Gjenocidi çam, Idrizi: Nuk lejojmë varreza të ushtarëve grekë në Shqipëri

Jun 26, 2016 | 8:51
SHPËRNDAJE

Në Kllogjer të Konispolit u përkujtua pasditen e së premtes 72-vjetori i gjenocidit grek mbi popullsinë e pafajshme të Çamërisë. Është bërë tashmë traditë që në këtë muaj të përkujtohet me dhimbje gjenocidi dhe terrori grek kundër popullsisë çame.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi

Në varrezat e Kllogjerit në fshatin Xarrë, PDIU dhe Shoqata Çamëria përkujtuan gratë, burrat dhe fëmijët që humbën jetën. Shumë çamë të ardhur nga Saranda, por edhe nga Vlora, Elbasani, Durrësi e Tirana, u mblodhën te Varri Monumental i Kllogjerit, ku fillimisht u vendosën kurora me lule në kujtim të martirëve të gjenocidit.

Të pranishëm në këtë përkujtim ishin kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kryetari i Shoqatës Çamëria, Abaz Hado, deputetët e PDIU-së, Mesila Doda, Tahir Muhedini, Aqif Rakipi, Omer Mamo dhe mijëra shqiptarë të tjerë të cilët kanë bërë homazhe në varrezat e Kllogjerit.

Pas homazheve, nga podiumi i ngritur enkas për këtë datë përkujtimore, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi në fjalën e tij tha se po përmbushet simbolikisht dëshira atyre që pritën në diell për t’u kthyer në Çamëri.

“Kjo varrezë ka brenda mesazhin e përjetë- sisë, por jo vetëm. Ajo flet shumë me të gjallët që kalojnë kufirin në të dy drejtimet. Grekëve u kujton sa herë që hyjnë në tokën tonë, se çfarë krimesh kanë bërë paraardhësit e tyre dhe pse duhet të na kërkojnë falje. Shqiptarëve u kujton amanetin e atyre që gjinden këtu.

E donim Shqipërinë, ndaj na përzunë”, tha Shpëtim Idrizi. Nga Kllogjeri, kreu i PDIUsë theksoi se nuk do të ketë varreza greke në Shqipëri, nëse nuk nderohen viktimat e gjenocidit grek. Gjithashtu ai kërkoi ngritjen e një monumenti në kujtim të të pafajshmëve që humbën jetën.

“Ju lutem, mundësisht na varrosni aty ku kemi lindur. Ndaj ne sot i themi qeverisë shqiptare dhe qeverisë greke: Nderimi për të vdekurit duhet të jetë njëlloj, pavarësisht se ne e dimë shumë mirë që këta fëmijë, gra e burra, ishin trëndafilat e Çamërisë, kurse ushtarët grekë ishin pushtues.

Nuk mund të ketë varreza greke në tokën tonë, nëse nuk nderohen viktimat e gjenocidit grek në vatrat e tyre amtare! Ne duam minimalisht një monument për viktimat e pafajshme.

Midis tyre ka shumë foshnja, të cilat sot nëse do të ishin gjallë, do të ishin në moshën e babait tim. Me siguri dhe ato do të donin të ishin këtu bashkë me ne sot dhe t’ju tregonim rrugën për në Çamëri.

Por fatkeqësisht nuk është e mundur, se ju u pretë jetën në mes, e ne do t’i përjetësojmë në këtë monument, i cili është monumenti i kujtesës”, tha Idrizi.

SHPRESA DINE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura