Gjenetika “pajton” Davidin me Goliatin

Mar 22, 2018 | 11:23
SHPËRNDAJE

Prof. dr. Myftar BarbullushiPROF. DR. MYFTAR BARBULLUSHI

Kohë kritike për ushtrinë izraelite të udhëhequr nga Sauli; ushtria e filistinëve duket më e favorizuar, pasi në krye të saj është Goliati gjigand, tri metra i gjatë, i armatosur gjer në dhëmbë, ku vetëm mburoja peshonte 20 kilogramë. Çdo ditë, për dyzet ditë rresht, Goliati sfidonte kundërshtarët duke kërkuar një duel mes tij dhe më të mirit të tyre për të vendosur fatin e luftës.

Asnjë nuk guxonte ta pranonte sfidën. Rastësisht, një djalë i ri, gati fëmijë, që babai e kishte dërguar t’i sillte ushqimin vëllezërve më të mëdhenj që luftonin në ushtrinë e Saulit, dëgjon sfidën provokative të Goliatit dhe i revoltuar insiston të ndeshet me të. Davidi është i bindur se Perëndia, e cila e ka mbrojtur në përballjet e tij me arinj dhe luanë, që sulmonin kopenë, që ai kulloste, do ta mbronte edhe nga Goliati. I befasuar nga insistimi dhe nga guximi i të riut, Sauli detyrohet që së bashku me bekimin t’i japë atij dhe një përkrenare prej bronzi, një parzmore dhe një shpatë.

Por Davidi i refuzon ato dhe pasi merr nga një përrua pesë gurë të lëmuar, me llastiqet në dorë, niset drejt Goliatit, të cilin e godet befasisht me një gurë mu në mes të ballit. Goliati bije përmbys, me fytyrën në tokë. Koka e prerë e Goliatit dërgohet me triumf në Jerusalem, duke i dhënë kështu fund betejave të përgjakshme të izraelitëve me filistinët, që do të shënjonin historinë e shekujve të 12 dhe 11 para Krishtit.

Sipas historianëve më të famshëm të Biblës, pas asaj beteje të kobshme, filistinët, anëtarët e këtij populli të vjetër në jug të Palestinës, armiqtë më të mëdhenj të popullit hebre, do të zhdukeshin nga faqja e dheut. Por, ndryshe nga Bibla, studimet me izotope radioaktive dhe ato gjenetike, të bazuara në ADN-në moderne dhe atë të lashtë, kohët e fundit kanë zbuluar se filistinët, kjo konfederatë piratësh, plaçkitës endacakë nga Anadolli, të njohur kolektivisht si “Popujt e Deteve”, nuk u zhdukën aspak, sikurse thonë librat e historisë, por, përkundrazi, u vendosën përfundimisht në Kanaan (midis Tel Avivit dhe Gaz-ës) ku u përzien dhe u “shkrinë” me vendasit duke u dhënë jetë pasardhësve hebrenj dhe palestinezë.

Ngjashmëria gjenetike e filistinëve me hebrenjtë dhe palestinezët, mbështet bindshëm lidhjen e tyre në shekuj. Pikërisht në një studim të kohëve të fundit të 1371 burrave nga e gjithë bota, gjenetisti Michael Hammer i Universitetit të Arizonës në Tucson zbuloi se kromozomi Y te arabët e Lindjes së Mesme është thuajse i padallueshëm nga ai i hebrenjve. Rezultatet e studimit konvergojnë edhe me bindjet historike që arabët myslimanë rrjedhin nga “banorët lokalë”, kryesisht të krishterë dhe hebrenj, që dikur jetonin në Levantin jugor, një rajon që përfshin Izraelin dhe Sinain e sotëm dhe që më pas u konvertuan në myslimanë pas pushtimit islamik në shekullin e shtatë. E intriguar nga ngjashmëritë gjenetike midis dy popujve, gjenetistja Ariella Oppenheim e Universitetit Hebre në Jerusalem, e cila ishte pjesëmarrëse edhe në studimin e më- parshëm, u përqendrua tek një grup meshkujsh arabë dhe hebrenj.

Ekipi i saj shqyrtoi kromozomet Y të 120 hebrenjve Ashkenazi dhe Sefardikë dhe të 150 arabëve të Izraelit dhe Palestinës, duke evidentuar të dhëna sa befasuese aq dhe interesante. 70% e hebrenjve dhe 50% e arabëve kishin paraardhës të përbashkët që kishin jetuar prej mijëra vitesh në Lindjen e Mesme, duke rikonfirmuar kështu afërsinë e madhe gjenetike të hebrenjve jo vetëm me palestinezët, por edhe me popujt e tjerë të Lindjes së Mesme, përfshirë turqit, libanezët, egjiptianët, armenët dhe iranianët. Që të dy popujt, hebrenjtë dhe palestinezët, të cilët sot fatkeqësisht janë kundërshtarë të ashpër të njëri-tjetrit, insistojnë autorët e studimit, e kanë origjinën nga kanaanitët e lashtë, egjiptianët, popujt mesopotamianë dhe anatolianë të përzierë me njëri-tjetrin që në kohët e lashta. Kështu, rivaliteti palestinez me atë hebre bazohet vetëm në dallime kulturore dhe fetare, por jo në dallime gjenetike.

Hebrenjtë dhe arabët janë të gjithë fëmijë të Shtëpisë së Abrahamit. Ata i kanë ruajtur rrënjët gjenetike të Lindjes së Mesme për 4000 vjet, shkon akoma me tej Harry Ostrer, drejtor i Programit të Gjenetikës në Universitetin Mjekësor të Nju Jorkut. Për sa kohë që mbi origjinën e popujve nuk ekziston asnjë qasje shkencore më e saktë se gjenetika, sidomos kur ajo është në harmoni me arkeologjinë apo provat gjuhësore, mund të mendohet se në origjinën e popujve të Lindjes se Mesme, përfshirë hebrenjtë dhe palestinezët, qëndrojnë edhe dy “gjyshërit” e hershëm të tyre, Davidi dhe Goliati, të cilët tashmë të “pajtuar”, mund të ofrohen si një mesazh për të ardhmen e dy popujve në luftë me njëri-tjetrin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura