Gjermania kërcënon Shqipërinë me heqjen e statusit të vendit kandidat

Jun 30, 2016 | 8:04
SHPËRNDAJE

Gjermania ka kërcënuar hapur dje politikën shqiptare se, nëse nuk miratohet më 21 korrik Reforma në Drejtësi, Shqipëria mund të humbë statusin e vendit kandidat për në BE. Deklarata ka ardhur nga kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum.

gjemaniGjatë një konference për mediat shqiptare në ambientet e Ambasadës gjermane, deputeti gjerman tha:

“Ne vërtet ju kemi mbështetur, por nuk do të qëndrojmë gjithmonë pas shpinës suaj. Tashmë do të na keni edhe përballë”. “Durimi ynë nuk është i pafund. Ne nga ana jonë, Qeveria federale, Bundestagu, ju mbështesim në të gjitha çështjet dhe në këtë kuadër ju keni marrë statusin e vendit kandidat, por në qoftë se neve në fund të ditës na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë edhe ne në fund të ditës marrim vendimin që t’ju heqim statusin e vendit kandidat”, u shpreh Gunther Krichbaum.

Ai pati një mesazh si për qeverinë, ashtu dhe për opozitën. “E rëndësishme është që në fund të procesit të kemi reformë, që palët të gjejnë veten. Për reformën është ofruar mbështetja e BE-së dhe qeverisë federale, draft i cili është gati. Opozita është angazhuar në të gjitha proceset e reformave, veçanërisht te Drejtësia. Por tani janë pjekur kushtet që të merret një vendim. Votimi i 21 korrikut është vendimtar për këtë çështje. Nuk duhet humbur durimi, opozita dhe qeveria të gjejnë një kompromis. Nëse nuk gjendet kompromis, reforma nuk do japë drejtësi të pavarur. Kjo është e qartë për procedurat e përzgjedhjes për këshillat e lartë, por me rëndësi edhe në një fazë të mëvonshme, kur këto këshilla marrin vendim më vonë. Një vend që qeveria ushtron ndikim në Drejtësi, nuk është vend i BE-së. Për mua kanë mbetur disa detaje që duhen sqaruar, por mendoj që palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme”, tha deputeti gjerman.

Ai u shpreh i prerë se nuk do të pranohet në BE asnjë vend ku korrupsioni është i përhapur. “M’u krijua përshtypja se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni dhe krimi. Korrupsioni prek dhe gjymton Drejtësinë dhe të varfrit. Po jua jap sot me firmë dhe vulë se BE nuk do pranojë një vend me strukturat kriminale dhe korrupsionin e përhapur”, tha Gunther Krichbaum.

Ai vlerësoi bashkëpunimin maxhorancë- opozitë për ligjin e dekriminalizimit. “E pranoj punën për ligjin për luftën ndaj kriminalitetit. Por opozita ka tashmë përgjegjësinë e vet që ne jemi në të njëjtën rrugë. Është detyrë e qeverisë që të marrë kontakt me opozitën dhe të gjejë votën, pasi rëndësi ka data që po afron”, tha deputeti gjerman. Sipas tij, mosvotimi i Reformës në Drejtësi do ta radhiste Shqipërinë në vendet e fundit që mund të anëtarësoheshin.

“Synimet apo qasjen e vendit tim e lexoni në procesin e Berlinit. Ky proces synon fuqizimin e bashkëpunimit të vendeve me njëri-tjetrin. Në rajon fshihet potencial për të fuqizuar stabilitetin. Shqipëria në axhendën tonë është ndër vendet e para. Nëse na krijohet përshtypja se kjo reformë nuk është e mirëpritur, të jeni të bindur se për ne, nga vendet e para, mund të arrijë në fund”, tha Gunther Krichbaum. ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura