Ekskluzive/ Gjergj Leka: Si m’i ndaluan këngët prej “biografisë”

Aug 25, 2015 | 9:09
SHPËRNDAJE

Ka mbi 35 vite karrierë artistike të mirëfilltë dhe është i vetmi nga brezi i tij që vijon të jetë aktiv në treg.

Me këngë, me emisione që mbajnë fund e krye firmën e tij, por edhe me aktivitete të tjera artistike. Ky është Gjergj Leka, kantautori i njohur që në rininë e tij ka bërë jo pak çmenduri, prej të cilave u përjashtua 7 herë nga shkollimi, u degdis maleve të Martaneshit, iu ndaluan këngët e plot histori nga këto, derisa u arratis në vitin 1989. Rinia e tij është e mbushur me aventura, disa prej të cilave ai i sjell ekskluzivisht për gazetën “Panorama”, në pjesën e dytë të intervistës.

Gjergj Leka444Pasi foli në numrin e parë për problematikat e festivaleve dhe rivalitetet e këngëtareve femra, sot do të ndalemi vetëm te jeta artistike e tij. Si arriti t’i mbijetonte diktaturës me tipin e vështirë prej rebeli, çfarë rrezikoi, kush qenë njerëzit e fuqishëm që e ndihmuan, si dhe këngët e tij në bodrumet disidente ku rrinte Fatos Nano? Këto janë vetëm disa nga detajet e intervistës së mëposhtme…

Folëm për femrat në festival, po këngëtarët meshkuj si kanë qenë dhe pse nuk kanë marrë aq shumë çmime sa femrat?

Nuk kanë qenë në lartësinë e femrave, por jo thjesht se nuk ishin të zotët, por janë disa arsye. Po ia nis me një historik, që ta shpjegoj qartë: Pas Muharrem Xhedikut në vitet ‘50, pastaj kaloi një 10- vjeçar që nuk kish më meshkuj në festival. Domethënë kishte, por me këngë që i linin në hije. Kjo vijoi deri në Festivalin e 11-të, ku dolën këngëtarët e mëdhenj, si Sherif Merdani, Nevruz Yzeiri, Dorian Nini etj. I “varrosën” përnjëherë. Kjo puna e meshkujve në Festivalin shqiptar është për t’u habitur, sepse sërish u deshën 10 vjet që të rinisnin të spikasnin. Dolën vonë Aleksandër Gjoka, Redon Makashi etj. Ka pasur zëra meshkuj të bukur shumë në festival, por jo të muzikës së lehtë. Shpjegimi për këtë 90 për qind është ky: Autorët ishin të detyruar të bënin tekste që u përshtateshin më shumë femrave. Një këngë për Partinë i shkonte më shumë një femre që e zbuste me ca hijeshi e ëmbëlsi, sesa një këngëtari mashkull të vrazhdë. Populli e “hante” më shumë këngën, nëse ishte një femër që e këndonte, ndaj dominonin femrat.

Folëm për të tjerët, tani le të flasim vetëm për ju. Cila ka qenë kënga jote e parë?

Kënga e parë ka qenë “Në festën tonë Partinë urojmë”. Kam qenë 11 vjeç, ishte viti 1973. Ishte 1 qershori dhe u bë Anketa e Radios, që asokohe ka qenë shumë e rëndësishme. Pas festivalit ishte anketa, sepse bëhej një garë e madhe dhe ishin 4 këngët që konkurronin gjatë muajit. Atëherë ishte vetëm TVSH dhe anketa ishte një lloj “hit parade” që kishte Italia, por kini parasysh atje nisi në vitin 1981. Këngën normal që nuk e këndoja unë, por ka qenë krijimi im i parë. Ka shkruar asokohe gazeta “Drita”. Pastaj u bënë pishman, se isha djali i Konstadin Lekës, me biografi të keqe. Edhe babai im thoshte: “Pse nuk e vë mbiemrin Jorganxhi, nga nëna”. Nejse, pas 8-vjeçares nuk më lanë të hyja në lice. Ndërkaq, familja ime ka qenë kundër, që unë të merresha me muzikë të lehtë, sepse ata qenë klasikë. Gjej rastin këtu të kujtoj edhe mësuesen time të parë, që ka qenë nëna e Ardit Gjebresë, Meropi Gjebrea. Nga mosha 11-14 vjeç kam marrë pjesë në disa role të vogla, kam kënduar. Prapë prej biografisë nuk më futën në lice, pavarësisht se isha mjaft i përgatitur. Kam shkuar në gjimnaz, falë drejtorit të gjimnazit, ndjesë pastë, i cili e pa që unë nuk merrja vesh nga Matematika e Fizika, aty nisa të merresha me sport, basketboll. Sa për kuriozitet, unë isha me 17 Nëntorin dhe Edi Rama me Dinamon. Isha shumë i zhgënjyer që nuk më pranuan në Lice dhe thashë me vete “të kam dhj… me gjithë muzikë, nuk merrem më me të”. Pianos ia kisha varur. Ndërkohë m’u thye një nga gishtat, sepse më ra keqas një top basketbolli, kështu që humba një vit shkollë. Ika nga shtëpia dhe isha vetëm 15 vjeç. Në atë kohë kam jetuar me një person që sot është biznesmen i njohur, te shtëpia e Ilir Çelisë, që më pas u bë aktor filmash. Aty filloi “degjenerimi” im. U hap hotel “Tirana” dhe unë vetëm 15 vjeç nisa t’i bija pianos atje, te taverna poshtë. Ai drejtori i shkollës më merrte vetëm për aktivitete muzikore dhe ata mësuesit më vinin ndonjë notë. Kështu vazhdoi një vit. Shkoja në 11 të natës dhe kthehesha në 6 të mëngjesit, ndërsa në 7:30 të mëngjesit duhet të isha në shkollë. Dhe flija mbi bankë, normale. Aty u njoha me njerëz shumë më të mëdhenj se vetja ime, nga të cilët përfitova shumë. Moshatarët e mi i quaja kalamaj. Fillova të luaj edhe nëpër bodrume, ku rrinin disidentët…

Disidentë asokohe…?

Po, ishin ata që më vonë u bënë desidentët kryesorë. Ka qenë Dash Xhuvani, Brikena Çabej – vajza e Eqerem Çabej, Met Musaraj – djali i Shefqetit, Fatos Nano – i biri i Thanasit etj. etj., njerëz shumë intelektualë, por me familje komuniste. Ata kanë qenë kundër regjimit që atëherë dhe kanë rrezikuar shumë, veten dhe familjen e tyre. Mblidheshin dhe dëgjonin muzikë nëpër bodrume, ku luhej më së shumti muzikë angleze, sesa amerikane. Sigurisht, edhe bënin biseda e diskutime. Duke ndenjur me ta, kam mësuar shumë dhe për mua ishte një shkollë më vete. Edhe nga ana muzikore u formova jashtë mase. Atëherë kam realizuar shumë këngë, shumicën me poezitë e Kadaresë, edhe pse i kam nxjerrë më vonë. Për fatin tim të mirë, u hap një degë për kanto. E hapi ministria kastile për këta fëmijët e udhë- heqësve ose ata që kishin funksione shtetërore të larta. Më futën aty, edhe pse jo për kompozicion, por për oboe. Oboja është ajo klarineta me kallam. Atë vit, falë ardhjes së Thanas Nanos që më quante “rrugaç”, por nga ana tjetër vlerësonte faktin që ia kisha çuar disa herë në krahë të birin kur dehej, si dhe më vlerësonte zotësinë e talentin tim, ai më dha një mundësi. Veç Thanas Nanos, ka qenë Sulejman Dibra që më ka dhënë një dorë mjaft të fortë ndihme. Ai konsiderohej si “tmerri i estradës” ngaqë drejtonte rreptësisht. U takuam një ditë, aty ku është “Piazza” sot, dikur ishte Estrada. Unë i them “o spiun”, se kishte luajtur filmin te “Debatiku”. “Eja këtu”, më tha. “Do pish raki?”, pyeti. Unë i kërkova konjak. Sul Dibra më nxjerr konjak dhe më dehu. Pastaj më tha që nesër do vish të më takosh. E kundërshtova, por ai më tha: “Ti je supertalent, por po nuk ta dhashë unë dorën tani, ti do të përfundosh shumë keq”. Ika me mendjen që nuk do e takoja, por të nesërmen vajta tek ai. Më tha: “Çfarë do të bëje ti në estradë?”. “Do t’i hiqja të gjithë”, i thashë. “Po”, – tha, – “jam dakord”. Ai më dha një mundësi të artë, më la të bëj formacion privat. Karrierën e kam falë Sul Dibrës. Dhe me formacionin privat filluan për herë të parë recitalet shqiptare. Nisi me Pavlina Nikën, pastaj Bashkim Alibali, Anita Bitri etj., të gjitha u bënë me formacionin që krijova unë, ndërkohë që ende ndiqja liceun. Formacionin e mori pastaj edhe RTSH-ja. Por kam punuar “si qen”, ndërkohë që shumë i ri mora famë.

Po Thanas Nano, çfarë ndihme të dha, pasi e përmendët më sipër, por nuk del qartë?

Thanas Nano më mori mua në TVSH, pavarësisht biografisë së keqe. Ai e bëri të vetën. Pastaj vijojnë historitë e ndëshkimeve të mia, më kanë çuar në prodhim e ushtar, pasi e hëngra nga shokët e mi që llapën. Por këto janë histori të gjata që duhen treguar më vete. Kur ika ushtar, të gjithë thanë se “ky mori fund”. Pasi bëra një vit e gjysmë ushtri në Martanesh, vjen një ditë një BÇ gazi. Thashë: “punë dreqi, më kapën një herë e mirë”. Kisha pirë ca. Ata më morën dhe e gjej veten pas disa orësh udhëtimi te Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. Aty më nxjerrin para Rustem Peçin, që e drejtonte shkollën e më shumë se shkollën. Atë e kishin frikë të gjithë, por mua ngaqë më ishte mbushur mendja se nuk kisha më shpëtim dhe nuk kisha çfarë të humbisja më, po rrija si i kapardisur. Ai deshi të ushtronte presion dhe po ta kisha ngrënë, do ta kisha ngrënë një herë e mirë. Por ndonjëherë koka e krisur të shpëton. Rustem Peçi ma bleu tipin tim “prej idioti” dhe e mbaj mend si tani, nxori një shishe raki mani. Na nxori dy gota si tip shotsa. Nxori edhe pistoletën dhe mendova me vete: “Ma futi tani, por po më jep rakinë e fundit”. Rustemi nxori dy plumba nga pistoleta dhe e futi njërin në gotën time dhe tjetrin te gota e tij. Më pa me një shikim që nuk e harroj kurrë: “Ka një gjë, ti je talent dhe siç do ti të jesh i pari, edhe unë dua të jem i pari”, tha ai. Pa e zgjatur më tej, për herë të parë do të nisnin Dekadën e Majit: o plumbin, ose çmimin e parë në Dekadën e Majit. “Ma jep dot?”, më pyeti Rustemi. “Patjetër, që ç’ke më të”, i thashë. I kërkova edhe 50 mijë lekë. Më zhveshi si ushtar, se tha që “ky është turp të mbajë devizën tone”. Nisa punë menjëherë dhe për herë të parë unë nxora të veshur këngëtarë me rroba ushtarake që këndonin muzikë të lehtë: Kastriot Tushën, Nertila Kokën, me orkestër të muzikës së lehtë. Ka kënduar një këngë të Genc Tukiçit, që u dedikohej trimave… U fitua çmimi i parë, ndaj jetën e kam prej Rustem Peçit. Edhe 50 mijëlekëshin ma dha J, që ishte shumëëëë për atë kohë. Më liroi një ditë para ushtrisë dhe që aty nisi jeta ime e re. Kështu që unë nuk ia harroj Rustem Peçit, se çfarë ka bërë për mua. Pastaj kam vazhduar shkollën e natës, pasi më kishin përjashtuar. Unë jam personi që kam rekord përjashtimesh, 7 herë, ndërsa më kanë ndaluar këngët. Këtë e ka thënë dhe dikur Edi Rama: Ça patët me Gjergj Lekën, që ia hoqët të gjitha këngët.

Cila ka qenë kënga jote e parë në Festival?

Tipat si unë me biografi të keqe nuk mund të kishin këngë, por ishin argatët e festivaleve. Në çdo festival kam bërë dëgjimet e këngëve, ndërkohë që gjysmat e këngëve i kam orkestruar unë. Dihej se kush do shkruante këngët, ishin të paracaktuar dhe me të drejtë. Se këngët kishin tematika Partie, kantieresh, u dashurova në punë etj., ndërkohë që unë ikja nga liqeni me femra. Plus që rrija larg, se tezja Zhuljana Jorganxhi ishte bërë shefe redaksie dhe mund ta merrja në qafë edhe atë. Jam i vetmi kompozitor, që përveçse atëherë kur isha 11 vjeç, më pas nuk kam bërë asnjë këngë për dashurinë në kantiere e hekurudha, apo për Partinë. Kam marrë Kadarenë, lirikat e Zhuljanës etj. Këngët i kam si fëmijët, i di të gjitha….

Po vjen shtatori, me çfarë projektesh artistike riktheheni?

Që nga 13 shtatori do të vij me emisionin në TVSH “Sot ofroj unë”. Një pikë të fortë të programit po e zbuloj: do të marrin pjesë të zhgënjyerit e talent shout, që janë bërë nëpër televizione të ndryshme. Janë ata që pretendojnë se janë hequr nga gara pa të drejtë dhe në programin tim do t’u ofrohet një mundësi e dytë që të tregojnë veten. Drejtori i TVSH-së, Martin Leka, më ka dhënë të gjitha hapësirat që të bëj një emision të pacensuruar. Kështu ka qenë pakti ynë që nga fillimi dhe e ka mbajtur fjalën, pasi kam shkuar në TVSH vetëm prej Martin Lekës.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura