“Gjenerali” i policisë së tradhtuar

Oct 30, 2018 | 12:30
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI/ 2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-ViewerNë përpjekje për të mbajtur në këmbë imazhin e dërrmuar nga denoncimet tronditëse të muajve të fundit të opozitës dhe për të shpëtuar fatin e tij, Rama ka nga nxjerrë nga fondi i njerëzve fanatikë të tij një ish-gjeneral, tani në rezervë.

Provë e fortë kjo se sa pak rëndësi ka karriera politike në një forcë politike, e cila prej vitesh trajtohet me shumë si pronë private, sesa si aset publik. Më shumë se kaq, thirrja “nën armë” e një rezervisti, demonstron implikimin e lartë kriminal të figurave të rëndësishme politike të së majtës sa askush nuk është i denjë së paku formalisht

Njëkohësisht, vendosja e një ushtaraku në krye të Policisë është tregues instiktiv i gjendjes së jashtëzakonshme kriminale të dalë duarsh, në të cilin është zhytur e majta, tanimë të pranuar me këtë emërim dhe de jure nga ajo. Dy ministra të Brendshëm që u rrëzuan në një kohë relativisht të shkurtër me implikime spektakolare kriminale rrëzuan në tokë moralin e Policisë e janë një gropë thithëse shumë e madhe për qeverinë.

Duket e vështirë që ish-gjeneral Lleshi t’ia dalë të ndalë rrokopujën. Për më tepër, përtej CV-së së mbushur me kurse, një trupë policore, me shumë se për një uniformë të konvertuar nga jeshile në blu, ka nevojë për besim e vullnet politik.

Gjenerali nuk vlen me dijen e tij të artit ushtarak, me një trupë Policie tashmë të demoralizuar e të tradhtuar prej vitesh.

Policia, pavarësisht individëve me vlera brenda saj, ka përjetuar tronditje dhe ka marrë goditje që e kanë dekurajuar dhe e kanë zhvendosur nga qendra e funksionit themelor. Pjesa më e aftë e saj u asgjësua ose u degdis. Drejtues të saj, të katapultuar nga politika, kanë rezultuar të implikuar rëndë në trafiqe lëndësh narkotike e ngjarje të tjera, që kanë zbehur peshën e uniformës dhe kanë shtangur vetëveprimin brenda saj.

Të tjerë me kurajë janë goditur herë pas herë me shkarkime e transferime nga politika e ditës dhe nga krimi me fuqi politike e tagër vendimmarrës.

Në publik, Policia perceptohet më shumë si sinonim i gjobës, i shembjes, goditjes së pambrojturit dhe protektore e së keqes, e rrugës e bandave dhe shërbyese deri në lëpirje e skllavërim, e politikës sipas motos “hidhni kapelet e votoni PS”.

Polici i zakonshëm u shndërrua në një roje parcele droge, shefi i tij u bë aksioner hashashi, drejtuesit e lartë dolën të investuar nga fitimet marramendëse të industrisë së narkotikëve.

Polici i pakompromis gjendet kurdoherë i kërcënuar me pistoletë në kokë kur kërkon të bëjë detyrën përtej vijës së kuqe që i ka vendosur politika. Policinë e kanë detyruar dhe e kanë marrë zvarrë të degradohet deri këtu.

E kanë lëshuar dhe si qen lufte, që të godasë gra e fëmijë në protesta krejtësisht legjitime, vetëm e vetëm për hir të politikës.

Në shumë raste, ajo ka kapitulluar para forcës së bandave, duke i qëndruar madje dhe gatitu. Denoncimet e Zaganit, Nuhut, vrasja e drejtuesve të lartë të braktisur nga shteti, siç ishte rasti i Cukut, dekonspirimi i aksioneve te saj, janë më tipiket e mbylljes së Policisë në vathën e krimit nga politika.

Shumë e shumë të tjera nuk dalin në sipërfaqe se marrin në qafë familje e karriera të investuara që flenë e presin situata me oportune për t’u shfaqur. Gjenerali me uniformën e tij të marrë në dollapin e radhës nuk mjafton.

Ai nuk mund të frymëzojë dot policin, i cili ndjek trafikantin që ulet, drekon, qesh e luan me politikanin e lartë. Nuk mund të bindë Policin të godasë sponsorizuesin e fushatave të partisë-shtet. E as mund të ndalë paranë e pistë ta implikojë e ta korruptojë atë, kur ai prek e sheh çdo ditë se ç’bëhet “atje lart”. Nuk mund ta bëjë sepse çelësi nuk gjendet në xhepin e uniformës së tij, por në zyrat “e bëra pis me bashkëpunime”, ku deri tani ai ka këshilluar. Ka këshilluar pa e dëgjuar kush, për sigurinë kombëtare, për krimin e drogën në rastin më të mirë. E në rastin më të keq, nuk ka dhënë asnjë këshillë siç faktohet, por ka parë nga afër se si është shkërmoqur vullneti politik për të përballuar situatat banditeske e ka dëgjuar live “shqelmin” e organizatave tek hapnin dyert e pushtetit, të cilat i konsiderojnë me kohë si të vetat.

Aq më tepër, këtë nuk mund ta bëjë një gjeneral, “koloneli Z” (V) i të cilit ka “përdhunuar” dhe fabrikuar faktet e një ngjarjeje të rëndë kriminale dhe është mbyllur i gjallë në thesin e politikës dhe për të cilin mjafton një goditje me këmbë qorrazi për ta hedhur në lumin e radhës. Gjenerali mund të shtyjë me artin e tij agoninë e qeverisjes së Ramës me parulla ndërkombëtare, por nuk mund të gjenerojë vullnetin e munguar të politikës për të përballur krimin. Nuk mundet, jo se nuk mund të dijë, por sepse nuk mundet të shkëpusë kauzën politike që Rama ia ka dhënë tashmë krimit dhe ai nuk mund t’ia imponojë Policisë kauzën e ushtarakut, vetëm e vetëm se vetë ka qenë dikur i tillë. Është iluzion politik dhe dështim i paralajmëruar Policia kërkon të pajiset me vullnet e besim politik pikësëpari.

Kësisoj, Lleshi nuk mund të shpëtojë dot nderin e humbur të Rilindjes dhe nuk mund t’i kthejë qetësinë kryeministrore me mungesën e tij personale të rivalitetit politik, meqenëse është thjeshtë jashtë grupimeve, Ramës. Shkëlqimi i vetëm i gjeneralit në rezervë mbetet uniforma. Të gjithë të tjerat, janë ato ç’kanë mbetur nga rënia e kallajit qeverisës, për shkak të tradhtisë që i kanë bërë tashmë Policisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura