GJeostrategjia e një protokolli

Sep 18, 2017 | 21:09
SHPËRNDAJE
SADRI RAMABAJA
845X486422546_sadri_ramabajalir Meta, për dy ditë rresht, gjatë 11 e 12 shtatorit, vizitoi Italinë. Kjo ishte vizita e parë e tij jashtë Atdheut, që kur mori postin e presidentit të Republikës, por që vorbullën e zhvillimeve politike në rajon, merr karakter orientues gjeostrategjik.
Kryetari i Republikës ishte në vizitë në Itali me ftesën e kryetarit të Republikës Italiane, Sergio Matarella. Përveç takimit kokë më kokë me homologun e tij, ai pati takime pune edhe me kryetaren e Dhomës së Deputetëve, Laura Boldrini dhe më pas edhe me presidentin e Senatit, Pietro Grasso. Vizita e parë jashtë vendit e presidentit të Republikës, gjithsesi ka edhe simbolikën e vetë për politikat që pretendon të ndjek ai shtet. Në rrafshin e interesave nacionale, pra jo vetëm shtetërore, Italia mbetet partneri me të cilin shqiptarët ndajnë, jo vetëm vlerat politike e kulturore, por edhe interesat strategjike.
Ilir Meta edhe në mileun politik evropian, pra edhe në atë italian, konsiderohet si politikani me përvojën më të gjatë institucionale në skenën politike shqiptare. Duke qenë njëri nga udhëheqësit që trashëgon përvojën politike dhe akademike, jo vetëm të prindit të tij, që njihej si një komisar politik besnik i partisë, por edhe atë të profesorëve të tij në lëmin e ekonomisë politike, Ilir Meta vije në majën e piramidës së pushtetit në moshë relativisht të re. Si pjesëmarrës i Lëvizjes studentore të Dhjetorit (1990), në cilësinë e të riut aktiv në radhët e Partisë Socialiste, ai që në moshën 23 vjeçe, do të zgjidhet deputet në Parlamentin e parë (1992), pas ndryshimeve të sistemit, respektivisht pas inaugurimit të demokracisë liberale.
Në moshën 30 vjeçe, Meta vije në postin e kryeministrit, duke u rikthyer në këtë pozicion edhe pasi kishte krijuar forcën e tij politike (LSI), pasi ishte fraksionuar nga Partia Socialiste. Ndërkaq në skenën politike shqiptare do të dominojë pastaj si figurë ekuilibruese e pushtetit, duke marrë në drejtim herë Politikën e jashtme e here atë të Ekonomisë e Financave.
Roli i tij do të jetë i ndjeshëm edhe në Kosovë dhe Maqedoni, qoftë gjatë periudhës së çlirimit të Kosovës dhe konfliktit të armatosur në Maqedoni, qoftë më pas në raportet mes elitës politike me interesa tejet kontraverze në Kosovë e fare pa përvojë në Maqedoni.
Duke i njohur mire interesat dhe përplasjet gjeostrategjike të superfuqive për rajonin, pretendimet e reja për rikthim të dominimit të Beogradit në rajon për mes të ashtuquajturit Proces të Berlinit dhe “krijesës së tij” – Zona e Integrimit Ekonomik, e veçanërisht tutorët ideologjik të kësaj krijese, vizita e presidentit të Republikës në Itali merr karakter historik.
Edhe në periudhat e kulmit të Luftës së Ftohtë, siguria e Shqipërisë paraqiste për Italinë një lloj sigurie të veçantë. Largimi i nëndetëseve ruse nga Limani i Vlorës (1962) tashmë është fakt historik, i mundësoi Italisë të marrë frymë fare lirshëm, ndërkaq ekonomisë italiane e me këtë edhe mirëqenies së popullit, rritë të konsoliduar për vite të tëra. Duket që mirëpritësit e presidentit shqiptar në Romë, tek ua potencoj sërish formulën e njohur se “Siguria e Shqipërisë është edhe siguria e Italisë”, nuk kishin si mos ta vlerësonin lartë kontributin e Shqipërisë në këtë konsolidim.
Në komunikimin e lirë me kryetarin e Republikës Italiane, Sergio Matarella, Meta i shprehu dëshirën e tij që vitin e ardhshëm të vizitojnë së bashku arbëreshët, atë degë përherë të blertë të trungut shqiptar. Kjo vizitë do të kishte karakter mirënjohës të dyfishtë, i tha Meta mirëpritësit të tij Matarella, e para, sepse ata janë qytetarë të denjë të Italisë, megjithëse mbesin shqiptarë të përkushtuar dhe tejet të interesuar për prosperitetin e Atdheut të të parëve të tyre, ndërkaq një arsye shtesë është fakti se, vitin 2018 e kemi vitin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Përmes këtij propozimi, Ilir Meta nga njëra ane na rikujtoi te gjithëve se, arbëreshët ishin ata që e ruajtën Skënderbeun dhe historinë e tij tek shqiptarët, por edhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve nëpërmjet Skënderbeut. Ndërkaq mirëpritësve u la të nënkuptojnë pa ekuivoke se, prioritet strategjik për Shqipërinë dhe shqiptarët është Perëndimi dhe jo Turqia.
Në përpjekjet e superfuqive në lindje dhe qendrave të vendosjes për rrafshim identitetesh nacionale, qoftë përmes ekonomisë (Zona e Integrimit Ekonomik), qoftë përmes marshit të neootomanizmit dhe Islamit politik, orientimet gjeostrategjike që do t’i kontribuonin ruajtjes së Sovraniteti të Shqipërisë dhe konsolidimit të Kombit, marrin vlera të shtuara historike. Shih për këtë, këtë vizitë duhet parë edhe nga ky këndvështrim interesash e orientimi gjeostrategjik.
Në këtë valë përplasje interesash, ku gjeopolitika ka rolin e vet, konsolidimi i demokracisë si rend kushtetues-juridik, në që të dy Republikat shqiptare (Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës), tok me Republikën e Maqedonisë, si sferë edhe e interesat nacional jetik shqiptar – është detyrë imediate e këtij brezi të politikanëve shqiptarë.
Ilir Metës historia i ka ofruar mundësinë që të jetë njëri nga ata, që do t’i jap orientimin e duhur gjeostrategjik Shtetit dhe Kombit shqiptar. Kjo vizitë e dëshmoi këtë. Një vizitë pasuese në Zvicër, prej nga Republika e Shqipërisë do të mund të merrte për model sistemin politik, duke e shtrirë atë tutje në Republikën e Kosovës dhe në Maqedoni, do të shënonte hapin e dytë drejt Federatës Shqiptare, e me këtë edhe konsolidimit të plotë të Kombit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura