Gjermania jep 4.5 milion euro grant, për efiçencën e energjisë në Qytetin Studenti

Apr 21, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

Gjermania jep 4.5 milion euro grant për efiçencën e energjisë në Qytetin Studenti. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë Hellmut Hoffman firmosën sot marrëveshjen për financimin me grant të rinovimit të konvikteve në kampusin universitar të Tiranës sipas parimit të efiçencës së energjisë.

qytet studenti

“Gjermania është pioniere e asistencës së Shqipërisë përsa i përket eficencës së energjisë elektrike. Efektiviteti është i madh, kursimet e energjisë janë të mëdha. Sjell dobi të mëdha për shoqërinë shqiptare, por mbi të gjitha ne krijojmë një model ekonomik të caktuar, të cilin ne mund ta aplikojmë në shumë projekte të tjera publike”, u shpreh Gjiknuri.

 

Ambasadori Hoffman nënvizoi se bëhet fjalë për një grant të palës gjermane, pra jo për një kredi.

“Konsumi i energjisë do të reduktohet dukshëm. Buxheti i Shtetit do të jetë më pak i ngarkuar dhe klima do të mbrohet. Rinovimi i të gjithë Qytetit Studenti, sigurisht, do të kërkojë shumë më tepër mjete financiare. Në fund të Majit, Gjermania dhe Shqipëria do të diskutojnë nëse më tej do të mund të merren në konsideratë kredi të buta për këtë qëllim. Eksperti i KFW ka nisur që tani me inspektimin e 5 konvikteve”, theksoi ambasadori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura