Gjergj Bojaxhi, na çave kokën!

Jun 6, 2015 | 12:48
SHPËRNDAJE

ERMAL HASIMJA

   Rehati nuk është një situatë e mirë, por pajtim me situatën ku je. Ti Gjergj Bojaxhi dhe gjithë komplotistët e tjerë që janë me ty, na prishët rehatin, sepse tashmë ishim pajtuar me fatin tonë.
Së pari ti u prishe rehatin atyre që votonin për njërën parti, sepse tjetra ishte për ibret. Halli është se tani nuk votojnë dot të keqen më të vogël. Sepse kanë mundësi të votojnë për një zgjedhje reale. Dhe kjo do të thotë punë mendore e morale e papaguar shtesë.
Së dyti, siç e tha edhe Fevziu, u ke vënë njollë atyre që do të votojnë për kandidatët e partive, duke e ditur se do ta menderosin qytetin, siç e kanë bërë kryetarët e tyre. U ke vënë njollë në ndërgjegje, sepse tani nuk justifikohen dot se nuk kishin për kë të votonin. Kur njeriu zgjedh me vetëdije të keqen e vet, edhe kur nuk të bezdis moralin, të bezdis respektin për inteligjencën.

Meqë ti je çun i mirë, nuk ia pranove Fevziut se fajin e ka edhe shoqëria. Ja unë po bëj pak disidencë dhe po them hapur se FAJIN E KA shoqëria. Sepse çdo shoqëri ka qeverisjen që meriton. Sepse, po të jesh popull delesh, normal që do të marrin prej nesh qumështin, leshin, mishin, lëkurën dhe dinjitetin. Basti yt është që ndoshta nuk jemi popull delesh, por derisa të sqarohet kjo, është e sigurt se na ke bezdisur sa s’thuhet. E di cili është justifikimi i rastit që përdorin një pjesë e njerëzve tani: “Më pëlqen shumë, por nuk fiton”. E forta është se mund të jenë 50% e votuesve që mendojnë kështu. Por për një pjesë, e rëndësishme është të mund të votojnë prapë për partitë duke ruajtur ndërgjegjen e pastër. Me demek “po të kishte fituar, do ta kisha votuar edhe unë”. Sepse për një pjesë të votuesve që ti u ke prishur rehatin mizorisht, është më e pranueshme një e keqe e njohur, sesa një risi pozitive. Risia të çan kokën, të hap punë, të prish rutinën.

Ah, pa folur për ata, që nuk janë pak, që shesin votën. Deri tani e shisnin votën me qetësi dhe dashuri, sepse mes dy të këqijave zgjidhnin atë që të paktën jepte ndonjë lek. Sepse, në fakt, dallimi mes dy palëve përgjithësisht ky ka qenë: “ndonjë lek”. Kjo është logjikë e pastër. Por tani, ti ua prishe logjikën, sepse kur ka një opsion të tretë të hairit, ai që i shet 4 vite jetë për një thes miell, rezulton se ka nivelin e arsyetimit të deles.
Së treti, na çave kokën neve që e kishim ndarë mendjen se ky vend nuk bëhet më dhe edhe nëse nuk ikim vetë, duhet të bëjmë ca lekë e të dëbojmë fëmijët tanë në Perëndim. Na mërzite, sepse na prishe rehatin dhe planet. Na fute dyshimet se ndoshta kësaj here, ne të mërziturit jemi shumicë. Plus që sikur po mësoheshim me idenë se kjo është çështje fati dhe fati ynë është t’u shërbejmë këtyre që kemi mbi kokë.

More po ti ke bezdisur edhe mediat! Deri tani e justifikonin punën e tyre prej komentatori sportiv me faktin se “këto parti kemi, me këto do të merremi”. Po tani që ndryshon puna, jo vetëm që bëre të duken keq ata që mbyllin dyert me urdhra politikë, por edhe i bën të duken ca media si shërbyes të politikës (larg qoftë, se natyrisht nuk është fare e vërtetë). Dhe madje, rrezik ke prishur plot gazetarë të ndershëm me miqtë e tyre të pandershëm politikanë, sepse i ke detyruar të jenë me lirinë ose me partitë.
Sa njerëzve u ke prishur terezinë vetëm me firmat e kandidimit! Thoshin: ‘Votën ta jap se nuk më sheh njeri, por për firmën nuk ma mban vëlla se ma shohin në KQZ dhe më heqin nga puna”. Ti nuk e kupton, por u ke kujtuar njerëzve kohën e Enverit. Sepse njerëzit kujtonin se ishin të lirë, por tani ti u kujtove se nuk janë të lirë as të thonë se ua shpifi kjo politikë.
Përfytyro sikur të fitosh e të bëhesh kryetar bashkie! Tmerr! Pastaj do të bezdisësh të gjithë njerëzit e ndershëm e të informuar të vendit. Të gjithë ata që merren me punën e vet dhe nuk bezdisin njeri. Shkurt muhabeti, ti Gjergj Bojaxhi na çave kokën! Sa mirë ishim kur ishim keq.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura