vesh se ku shkon dhe “mbetet si “sëpata pa bisht”. Kur ke një grupim tëndin, vota jote del qartë. Kjo nuk e cenon rezultatin, përkundrazi, secili merr votat e veta dhe këshilltarët e vet, të cilët bashkëpunojnë më pas në këshillat bashkiakë, të cilët mendojmë se do të jenë një fitore e të majtës.

Me cilat parti do të bashkëpunoni në këto zgjedhje?
Ende nuk janë kristalizuar gjërat, por bisedime ka, kryesisht me partinë e Paskal Milos dhe me ndonjë parti tjetër të këtij spektri, por nuk përjashtohet edhe ndonjë e qendrës së djathtë.

E keni fjalën për FRD-në?
Teorikisht nuk përjashtohet. Votat janë të ndara, këshilltarët janë më të lirë në krijime aleancash sesa deputetët në Kuvend. Pritet që ju si grupim të dilni me kandidatë të përbashkët. PSD ka menduar për këshilltarë në 90% të zonave. Sigurisht partia qëmton edhe nëse ka kandidatë konkurrues, por kjo është edhe më hipotetike, sepse do të varet nga grupi që do të krijohet, por dhe nga raporti që do kemi me grupimin tjetër të majtë, sepse PSD mbetet e majtë dhe më e palëvizshme se edhe vetë PS-ja.

Pak ditë më parë, ju jeni takuar me Dritan Priftin. Kanë avancuar bisedimet, keni vendosur që zoti Prifti të bëhet pjesë e PSD-së?
Ata që thonë u shit PSD-ja apo u ble PSD-ja janë njerëz që punojnë nëpër trafiqe dhe aty u rri mendja. Nëse një politikan mendon se do të riciklohet në politikë, nuk e kuptoj se çfarë lidhjeje ka kjo me shitjen apo blerjen e partisë. Po të ishte hapur tenderi për shitjen e PSD-së, si kriter i prokurimit do të ishte botuar edhe në shtyp (qesh). Zoti Prifti ka shprehur dëshirën që të riorganizohet në politikë. Se cila do të jetë forma e këtij riaktivizimi nuk e di, por angazhimet politike janë publike dhe s’ka si të jenë të fshehta, sepse nuk të mbështet njeri fshehurazi, s’ka politikë të fshehtë.

Ju keni dalë pak ditë më parë kundër procedurës së ndjekur për arrestimin e deputetit Tom Doshi. Është kjo një derë e hapur për të qenë parti parlamentare duke e afruar zotin Doshi pranë PSD-së?
Sjellja e politikës ndaj drejtësisë dhe e drejtësisë ndaj politikës duhet të shihet në radhë të parë pa emra, të shihet nëse ngjarja e caktuar është një veprim korrekt i drejtësisë, një reflektim i politikës dhe Prokurorisë, apo një lojë e radhës dhe aq më tepër që ajo shoqërohet me shkelje procedurale që ngrenë dhe dyshime.

Çfarë ndodhi në rastin konkret?
Në radhë të parë kemi dy vjet që bërtasim për dekriminalizim, ku çuditërisht ndodh deformimi i parë që maxhoranca fituese merr mandatin për të dekriminalizuar politikën shqiptare, sepse ka marrë besimin e shqiptarëve. Kjo shumicë që mori këtë mandat, gjendet e sulmuar nga Saliu, i cili ka marrë flamurin e pastrimit të politikës nga krimi, i cili në 8 vjet qeverisje do të mbahet mend për korrupsion, krim, vrasje, madje edhe para zyrës së tij. Në këtë kuadër, pritej që të hapeshin çështjet e mëdha të pagjykuara, vrasjet e ndodhura, si Xhindi, 21 janari, Gërdeci, vjedhjet e mëdha dhe sot na kthehet Saliu dhe thotë se problem qenkan disa që kanë hyrë në Kuvend si të dënuar. Mafie është ajo që bën krime dhe s’dënohet. Problemi tjetër në politikën shqiptare ka qenë mosndëshkimi, si 21 janari, ku vrasja është e zbuluar, por nuk është ndëshkuar. Përveç mungesës së ndëshkimit, në Kuvend dominojnë akuzat e rënda të vërteta apo të pavërteta që nuk zbardhen. Dhe këtë e shohim çdo ditë, madje tolerohet në mënyrën më skandaloze. Prokuroria nuk vepron për këto raste, policia nuk vepron, as për të vërtetat dhe as për të pavërtetat. Prokuroria vendos të veprojë një herë, sepse është një akuzë brenda të njëjtit grupim. Deri dje Sali Berishën nuk e ka prekur për të vërtetat dhe të pavërtetat që ka thënë. Për rastin konkret, opinioni publik është i interesuar jo se kush u arrestua, por të mësojë të vërtetën, ka apo nuk ka skenar vrasjeje. Po të bëhet i qartë nëse nuk ka një skenar të tillë, opinioni do qetësohet. Por për herë të parë kur niset për të zbardhur një çështje kaq të madhe, gabohet me procedurën, duke kërkuar arrestimin për dëshmi të rreme dhe vendoset paraburgim.

Në fakt, ky ishte rasti i parë që Kuvendi votoi për arrestimin e deputetëve pas miratimit të Kushtetutës…
Historikisht në Kuvendin e Shqipërisë, ku nuk janë dënuar superkrime që dihen, nuk është kërkuar në asnjë rast arresti. Është arrestuar Nano sepse nuk ishte e qartë dispozita, flitej vetëm për procedim penal, dhe ata kërkuan leje për procedim penal dhe vajtën i vunë prangat. Për hir të kësaj që ndodhi me Nanon, e kemi shtuar në Kushtetutë dhe rregulloren e Kuvendit, që është tjetër leja për procedim dhe tjetër leja për arrestim. Në procedim mbrohet individi, pra apriori nuk mund t’i ngresh akuzë deputetit pa lejen e Kuvendit. Ndërsa me arrest mbrohet institucioni i Kuvendit, sepse s’mund t’ia heqësh mandatin pa u shpallur fajtor. Paraburgimi vihet vetëm “in extremis” dhe po të fillojë loja që të aplikohet paraburgimi për vepra të thjeshta, sidomos për shpifje, që nesër “komisioni Halimi” duhet të merret i pandehur, sepse ka përgatitur prova të paligjshme, të rreme për 21 janarin. Halimi është më i rrezikshëm se Durim Bami, sepse implikon tërë politikën shqiptare për grusht shteti dhe mbulon vrasjet. Aty kanë dëshmuar Saliu, Basha etj. duke përgatitur prova të rreme, sepse komisioni hetimor parlamentar vepron në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe deklarimi para komisionit është si deklarim para prokurorit. Kur u ndryshua Kushtetuta, u la që procedimi të jetë i lirë, jo me burgim, por gjatë procedimit prokurori s’mund të kontrollojë banesën dhe fizikisht deputetin, sepse ruhet integriteti. Atëherë merret leje dhe kjo leje jepet, por jo arresti. Nuk mund të bëhet prova me paradhënie burgu, sepse lexohet si mbyllje goje apo presion. 

Por efektin e ka dhënë në opinion, madje dhe ambasadat e kanë përshëndetur si luftë kundër krimit…
Unë pyes, cili krim u luftua?! Pra, nuk po penalizohet asnjë për një vepër kriminale dhe korruptive. Pra, për peshqit e mëdhenj të pandëshkueshëm në këto vite, i kanë çështjet e tyre të pahapura. Madje, po bëjnë ligj! Paraburgimi është cenim i hapur, rënie e institucionit para Prokurorisë. Prokuroria ka bërë dhe një manovër procedurale skandaloze, sepse kërkoi autorizim për arrest, sepse më parë duhet të ishte marrë vendimi i gjykatës, pastaj arrestohet deputeti. Prokuroria bëri arrestim në flagrancë, ndërsa kishte kërkuar nga Kuvendi autorizim për arrest. Madje edhe Kuvendi veproi si në kushte flagrance për një çështje që kishte 6 muaj që diskutohej. Tjetra është se hetimi për të nxjerrë të vërtetën, kishte plan vrasjeje apo jo, nuk është bërë ende. Duhet të dalë e vërteta nga hetimi, që të shkosh më pas tek autori. Kjo nuk është bërë. Prokuroria pa mbyllur hetimin, shpalli dëshmi të rreme. Prokuroria nuk nxjerr të vërtetën, por shprehet se dikush ka gënjyer!!! Gjykata nuk e ka marrë as të pandehur Berishën për akuzat shumë të rënda që ka bërë, sepse e ka pranuar që në debatin politik mund të akuzosh kundërshtarin politik edhe për vrasës, kriminel, trafikant, përdhunues pa prova etj. etj.

Nëse Tom Doshi rikthehet në Kuvend, do ta pranonit në partinë tuaj?
Me Tomën nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të veçantë. Kam ndenjur në tavolinë vetëm një herë me të dhe për koincidencë kemi qenë me Ilir Metën. Ata e dinë më mirë se çfarë ka ndodhur.

Aristir Lumezi 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura