Gjermania kundër ndryshimit të kufijve: Është një rrugë e rrezikshme! Vendet në Ballkanin Perëndimor kanë një të ardhme vetëm si…

Apr 16, 2021 | 13:18
SHPËRNDAJE

 

Ministri i Gjermanisë për Çështje Evropiane, Michael Roth ka deklaruar se ndryshimi i kufijve të ri në Ballkanin Perëndimor është një rrugë e rrezikshme.

roth

Reagimi i Roth vjen pas disa shkrimeve ditëve të fundit rreth një dokument joformal, për propozimin për ndryshimin e kufijve ne Ballkan.

“Vendet në Ballkanin Perëndimor kanë një të ardhme vetëm si shoqëri multietnike dhe multireligjioze. Pajtimi dhe bashkëpunimi rajonal janë çelës i paqes, demokracisë dhe prosperitetit. Vizatimi i kufijve të rinj është një rrugë e rrezikshme”, shkruan Roth në Twitter.

DOKUMENTI

Mediet kroate e boshnjake kanë shkruar se një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, i është dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe në të propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon.

BASHKIMI KOSOVË-SHQIPËRI

Te pjesa e dokumentit jozyrtar të publikuar, ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, përmendet se në Kosovë 95% e popullatës dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë dhe se situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri.

“Në Kosovë 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent.

Pjesa serbe e Kosovës do të marrë status special – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë Veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse”, thuhet në dokument.

“SHKRIHET” BOSNJE-HERCEGOVINA

Në propozimin jozyrtar të Kryeministrit slloven se si mund të vendoset “paqja” në Ballkan, kërkohet shkrirja e Bosnje-Hercegovinës si shtet. Vendi që përbëhet nga tri komunitete kryesore (boshnjakët, kroatët dhe serbët) nuk do të ekzistojë më, sipas vizionit të Janshas.

Ndërkohë që kroatët do të bashkohen me Kroacinë dhe Republika Serbe me Serbinë, mbetet një pikëpyetje e madhe se çfarë do të ndodhë me boshnjakët, të cilët sipas propozimit, do të mbeteshin pa shtet.

Boshnjakët përbëjnë gjysmën e popullsisë së vendit. Sipas planit të Janshas, atyre mund t’u jepet “një shtet që funksionon në mënyrë të pavarur” dhe “për të cilin ata duhet të marrin përgjegjësinë e plotë”.

Nëse boshnjakët nuk dëshirojnë, atëherë nuk kanë pse të hyjnë në Europë: “Ata mund të votojnë në një referendum për një të ardhme në BE ose jo në BE apo Turqi. Boshnjakët myslimanë janë përkohësisht në favor të anëtarësimit në BE.

Por nëse kaosi vazhdon dhe me rritjen e ndikimit të Turqisë dhe islamizmit radikal, situata mund të përkeqësohet në dekadën e ardhshme në mënyrë drastike”, shkruan Jansha. Sipas tij, “tani për tani për këto ide duhet heshtur derisa për planin të bihet dakord me vendimmarrësit në rajon dhe në bashkësinë ndërkombëtare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura