Kodi aktual Zgjedhor ka rënë dhe Kushtetuta ka ndryshuar por marrëveshja e 5 qershorit mes palëve në Këshillin Politik nuk është prekur. Kështu deklaroi mbrëmjen e sotme në emisionin “Real Story” në News24 përfaqësuesi i socialistëve në Këshillin Politik Damian Gjiknuri.
Ai tha se koalicioni është i mundshëm brenda së njëjtës listë teksa sa i përket identifikimit me sigël të kandidatëve mendon se është çështje teknike duke e lënë të hapur mundësinë për diskutime. Gjiknuri thotë se kompromise mund të ketë për çdo pikë, por duke ruajtur disa parime.
“Ne nuk mund të lejojmë vakum kushtetues. Çfarë rregullash po ndryshojmë? Çështja e koalicioni u stërdiskutua. Koalicioni është i mundshëm. Partitë bëjnë një marrëveshje dhe krijojnë një listë të përbashkët. Në 2013 fitorja qe aq e thellë sa nuk kishte të bënte fare ai sistem. Në 2017 të gjitha partitë hynë vetëm fare, tani është një mundësi më shumë, jo vetëm që mund të hyjnë vetëm por dhe me koalicione. Nuk mund të krijosh formula mes palëve për të tjetërsuar votën. Partitë mund të ruajnë siglën e tyre. Partitë përcaktojnë emrat dhe listën unike të koalicionit. Lulzim Basha, PD nr. 1, Monika Kryemadhi nr. 2, Tiranë etj.
Dhe brenda kutisë, mund të vihet sigla, mjafton që të kenë autorizim të liderit që do propozojë këtë listë. Ajo është diçka teknike, mund të vihen siglat e partive. Në hapësirën e fletës së votimit mund të kesh PD, LSI, PDIU. Nëse është ky problem , le të vijë PD ta diskutojmë. Ka rënë kodi zgjedhor aktual, është ndryshuar kushtetuta. Nuk është prekur marrëveshja e 5 qershorit.