Gjermania “gjermane” dhe Franca “angleze”

Jul 6, 2016 | 12:59
SHPËRNDAJE
Besnik Dizdari
Besnik Dizdari

BESNIK DIZDARI

Kur kemi qenë me Kombëtaren e Shqipërisë në Londër më 1989 për ndeshjen me An glinë, pata arritur të realizoj vetëm për vetëm një vizitë të shpejtë në zyrat e Federatës Angleze të Futbollit.

E kisha menduar se do ta gjeja në një pallat të tanë, por e gjeta vetëm në fare pak zyra në një ndërtesë, si të thuash, disi të përgjithshme. Ndoshta qe një ditë pushimi, por aty gjeta vetëm nja dy zyrtarë.

Duke qeshur, u thashë se si ka mundësi që Anglia me Kombëtaren e saj nuk po arrin sukseset që futbolli i këtij shteti meriton. Edhe zyrtari vuri buzën në gaz dhe tha:

“Në Angli klubet janë tejet më të fuqishëm se Kombëtarja, madje edhe më të rëndësishëm e më të organizuar administrativisht. Këtu nuk ka fort mërzina për Kombëtaren edhe pse nuk arrin rezultatet e mëdha. Klubi është më i rëndësishëm”…

Tash mbas gati 30 vjetësh, nuk e di se si është selia e Federatës Angleze të Futbollit. Me këtë fuqizim, sidomos komercial e global që në botën e sotme ka marrë edhe futbolli i Kombëtareve, me siguri është diçka tjetër. Por filozofia e rëndësisë së skuadrës së klubit të qytetit, çka në Shqipëri është në krizë të plotë, them se ende në Angli nuk ka rënë assesi.

Ata janë kaq të rëndësishëm, saqë edhe pse Anglia është eliminuar në EURO 2016, klubet e saj nën petkun kombëtaras të shteteve të tjera janë të pranishëm ndoshta më fort se asnjëherë.

Kështu, kemi një Francë thuajse krejt angleze. Në ndeshjen e saj spektakolare 5-2 me Islandën, ajo kishte plot shtatë “anglezë”: Lloris (Tottenham), Koslcielny (Arsenal), Mangala (Manchester City), Sagna (Manchester City), Sissoko (Newcastle), Giroud (Arsenal), Payet (West Ham).

Por nga krejt lojtarët e saj, të cilët kanë luajtur gjatë pesë ndeshjeve të deritashme janë edhe tre “anglezë” të tjerë: Kante (Leicester), Cabaye (Crystal Palace) dhe Martial (Manchester United).

Kemi të bëjmë kësisoj me një Francë thuajse krejtësisht “angleze:”, çka e bën stilin e lojës së Kombëtares transalpine që të jetë tejet larg stilit të Michel Platini-t të viteve ’80, ndonëse trajner ka një njeri, i cili kurrë nuk ka luajtur në Angli: Didier Deschamps. E ndërkaq, në këtë Kampionat të Europës, në katërshe kemi edhe Uellsin, i cili ka plot 16 futbollistë, të cilët luajnë në Angli! Normale kur e dimë se Uellsi, ashtu si dhe Anglia, është i Britanisë së Madhe.

Çka për një çast edhe më fort na duket se katërshja e EURO 2016 ka një ngjyrë të plotë angleze. E pra nuk është plotësisht kështu. Kundërshtari i Francës është Gjermania.

Dhe është një Gjermani e gjitha gjermane: Neurer (Bayern), Boateng (Bayern), Hector (Köln), Howedes (Schalke 04), Hummels (Borussia D.), Draxler (Wolfsburg). Kimmich (Bayern), Muller (Bayern), Schurrle (Wolfsburg), Gotze (Bayern)! Në 23-shen e Gjermanisë janë bukur nja 16 lojtarë “gjermanë”. Të klubeve gjermane, pra.

Dhe më duket se dueli i gjysmëfundores, ai Francë – Gjermani, është një duel jo franko – gjerman, por anglo – gjerman. Nga ana tjetër, dueli Uells – Portugali, teksa sheh shumëkombësinë klubiste të portugezëve, më duket jo si një duel uellsiano – portugez, por si një duel anglo – europian. Sepse Portugalia ka vetëm dy “anglezë” dhe plot pjesëtarë të klubeve të ndryshme europiane, kur Uellsi plot 16 anglezë! Hamendjet asisoj më ngatërrohen disi “keqas”, megjithatë.

Dhe? “Gjermania uber alles”! Si përherë. Në dy Kampionate të Botës dhe në dy Kampionate të Europës të fundit ajo është gjithnjë në katërshen më të mirë. Kur dihet se ajo është Kampione e Botës në fuqi, por çuditërisht ka plot 20 vjet pa qenë Kampione e Europës, për herë të fundit më 1996.

Përvjetor i plotë jubilar për t’iu rikthyer titullit. Natyrisht me gjermanë, jo me “anglezë”. Prej një kolegu të huaj, Andrea Monti i “La Gazzetta dello Sport”, po më pëlqen të marr këtë përcaktim të tij për Gjermaninë e futbollit: “… Pak filozofi, në kësi rastesh na ndihmon.

Fjala që të hap dyert, e huazuar prej humanizmit të Von Humbolt-it dhe Goethe-s ishte “Büldung”. Një term që pak si me rreptësi mund ta përkthejmë në “formim”.

Çka në të vërtetë përmban konceptin e rritjes në harmoni, të baraspeshës midis ndjenjës dhe arsyes, ndërmjet trupit dhe shpirtit. Ky është konkretizimi i një sistemi që i bashkon të gjithë: federatën, klubet, televizionin, tifozët, duke ia arritur të përzgjedhë talentet e reja falë 36 akademive të moshave të para dhe duke prodhuar ndërkaq një baraspeshë magjike edhe të përfitimeve: 30 për qind prej të drejtave televizive, 20 për qind prej biletave të stadiumeve dhe 50 për qind prej sponsorëve dhe marketingut”.

Dhe të gjitha këto kryesisht falë një Gjermanie me “gjermanë”. Të jetë e vërtetë? Mirë apo keq, mos ndoshta në futbollin e sotëm nuk ka më shkolla kombëtare të stilit, por edhe ai po shkon drejt një globalizimi? Mundet.

Qoftë dhe kur kujton se edhe Shqipëria jonë debutuese nuk qe assesi “shqiptare” në Europian. Ose më mirë me thënë, ajo nuk qe as në të vetmen cilësi vërtet shqiptare: shpirtin e madh të sakrificës dhe futbollin e shpejtë kundërsulmues. Nuk i pati as njërën, as tjetrën.

Pati vetëm taktikën e nivelit të lartë dhe një shqiptarësi të tribunave që Europa e futbollit na e përmendi më fort se vetë futbollin modern që edhe Shqipëria paraqiti në fushën e blertë.

Me sa duket, bota e futbollit të Shekullit XXI përjeton periudhën e shuarjes së shkollave kombëtare. Ose të ruajtjes paksa të dy shkollave të vetme: ajo gjermane fitimtare dhe ajo angleze humbëse për Anglinë, ose fitimtare për një Francë apo Uells. Pa harruar mozaikun europian të Cristiano Ronaldo- s së Portugalisë.

Të mos ngutem megjithatë, kemi ende për të parë. Madje kemi për të parë skenat e fundit që shpesh janë të pamëshirshme…

***

E tash, siç kam vepruar edhe në editorialet e tjerë, po e mbyll me renditjen “time” të deritashme për 20 skuadra përfunduese të Kupës së Kombeve të Europës “Henri Delaunay”, ndryshe Kampionatit Europian 2016:

Untitled-5

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura