“Gjika qe i vetmi që m’u afrua. Anagnosti nga larg tregonte…”- Regjisori rrëfen për kolegët: Nëse do hyja në burg, do isha vetëvrarë

Nov 23, 2019 | 11:23
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ Në kulmin e karrierës së tij, atëherë kur ishte  plot synime e dëshira, Mit’hat Fagun “e kryqëzojnë”. 8 shfaqje të dokumentarit “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” do të  bënin që Tirana të ziente e në çdo hap regjisorin e skenaristin ta ndiqte shqetësimi.

Dikush e pyeste nëse filmi ishte kundër Mehmet Shehut e të tjerët kritikë e ndalnin për t’i thënë: “Po ç’ke bërë kështu more  Mit’hat?” “Kam bërë një film, ç’kam bërë?!” – përgjigjej i hutuar. Mirëpo, për partinë filmi që ai kishte bërë ishte armiqësor, jo  vetëm kundër saj, por edhe kundër popullit.

Mit'hat fagu-agolli-koleget-burgu

A e kishte ndërmarrë vërtet kineasti një hap të tillë, që mund ta çonte drejt fatalitetit? Ashtu si atëherë, ai e mohon edhe sot, duke rrëfyer se s’kish  bërë tjetër veç një dokumentar të sinqertë. Një dokumentar, skenarin e të cilit e kishte aprovuar po e njëjta parti që po e dënonte.  Salla ishte plot në atë ngjarje.

Mit’hati e ruan ende të gjallë pamjen. Ndryshe nga filmat e tjerë, ku një pjesë e shokëve i kishin dalë në mbrojtje, kësaj here askush nuk guxonte. Ishte krejt i vetëm mes qindra njerëzish. Kujton vetëm shikimin dashamirës të Dhimitër Anagnostit në largësi e dorën e ngrohtë të Viktor Gjikës mbi supe. Të tjerët u zmbrapsën, pasi nëse bënin ndryshe, mund të konsideroheshin edhe ata si armiq.

5

Në nëntor të ’73-shit e  dënuan me punë fizike, por ai ishte koshient se mund të shkonte edhe më keq.  Sot, 82 vjeç, thotë se e shpëtoi ndershmëria  e tij dhe e disa të tjerëve, si dhe fati natyrisht. Nga kineast me ëndrra, ai përfundoi  si i papunë, me një nofkë mbi supe, prej së  cilës s’e pranonin as si punëtor të thjeshtë… Mirëpo, në këtë kalavar vuajtjesh, fati  do të bënte që të takonte edhe disa njerëz të  mirë, të cilët e kuptonin pafajësinë e brengat e tij.

Zoti Fagu, pas braktisjes në hesh- tje të sallës herën e parë, filmi “Revolucionizatorët” (Në shtigjet e revolu- cionit tekniko -shkencor), do të rishfaqej. A do të kishte diskutime kësaj  radhe? 

Edhe në shfaqjen e dytë të filmit dokumentar, salla ishte përsëri e mbushur plot. Pasi përfundoi, është ngritur  nga të parët Bujar Kolaneci dhe mbaj mend të ketë thënë kështu: “Ky film është një revolucion, jo vetëm në kinematografin tonë, por edhe në atë botërore”. Mandej u ngrit një nga redaksia, i cili fliste i emocionuar dhe e vlerësoi shumë.

Pasuan diskutimet. Po zhvillohej një  debat i ashpër, aq sa unë u çorientova komplet, nuk kupto- ja se çfarë po bëhej. Një grup po mbronte ideologjinë dhe  kuadrot e tjetri të vërtetën. Pas kësaj, filmi do të jepej përsëri. Gjithsej janë bërë 8 shfaqje e sa herë që dokumentari jepej, Tirana ziente. Takoja njerëz në rrugë e më thoshin: “Ç’ke  bërë kështu?!” Kam bërë film, – u thosha, – ç’kam bërë. Humba orientimin, humba vetveten, më bëheshin komente dhe  pyetje nga më të çuditshmet. Një shoku im, pasi kish parë shfaqjen më kap në ato korridoret e errëta të Kinostudios dhe më thotë: “Po ti, ç’ke dashur të thuash me këtë film, të rrëzojmë Mehmet Shehun”, dhe më rrahu supeve me grusht. Të jem i sinqertë, unë kaq larg nuk e kisha menduar…

teodor-laco-compressor

Çfarë ndodhi më pas?

Më pas filmi u cilësua si vepër armiqësore kundër partisë dhe popullit dhe u dënova me internim. Por unë këtë e  kundërshtova me kurajë civile. Kam thënë këto fjalë: Nuk pranoj në asnjë mënyrë që të kem bërë një vepër armiqësore kundër partisë dhe popullit. Nëse kështu do të ishte nuk meritoj internim, po plumbin ballit. Dhe ky është një fakt që  nuk e pranoj as sot, sepse ajo që unë bëra është një dokumentar i vërtetë, i sinqertë, por jo armiqësor.  Një profesor i Universitetit Bujqësor, për të më zhytur  komplet, tha: “Mit’hat Fagu dhe Marksin e bënte reaksionar, jo më ne, ç’na ka”. Ishte një diskutim makabër. Njerëz që  kundërshtonin. Arrinin deri te pyetja flagrante: “Ty, a të pëlqen? Nëse po je armik, ndryshe je me ne”. Kujtoj që m’u afrua Kristaq Dhamo e më foli: “Mos e merr  kaq egër, por ti ke bërë një vepër ku ke gabuar, pasi ke cenuar dinjitetin e disa njerëzve dhe askush nuk ta jep këtë  drejtë”.  E kujtoj ende sot pamjen e asaj salle ku po merrej vendimi. Njerëzit ishin të frikësuar, shokët më qëndronin larg.  Mbaj mend Viktor Gjikën, qe i vetmi që guxoi e m’u afrua.

Ndjeva një dorë të ngrohtë mbi supe. Dhimitër Anagnosti, po ashtu me mimikën e tij, më tregonte mirëkuptim, por ishte më distant. Në filmat e mi të tjerë ata qenë mbrojtësit e mi më të zjarrtë, po kësaj radhe të gjithë u zmbrapsën. Di të them se kur më dënuan, nëse do të vendosnin të më çonin në burg, unë s’do ta përballoja dot. E them me siguri  se e njoh veten, do të kisha bërë vetëvrasje, nuk do ta përballoja dot atë poshtërim, atë ulje të karakterit dhe dinjitetit  tim.

download

E mendonit që në këtë fatkeqësi ndoshta patët pak fat, pasi mund të kishte shkuar edhe më keq?

Është e vërtetë. Ishte planifikuar që ata të sulmonin në  radhë të parë regjisorin, pastaj skenaristin e mandej drejtorin, Vangjush Zallëmin. Ky plan strategjik ishte ndërtuar  saktë nga drejtori Endri Keko, por u ndal në hallkën e tretë.  Kjo falë edhe intuitës së Manush Myftiut. Ai e kishte kuptuar se Keko ishte lakmitar e karrierist dhe këtë ia ka përplas fytyrës. Sipas aludimeve të mia, ky fakt mund të më ketë  shpëtuar edhe mua. Gjatë mbledhjes së ballafaqimit me intervistuesit, u pyet nëse ishte e vërtetë që ishin thënë ato  fjalë. Këtë e pranoi Vangjush Zallëmi dhe bëri gafën më të madhe. Si mund të pyesësh për një intervistë a është e vërtetë, kur ke lëvizjet e gojës dhe fjalët? Mandej u kërkua skenari, e dorëzova dhe sekretari i grupit të krijuesve të partisë vjen e me një naivitet më thotë: “Po skenari ishte identik me filmin”. Kjo më shpëtoi! Kjo do të thoshte se kisha realizuar identik skenarin dhe skenari ishte aprovuar nga redaksia. Pra, unë kisha bërë atë që drejtoria dhe partia aprovoi…

Si ndryshoi jeta pas këtij vendimi, njerëzit si silleshin me ju?

Vendosën të më çonin për punë fizike. Njerëzit u distancuan, më shikonin si armik. Askush nuk vinte të më afrohej dhe këtë fakt e kujtoj shpesh.

Pas punës në Kinostudio ju priste puna fizike. Si ishte kjo periudhë?

Capture

Të jem i sinqertë, fillimisht nuk kanë dashur të më pranojnë as si punëtor krahu. Shkoja në kooperativat e Tiranës, se kishte plot të tilla dhe më refuzonin. Por në gjithë këtë gjullurdi ka pasur edhe njerëz të mirë. Nga Ministria e Bujqësisë dikush tentoi të më çonte në sektorin mekanik në SMT-në e Tiranës, por drejtori nuk më pranoi. “Ç’na duhet Mit’hat Fagu, njeri që hap probleme”. Mandej më pranuan në fermën e Kamzës si  punëtor të thjeshtë e mandej si ndihmëstraktorist.

Si u përshtatët me punën e re?

Fillimi qe pak i vështirë. Më trembte shumë puna, se shikoja se traktorët  prisheshin çdo 2-3 ditë. Fillimisht isha punëtor krahu e më duhet të punoja në mes të  diellit, në ofiçinë. Unë asokohe isha 33 vjeç dhe s’kisha bërë kurrë kësi punësh. Mirëpo, më ka ndihmuar natyra ime e gjallë për t’u përshtatur.

Familja juaj, si e përjetonte këtë që po  ju ndodhte?

Prindërit e mi e kanë përjetuar më keq se unë. Vija nga një familje e ndershme e punëtore dhe një nofkë e tillë ishte e rëndë për ta. Babai im s’kishte pasur kurrë të tilla shqetësime, madje ishte një njeri që gjithmonë qe vlerësuar me dekorata e tituj simulues. Ende e kemi yllin e tij të argjendtë për merita pune. I madh ishte trishtimi që shikoja në sytë e nënës sime. Përpiqesha t’i jepja kurajë, i thosha:  “Mos u mërzit se jam gjallë, jam mirë”. Çdo mbrëmje kthehesha tek ata me biçikletë. Bëja 1 km rrugë nga Kamza.

Pati njerëz që ju qëndruan pranë në punën e re?

Ka pasur njerëz dashamirës, ndër ta është inxhinieri i mekanikës, Luan Kaceli, i cili një ditë më mori mënjanë në ofiçinë dhe më tha: “Kështu do të bjerë bretku në punë, nuk e përballon dot ti këtë. Je njeri inteligjent, mëso dy gjëra e puno si ndihmëstraktorist. Dhe ashtu ndodhi, mësova mjaft  gjëra të bukura. Më pas më mori të punoja me të si një trak- torist. Një njeri tek i cili reflektohej mirësia dhe inteligjenca  popullore. Ai e kuptonte vuajtjen time, se nuk i përkisja atij vendi dhe më trajtonte me kujdes. Nuk më ka dërguar një herë të merrja bidonin e naftës, më thoshte: “Rri këtu, se shkoj unë”. Edhe pse unë këmbëngulja, ai nuk më lejonte. Unë përpiqesha t’ia shpërbleja, ia mbaja traktorin xixë, i bëja të gjitha shërbimet teknike. Dhe realisht, traktori i tij nuk u prish asnjëherë. Më vonë mora patentën si traktorist dhe m’u dha traktori i dhuruar nga Hrushovi.

Si ndodhi që kaluat në artistiken “Migjeni”?

Edhe kjo, falë dashamirësisë së njerëzve. Nëndrejtori i  artistikes ndërhyri që unë të punoja gurgdhendës aty. Kaluan disa kohë edhe duket se gjërat do të ndryshonin drejtim,  falë atributit të Miti Tonës, i cili punonte në Komitetin e  Partisë. Unë shkova ta takoj personalisht këtë njeri dhe ai më ka  pritur shumë mirë, duke më thënë: “Mit’hat, partia nuk kërkon falje, sepse partia nuk gabon. Ke gabuar ti, ndaj duhet t’i  kërkosh ndjesë drejtorisë së Kinostudios për t’u rikthyer”. Dhe unë  kështu bëra. Asokohe ishte drejtor Viktor Gjika dhe më pranuan  në shtator të ’85-s në filmin multiplikativ.

Ju ndërkohë me filmin multiplikativ kishit punuar dhe më  herët. Para se t’ju dënonin po përfundonit filmin “Lulëkuqja”…

Është e vërtetë, madje edhe lidhur me filmin multiplikativ më është mohuar një e drejtë. Një koleg me të cilin ndava bukën e që  ishte në dijeni të filmit që ju përmendni ( pa ditur se ishte i xhiruar), pasi vinte në shtëpinë time, e  ka mohuar nja fakt të tillë. E mbajti të fshehtë dhe kur erdhi koha për të shënuar regjisorët e filmit vizatimor, shkroi 23 të tjerë, duke më lënë mua jashtë. Mirëpo, qe historiani i filmit të animuar, Giannalberto Bendazzi, i cili e korrigjoi këtë të vërtetë në historinë e filmit multiplikativ shqiptar. Kur ai e pa filmin, më tha: “I ke tejkaluar parashikimet e mia, e ke treguar filmin ‘Lulëkuqja’ në mënyrë poetike”. Masandej, ai e shkroi të vërtetën se i pari që e ka bërë filmin vizatimor në Shqipëri ishte Mit’hat Fagu. Shumë do pyesin se pse e dua unë këtë? E dua si meritë pune, se vlerat t’i jep filmi, puna që është bërë me këtë. As këtë nuk ma njohu vendi im, as shokët e mi.

Çfarë ndodhi pas ’90-s, a “Erdhi demokracia?”

Filmi “Erdhi demokracia”, që në fund mbyllet me pyetjen “A erdhi demokracia”, u bë në njëfarë mënyre shkas që të  largohesha nga vendi im. Unë mendoja se do të vinte demokracia dhe dyert do të hapeshin, po në fakt nuk ndodhi kështu, unë u zhgënjeva shumë. Robert Ndrenika me humor më thotë “tradhtar i vendit”, në fakt unë vuaj që jam larg.

Krahas pengjeve që keni nga diktatura, përmendni dhe “Njeriun e mirë”. Ju ka ndodhur të takonit Agollin më vonë, apo ta flisnit me të?

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku ka materiale që njerëzit e studiuesit duhet t’i njohin, unë arrita të gjej një pjesë të mirë të skenarit që përgatita për “Njeriun e mirë”. Asokohe, e pata diskutuar me ministrin e Bujqësisë, Pirro Dodbiban, dhe kisha ndërmend që si aktorë të bëja dy kolegë  të mi, Kiço Blushin dhe Piro Milkanin. Do të ishin ata figurat kryesore.

Unë kryesisht kam qenë i tërhequr dhe u qëndroja larg  personaliteteve. Por, se në ’97-n e kam takuar Dritëro Agollin dhe patëm një bisedë rreth ngjarjeve që po ndodhnin. Unë shikoja shenjat e një lufte civile dhe ia thashë  këtë, ndërsa ai më thoshte se ajo që po ndodhte nuk ishte luftë civile.

I parealizuar mbeti edhe tregimi i Tedor Laços, çfarë ju pengoi për ta shndërruar në një material filmik?

Unë hasa në një temë të trajtuar nga Laço që më prekte. Asokohe, kisha zbuluar një këndvështrim të ri në skenar, edhe në tregimin e mirë. Ishin vitet e para ’60-s dhe unë isha plot vrull, plot dëshira e synime. E ftova Teodor Laçon për bashkëpunim, pasi kisha vërejtur te tregimet e tij një këndvështrim filmik, kishte brenda realizmin jetësor si dhe i trajtonte ngjarjet në mënyrë të veçantë. Asokohe, Laço ishte në Rrethin e Korçës dhe unë i shkruaj një letër për të  realizuar një film artistik. Mirëpo, fatkeqësisht, ai më refuzoi. Në thelb, përgjigjja e tij kishte këtë përmbajtje: “Unë  s’kam të dhëna për skenar”. Vite më vonë, kur u bë ministër Kulture, shkova ta takoja. Ai ishte në mbledhje dhe u shkëput. Teksa bisedonim, më tha: E kam si thesar letrën tënde!” Por kishte qenë i influencuar nga Viktor Gjika, si miq të hershëm fëmijërie ai i kishte thënë: “Jo bre Teodor, nuk bëhesh skenarist ti”. Viktor Gjika kur u bë drejtori i Kinostudios vendosi drejtësinë në lidhje me mua, por në këtë rast qe parashikimi im i saktë.

Sot jeni 82 vjeç, por nuk ju mungojnë ëndrrat e as dëshirat për të kontribuar në kinematografi… 

Sot jam 82 vjeç, por është e çuditshme, ende ruaj pasionin e vrullin rinor për filmin. Shokët më thonë, që këtë  histori të trazuar ta hedh në letër, po bëhem skeptik. Pyes veten: A është vallë kaq e rëndësishme për të tjerët? Nuk e di, ndoshta do të marr guximin… Di të them, edhe pse shumëkujt mund t’i duket e çuditshme, e unë e ëndërroj filmin artistik, dua ende ta them timen përmes tij. Ende tentoj, kam 29 vite, deri më tani askush s’ma ka ofruar mundësinë. S’e di pse do të vdes me këtë mister.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura