Gjici ultimatum ekipit: Duhet të fitojnë 3 ndeshje ose s’marrin asgjë

Apr 19, 2018 | 9:40
SHPËRNDAJE

Safet Gjici është ngritur nga tribuna VIP, menjëherë pasi gjyqtari Hamiti vërshëlleu fundin e ndeshjes mes Kukësit dhe Laçit. Presidenti i kuksianëve nuk e fshihte dot zhgënjimin për eliminimin e skuadrës së tij. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama Sport”, Gjici fajëson dy mbrojtësit, Allën dhe Hoxhën në momentin e golit.

Kreu i klubit jep mendimin e tij edhe për gjykimin dhe lojën e kundërshtarit. Në fund, ka edhe një paralajmërim për të tijtë: “Nëse nuk fitojnë në tri ndeshjet e radhës në kampionat, nuk do marrin asgjë”, thotë i prerë Gjici duke iu referuar pagave dhe premiove. Tashmë, Kukësit nuk i ka mbetur asgjë tjetër veçse të mbajë vendin e dytë deri në fund të kampionatit.
gjici
Si ju duk ndeshja, e prisnit eliminimin duke parë që Kukësi ishte në avantazh deri afër fundit?

Nuk e prisja kurrsesi këtë eliminim. Ishte një ndeshje që duhej ta fitonim medoemos dhe të shkonim në finalen e Kupës. Por, ishte gabimi i dy mbrojtësve tanë që solli edhe golin e tyre. Laçi një herë shkoi në portën tonë dhe shënoi.

Si e vlerësoni gjykimin?

Nuk kam se çfarë të flas shumë për gjykimin, pasi ju e shihni vetë atë që ndodh në fushë. Një lojë shumë e rëndë nga lojtarët e Laçit, ndërsa arbitri nuk akordonte faulle dhe nuk jepte kartonë. Gjithashtu, lojtarët miq qëndronin gjatë të shtrirë në fushë, pasi barazuan.

Tashmë që mbeti vetëm kampionati, çfarë synimesh keni deri në fund?

Tani Kupa iku dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk do “vrasim veten”. Tashmë do fokusohemi plotësisht te kampionati për të vazhduar me rezultatet pozitive dhe për të realizuar objektivat që kemi.

Do ketë ndonjë penalizim pas këtij eliminimi?

Nëse në tri ndeshjet e radhës në kampionat nuk marrin nëntë pikë, lojtarët nuk do marrin asgjë. Sa më mirë t’i trajtosh futbollistët, aq më keq është. Sot (dje), duhej ta “hanin me dhëmbë” Laçin dhe të mos e diskutonin fitoren. Këta janë lojtarët, nuk kemi çfarë të bëjmë. Tani do shohim përpara që të blindojmë vendin e dytë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura