Gjenerali Nehat Kulla “heq dorë” nga liria, flet avokati : Kërkesa për lirim do të bëhet….

Oct 11, 2018 | 11:38
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ I ashtuquajturi “Gjenerali”, i cili në vitin e mbrapshtë 1997 krijoi një “komisariat” policie në zonën e “Kinostudios”, ka hequr dorë nga kërkesa për lirim me kusht. Dorëheqja vjen në një moment kur shqyrtimi gjyqësor ishte drejt përfundimit në Gjykatën e Krujës.

kerkesa

Kulla është dënuar me 20 vjet burg për vrasjen me paramendim të shtetasit Halim Gjuzi, ish-shoferi i ish-zv/ ministrit të Arsimit, Halit Shamata. Kulla, i cili sipas llogarive ka kryer 19 vjet burgim, i ka mbetur më pak se një vit, pasi ka përfituar disa herë ulje dënimi. Mirëpo, në një moment kur çështja ishte drejt fundit, vjen edhe kërkesa për dorëheqje. Ajo është depozituar në Gjykatë nga avokati i tij, Detar Hysi dhe më pas, gjyqtarja Engjëllushe Tahiraj ka vendosur pushimin e çështjes. Kujtojmë se më 29 qershor 2018, Nehat Kulla iu drejtua Gjykatës për lirim me kusht. Gjendja shëndetësore ishte një nga argumentet e Kullës për lirinë.

kerkesa1

Përveç gjendjes shëndetësore të Kullës, avokati pati renditur në kërkesë edhe lejet shpërblyese 5-ditore dhe 7-ditore, të cilat në total janë tetë, ku Nehat Kulla i kishte respektuar me korrektësi. Gjithashtu, Kulla ka pasur edhe referen ca pozitive nga Burgu i Fushë-Krujës për sjellje shumë të mirë në këtë institucion të vuajtjes së dënimit. Kujtojmë se Kulla qëndron në burg që nga viti 2005 dhe me gjithë uljet e dënimeve që ka marrë ndër vite, i ka mbetur edhe 1 vit për të kryer burg. Avokati i Nehat Kullës, Detar Hysi, argumentonte në Gjykatë se “gjenerali” ka kryer 19 vjet e 1 muaj burgim që nga viti 2005. Kjo do të thotë se gjatë këtyre viteve ai ka përfituar një ulje dënimi prej 5 vjetësh dhe për një vit i përfundonte dënimi.

AVOKATI: KËRKESËN PËR LIRIM, NË NJË MOMENT TJETËR

Avokati Detar Hysi, i kontaktuar nga “Panorama”, konfirmoi kërkesën për tërheqje nga lirimi me kusht i klientit të tij, Nehat Kulla. Ai nuk dha shumë detaje për këtë vendim, por theksoi se mund të depozitohej një kërkesë tjetër në një moment të dytë. Ndërkohë, Kulla ka pasur kërkesa të panumërta për ulje dënimi në Gjykatën e Krujës. Ato datojnë që para vitit 2011 dhe deri një vit më parë. Pjesa më e madhe e tyre janë pranuar nga gjyqtarët edhe pas rekomandimeve pozitive nga Burgu i Fushë-Krujës. Vetëm tre të tilla janë refuzuar.

 

***

Tërhiqet nga kërkesa për liri/ Kush është “Gjenerali” Nehat Kulla, historia e bandës që bënte ligjin në Tiranë dhe foto me Fatos Nanon nga burgu

Banda e Nehat Kullës

BandaKulla

Banda e Nehat Kullës ishte një grup kriminal që veproi në fshatin Tufinë të Tiranës në vitet 1997-1998.

Aktiviteti i bandës

Banda u krijua gjatë trazirave të vitit 1997. Në këtë situatë ai së bashku me familjarë e miq të tij mban të paprekur repartin “xhenios”, ndër të vetmit të padëmtuar gjatë sulmeve të popullsisë. Kulla, së bashku me të ashtuquajturit ushtarë të tij, e mban repartin nën kontroll për disa kohë, duke i vënë vetës edhe nofkën gjenerali, emër të cilin ia pagëzuan të gjithë banorët e zonës për të cilët ai ishte njeriu më me influencë. Madje, gjatë vitit 1997, kur shteti kishte humbur kuptimin e vet, ai arrin të krijojë një komisariat të mirëfilltë policie, ku u garantonte banorëve të Kinostudios dhe Tufinës qetësinë, duke mos lejuar asnjëri të futej në hartën e vendit ku ai kishte ndikimin e tij. Banda e tij kreu shumë vrasje dhe krime të tjera të frikshme.

Nofka “Gjenerali”

ChevroletUshtarak-300x225

Nehat Kulla, ish-i forti i Tiranës në vitin e mbrapshtë 1997, do të vetëquhej Gjenerali pasi kishte grabitur një kamionçinë ushtarake tip Shevrolet (Chevrolet) me targa ushtrie dhe sinjale policie dhe mbante veshur uniformë ushtarake. Të paktën, atë kohë, i vetmi mjet i tillë që ndodhej në Shqipëri i përkiste Kullës, i cili madje ka pozuar për mediat me uniformë dhe kallashnikov në dorë. Ai shoqërohej gjithmonë nga një eskortë e armatosur me automatikë dhe vetë asnjëherë nuk e lëshonte automatikun nga dora.

Marrëdhëniet me politikën

NanoKulla-300x180

Kundërshtarët politikë të Fatos Nanos publikuan një foto të tij në burg me Nehat Kullën, duke deklaruar se Nano kishte lidhje me kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Arrestimet dhe daljet e shumta nga burgu të Kullës i shtuan dyshimet për lidhje të ngushta të tij me politikën.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura