Gjergj Leka sulmon Floriana Garon pas debatit për Elhaidën: Je për të dhënë motin

May 30, 2015 | 11:46
SHPËRNDAJE

Elhaida Dani dhe performanca e saj në Vjenë u shndërrua në kryefjalën e debateve televizive gjatë kësaj jave. Në panelet më të rëndësishme të orëve të mbrëmjes, diskutuan interpretimin e këngëtares dhe renditjen e saj në vendin e 17-të, jo vetëm specialistë të muzikës dhe të teksteve, por edhe personazhe të tjerë publikë, të cilët, edhe pse s’kanë njohuri të fushës, dhanë mendimin e tyre në publik.

Floriana Garo/ Gjergj Leka

Për të njëjtën temë kishin organizuar panelet e tyre Blendi Fevziu në “Tv Klan” dhe Turjan Hyska në “Vizion Plus”. Meqë emisioni i Turit u transmetua pas atij të Fevizut, të ftuarit e tij komentuan dhe faktin se sa kompetent duhet të jetë një i ftuar, që të flasë për një krijim apo perfomancë muzikore.

Kantautori Gjergj Leka, i cili dukej i nxehur nga paneli i Fevziut, ku mungonin artistët, veçoi faktin se nuk mund të japë mendim profesionist kushdo që punon në televizion. Ai përmendi si shembull moderatoren e “Jo vetëm modë”, Floriana Garon.

“Nuk mund të bëjë kritikë për muzikën një ish-miss si Garo”, tha ai duke iu referuar pranisë dhe qëndrimit të saj ndaj Elhaidës, ndërsa ishte e ftuar në panelin e Fevziut. Gjergji madje bëri ironi, duke thënë se: “Në qoftë se Floriana do të japë mendime për muzikën, po shkoj unë në vend të saj për të dhënë kohën”.

Pra, sipas Zhejit, Floriana është për të dhënë motin, por jo mendim për muzikën. E pyetur nga gazeta “Panorama” në lidhje me këtë koment të Lekës në mungesë të saj, Floriana, e cila nuk kishte reaguar më parë për këto akuza as në rrjetet sociale, u shpreh: “Nuk e kam ndjekur këtë debat, por gjithsesi Gjergj Leka të japë opinionin e tij, ndërsa unë jap opinionin tim në ‘Opinion’”.

Moderatorja e “Tv Klan”, ashtu si Turi Hyska, ndihen më afër kësaj çështjeje, pasi ata ishin moderatorët e festivalit, ku Elhaida u shpall fituese, por ajo nuk konkurroi me këngën që fitoi Festivalin e RTSH. Nuk e dimë nëse Floriana ka simpati për Elhaida Danin si këngëtare, por në panel tek emisioni “Opinion” i Fevziut ajo e kritikoi preformancën e saj në “Eurosong” në Vjenë, ndërkohë që Gjergj Leka lavdëroi këngëtaren, duke i parë problemet jashtë saj.

KOMPOZITORI I KËNGËS: ELHAIDËS IU BË PADREJTËSI ME PIKËT
Një nga kompozitorët e këngës “I’m alive”, që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurosong”, Arbër Elshani, pranon të japë qëndrimin e tij pas zhurmës së madhe të krijuar, ku komentuesit u ndanë në dy grupe, pro dhe kundër performancës së Elhaidës. Disa e konsideruan debutim të dobët dhe të tjerët që shfaqën revoltën e tyre për mënyrën e votimit, ndërkohë që për një kohë të gjatë Shqipëria kryesoi në faqen zyrtare të “Eurosong”.

Pas zhgënjimit të vetë autorëve, të cilët prisnin një renditje më të lartë me pikët sesa vendi i 17-të, flet kompozitori nga Kosova, Elshani. Në një farë mënyre ai edhe kishte veçuar këngën e Suedisë “Heroes” të Måns Zelmerlöw, si ndër më të mirat gjatë një interviste dhënë për “Panorama Plus” para festivalit.

“Që kur doli kënga, e parashikova si fituese. Më pëlqeu, transmetonte mesazh të mirë dhe këndohej bukur. Tingëllonte si një fitore”, tha ai për “Panorama”. Për sa i përket renditjes së Elhaidës dhe përjetimit të tij si autor i këngës, ai shprehet: ”Hmmmm! S’mund të them që u mërzita pse nuk fitova, por mund të them se u mërzita me padrejtësitë që na u bënë në atë kompeticion. Shpresoj që shqiptarët të binden për këtë dhe ta bojkotojnë atë festival, ashtu siç na bojkotuan ata ne.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura