Gjetan Keta mban premtimin, thyen boshnjakun dhe shpallet kampion bote

Sep 9, 2018 | 11:57
SHPËRNDAJE

Gjetan Keta e mban premtimin dhe e shkatërron kundërshtarin Sladan Janjanin pas 5 raundesh të dominuara në çdo aspekt. Në sfidën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Dibrës së Madhe, boksieri kuqezi dhuroi spektakël duke e sulmuar vrullshëm rivalin, me goditje në trup dhe në fytyrë.

41289757_472990603199320_2543045347073064960_n

Raundi i parë startoi i ekuilibruar me dy boksierët që studionin lëvizjet e njëri-tjetrit. Në raundin e dytë boksieri kuqezi e rriti ndjeshëm ritmin e sulmeve duke e treguar hapur superioritetin e tij kundrejt boksierit boshnjak. Edhe raundi i tretë u dominua plotësisht nga Tajsoni shqiptar, ndërkohë që në raundin e katërt, Keta e hedh në tapet kundërshtarin. Megjithatë, Janjanin ringrihet dhe tenton për të shpërqendruar Gjetanin me gjeste dhe lëvizje provokuese. Por, Keta nuk di të ndalet dhe nis sërish vrullshëm sulmet. Në pushim të raundit të katërt, kundërshtari tenton të provokojë sërish. Raundi i pestë nuk ka aspak ndryshim nga paraardhësit, me Ketën që sulmon furishëm.

Dhe në përfundim të këtij raundi, boksieri boshnjak tërhiqet nga ndeshja. Kështu boksieri kuqezi, Gjetan Keta, arrin të shpallet kampion bote në federatën WBU. Keta, i mbështetur fuqishëm nga publiku i zjarrtë shqiptar, shfaqi një boksim të shkëlqyer duke i argëtuar të gjithë me sulmet e tij të pandalshme. Kjo ishte fitorja e 23-të në karrierë për “Majk” Gjetan Ketën, që shpallet kështu kampion bote në federatën WBU, përpara publikut shqiptar që e mbështeti fuqishëm në çdo moment. Një fitore me KO mori edhe boksieri tjetër kuqezi Ferit Keta, i cili mposhti turkun Karakus pas katër raundesh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura