Gjenerali Syrja Gjoka, merr pafajësinë e dytë

Aug 3, 2015 | 12:25
SHPËRNDAJE

Gjeneral brigade Syrja Gjoka fiton edhe një betejë tjetër ligjore me Ministrinë e Mbrojtjes, pas pafajësisë që mori në Gjykatën e Beratit në lidhje me akuzat që shkaktuan arrestimin e tij në vitin 2014. Pak ditë më parë, Gjykata e Beratit ka shpallur të pafajshëm shtetasin Syrja Gjoka, me gradën gjeneral-brigade, i akuzuar nga Prokuroria e Beratit për veprat penale “të shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve” në kohën kur ka qenë ish-komandant i bazës ushtarake ajrore në Kuçovë.

Syrja Gjoka
Syrja Gjoka

Për këto akuza, për të cilat Gjykata e shpalli gjeneralin të pafajshëm, ai u arrestua me bujë të madhe në datën 16 maj 2014. Gjykata dha pafajësi, edhe pse në konkluzionet e saj Prokuroria e Beratit kërkoi shpalljen fajtor të tij dhe dënimin me 4 vjet e 6 muaj burgim. Gjeneral brigade Syrja Gjoka, ndërkohë që i nënshtrohet procesit të hetimit e gjykimit në Berat, ishte paditur në një çështje të dytë në Tiranë. Pikërisht për këtë çështje, ku gjenerali akuzohej nga Ministria e Mbrojtjes për dy vepra penale, Syrja Gjoka ka fituar betejën ligjore. Prokuroria ka vendosur mosfillimin e hetimeve ndaj gjeneralit me argumentin se ai nuk ka kryer asnjë vepër penale, ndërsa vendimi i Prokurorisë është lënë në fuqi edhe nga Gjykata.

FITORJA E DYTË
Ministria Mbrojtjes ka bërë kallëzim penal në ngarkim të oficerit madhor gjeneral brigade Syrja Gjoka, për veprën penale të “Rekrutim i paligjshëm” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Kallëzimi penal është ushtruar në datën 5 qershor 2014 dhe është regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, me nr. 03, datë 19.06.2014. Pas regjistrimit të kallëzimit, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me datë 15.07.2014, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin nr. 03, për shkak se fakti i kallëzuar nuk përbën vepër penale.

Prokuroria, në datën 22.09.2014, me anë të shërbimit postar ka vënë në dijeni Ministrinë e Mbrojtjes për vendimin e mosfillimit të procedimit penal. Kundër vendimit të mosfillimit, Ministria e Mbrojtjes ka bërë ankim te Prokurori i Përgjithshëm, i cili i ka kthyer përgjigje me shkresën nr. 1917/5 prot. datë 15.01.2015 dhe pas kësaj përgjigjeje, Ministria e Mbrojtjes ka paraqitur ankimin kundër vendimit të Prokurorit me datë 22.01.2015 nëpërmjet shërbimit postar në Gjykatën e Tiranës. Sipas Gjykatës, ankimi i Ministrisë së Mbrojtjes nuk mund të pranohet pasi është bërë duke kaluar afatet ligjore të paraqitjes së kërkesës. Për këtë arsye, vendimi i Prokurorisë së Tiranës për mosfillimin e hetimeve ndaj gjeneralit është lënë në fuqi nga ana e Gjykatës së Tiranës pak kohë më parë.

AKUZAT
Gjeneral brigade Syrja Gjoka, i cili tashmë ka fituar betejat ligjore me Ministrinë e Mbrojtjes, u largua nga detyra në maj të vitit 2014. Arrestimi i tij u filmua dhe u publikua në media në lidhje me akuzat për abuzime në bazën e Kuçovës në Berat. Hetimi ka nisur pas materialit referues të Policisë Ushtarake në muajin nëntor të vitit 2013.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Prokuroria e Beratit ka krijuar dyshime se Gjoka ka falsifikuar nënshkrimin e dy personave në një procesverbal për prishje objektesh në inventarin e bazës ajrore Kuçovë. Prokuroria pretendoi se nga veprimet e tij për prishjen e disa objekteve, i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë të konsiderueshme. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Gjykata e Beratit më 21 korrik 2015, duke shpallur të pafajshëm gjeneral brigade Syrja Gjokën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura