Gjergj Xhuvani zbret në sheshxhirim, “i vë flakën” trafikut të drogës në Prespë

Sep 26, 2018 | 14:02
SHPËRNDAJE

Liqeni të jep atë që i kërkon. Nëse i kërkon peshk, ai të jep peshk, nëse i “kërkon” drogë, do të të kthejë vdekjen. Një histori fëmijërie të dhunuar, trafiku droge dhe mbijetese do të vijë së shpejti në ekranin e madh përmes filmit “Liqeni im”.

liqeni1

Regjisori Gjergj Xhuvani ka zbritur në sheshxhirim me filmin e tij më të ri artistik, me metrazh të gjatë, një projekt i mbështetur nga qendrat kinematografike të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Kroacisë, por edhe i përzgjedhur nga Eurimage si një nga projektet më të mira të paraqitura nga 37 vende të ndryshme.

Gjatë xhirimeve të filmit “Liqeni im”, në fshatin Pustec
Gjatë xhirimeve të filmit “Liqeni im”, në fshatin Pustec

Filmi me skenar dhe regji të Xhuvanit vendoset në Pustec në pikëpjekjen e tre kufijve, duke bërë bashkë një grup të madh aktorësh e teknikësh nga të gjitha vendet që bashkëprodhojnë këtë film. Pasi ka publikuar lajmin për fillimin e punës dhe disa fotografi nga sheshxhirimi, kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, shprehet se filmi “‘Liqeni im’, me regji të Gjergj Xhuvanit dhe produksion të ON Film Production, një bashkëprodhim midis Shqipërisë, Kosovës, Italisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, i votuar si një nga projektet më të mira në seksionin kur konkurroi në Eurimages, i mbështetur edhe nga SEE Cinema Network, është kthyer sot në simbiozën e bashkëprodhimit Europian dhe Ballkanik.

liqeni2

Një set multietnik me rreth 60 njerëz dhe një arsenal mjetesh teknike, i pozicionuar në fshatin Pustec, liqeni i Prespës, vendi që bashkon kufirin shqiptar, grek dhe maqedonas, të jep ndjesinë e mrekullisë që krijojnë bashkëprodhimet ballkanike”.

HISTORIA

Filmi “Liqeni im” sjell historinë e Kristos, një djaloshi në bankat e një shkolle braktisur harresës, por ku nuk mungon pasioni nga ana e mësuesve. Gjatë një ore mësimi, ai djalë liqeni përpiqet të gjejë kuptimin e togfjalëshit ‘Liqeni im’, të shkruar në dërrasën e zezë. “Liqeni mund të na i japë të gjitha, nëse ne dimë se si ta pyesim”, shkruan Kristo.

Një fjali që përmbledh gjithë filozofinë e filmit, dramën e personazheve të tij. Është kjo fjali, që do ta kthejë atë disa muaj pas në kohë, në ato ngjarje në fshatin e tij lagur nga liqeni e Prespës, që bashkon e ndan Shqipërinë, Maqedoninë dhe Greqinë. Kristo ka një varkë të vogël peshkimi dhe duke përfituar nga pozicioni gjeografik, përfshihet në një aktivitet të paligjshëm, duke transportuar drogë nga Shqipëria në Maqedoni. Kristo rritet nën hijen e dy shitësve droge, me të cilët punon, Ismailin dhe Paskon.

Ndryshimet fillojnë në jetën e Kristos, pasi që ai fillon të ndiejë afeksion për mësuesen e tij, Mirandën (Elia Zaharia). Pa kuptuar, Kristo do ta gjejë veten mes një përplasjeje mes dy ortakësh, Ismailit dhe Paskos, për monopolizimin e trafikut të drogës që zhvillohet përmes liqenit. Trafiku ka viktimat e veta dhe Kristo për pak rrezikon të jetë një i tillë. Një anije me drogë dhe para trafiku të djegura. Bashkë me këtë akt, Kristo tenton të “djegë” edhe të shkuarën e tij. E ardhmja është në bankat e shkollës dhe tek ai liqen, i cili të jep atë që kërkon prej tij.

Butka: Pesë filma në sheshxhirim

Kjo vjeshtë paska qenë e artë për filmin artistik. Kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ilir Butka, njofton fillimin e xhirimeve për pesë projekte filmike, të cilat janë bashkëprodhime me shtyp prodhimi nga Kosova, Maqedonia, Italia, Greqia etj. “Prej vitesh tashmë, politikat e QKK-së janë duke orientuar kineastët tanë në gjetjen e hapësirave dhe vullnetin përkundrejt bashkëprodhimeve ballkanike, përveç atyre europiane. Kjo vjeshtë, si asnjëherë më parë, gjeti pesë projekte të filmit të gjatë në fazën e xhirimit njëkohësisht. Dikur ishte e vështirë të krijoje një staf të kompletuar filmi, ndërsa sot, Gjergj Xhuvani, Spartak Pecani, Namik Ajazi, Jonid Jorgji dhe Artur Gorishti kanë angazhuar një ‘ushtri’ me rreth 200 profesionistë, vendës dhe të huaj, duke treguar edhe një herë potencialin në rritje të kinematografisë sonë”, shprehet Butka entuziast.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura