“Gjenerali…’ i Kadaresë, u shit për 30 minuta në Vlorë dhe komunistët kërkuan në mbledhje arrestimin e autorit, kurse kryetari i Degës…”/ Kujtimet e publicistit të njohur nga Franca

Sep 26, 2022 | 20:07
SHPËRNDAJE

Nga Vasil Qesari

Capture

Pjesa e gjashtëmbëdhjetë

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet.

Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?

Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!

Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.  Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes!

Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

FENOMENI’ ISMAIL KADARE

A kishte qenë Ismail Kadare disident…? A përbën vallë ai, rastin e një përjashtimi të jashtëzakonshëm, në rrethanat e mungesës së një disidence të vërtetë në Shqipëri? Në të kundërtën, në mos disident klasik i kalibrit Havel, Solxhenicin etj., a ishte ai, fillimisht, një shkrimtar zyrtar e, pastaj, me kalimin e viteve, thyerës rregullash i realizmit socialist, anti konformist, rezistent i heshturkundërshtar i fshehtë i regjimit e, në fund, veprimtar i vendosur kundër tiranisë…?

E, në se përgjigja e pyetjeve të mësipërme është: Po !, cila do të qe skema e evolucionit të personalitetit e veprës së tij letrare në rrjedhën e jetës totalitare shqiptare, nga fillimi i viteve ’60-të e gjer në fund të viteve ’80-të? Nga ana tjetër, po qe se do përpiqeshim të ndërtonim skemën e një rruge dhe evolucioni të tillë, a do të mund ta përkufizonim plotësisht e saktë, pozicionin e rolin e krijimtarisë së tij në vite? (Për vetë faktin se, angazhimi, evolucioni e kompleksiteti i botës e veprës së një shkrimtari, në kushtet e shoqërisë totalitare, është një proces i ndërlikuar, kompleks, i paimagjinueshëm dhe thellësisht misterioz).

Sipas mendimit tim, them se, skema, e cila do të karakterizonte e shënonte trasenë e rrugës së përshkruar prej Ismail Kadaresë në atë periudhë, ka pasur pak a shumë, një progresion të tillë: thyerës rregullash – anti konformist – rezistent i heshtur – kundërshtar i fshehtë i regjimit – rival i diktaturës…! Lidhur me objektivitetin e vërtetësinë e skemës së mësipërme, si edhe me shumë pyetje, hamendje e supozime rreth pozicionit e rolit të Ismail Kadaresë, si shkrimtar e intelektual gjatë epokës totalitare, janë shprehur e vazhdojnë të shprehen mendime, ide e gjykime nga më të ndryshmet. Madje, edhe sot e kësaj dite, në botimet, shtypin e mediat shqiptare e të huaja, vazhdojnë të shkruhen e të shprehen opinione, komente e konsiderata nga më kontradiktoret. Herë, plot simpati e super vlerësime, e herë me sarkazëm, mllefe e urrejtje të thellë.

Gjykime të tilla, shpesh janë aq ekstreme, sa që disa arrijnë ta cilësojnë atë si rapsod të Enver Hoxhës, këngëtar të regjimit e, ca të tjerë, e akuzojnë bile edhe si bashkëpunëtor të zellshëm të diktaturës e jetëgjatës së saj. Të tjerë, të cilët përfaqësojnë edhe shumicën dërmuese të opinionit, e cilësojnë atë, përveçse kundërshtar të realizmit socialist edhe shkrimtar gjenial, i cili me veprën e tij letrare u bë Simbol i Shpresës, Gardian i Memories, Denonciator i Diktaturës, Rival i Totalitarizmit etj. Në përgjithësi, tymnaja rreth rolit, figurës e pozicionit të tij, sipas vetë Kadaresë, është përhapur prej një kategorie të caktuar njerëzish, të cilët, gjatë epokës totalitare bënin sehir e s’thoshin as gjysmë fjale për dënimin e padrejtësive e krimeve. Prej, atyre që nxirrnin revolverët e godisnin pa mëshirë kundër disa njerëzve të guximshëm të kulturës, e së fundi, prej një kategorie pseudo-artistësh që nuk kanë absolutisht të drejtën morale të japin leksione, sepse kanë qenë pjesëmarrës në krime ose vëzhgues entuziastë e lavdërues të tyre. Përfundimisht, përgjigja definitive dhe tronditëse e shkrimtarit rreth këtij problemi, është kjo:

Të qëndrosh ulur në lozhë, duke parë se si njerëzit përleshen e përgjaken në arenë, duke u ndeshur me bishat e, pastaj, t’i gjykosh ata që nga lart, përse dikush prej tyre nuk u tregua aq trim sa duhej përballë tigrit, e pse një tjetër, bile, i bëri bisht atij, duke zbatuar një taktikë jo edhe aq korrekte, kjo është çnjerëzore! Nuk ka asgjë për t’u ekzagjeruar por, fakti është se, ne ndodheshim pikërisht në kondita të tilla. Të izoluar, në një arenë plot njolla gjaku, duke mos ditur se nga cila portë, bisha e egërsuar do të na sulmonte, ndërkohë që pjesa më e madhe e spektatorëve, kur vinte çasti i rrëzimit të viktimës, kërkonin sipas gjestit që bënte tirani, me gishtin të drejtuar drejt nesh, vdekjen tonë. Ja, pra, një konstatim makabër e rrëqethës, i cili, ndofta, i jep përgjigje të plotë definicionit tragjik të rolit e pozicionit të tij (të vetmuar), në arenën e përgjakur të tmerrit, frikës, shtypjes dhe vetë jetës totalitare. Megjithatë, le të vijmë përsëri tek pyetja e kreut, me të cilën nisëm edhe refleksionin në fjalë:

A ishte Ismail Kadareja, disident…?!

Në kushtet specifike të diktaturës staliniste shqiptare, sipas mendimit tim, edhe pse Kadareja përshkoi një itinerar krejt të veçantë e të rrezikshëm, (në shtigjet e ngushta e humnerat danteske të jetës së atëhershme totalitare), ai nuk mund të cilësohet disident i një disidence inegzistente. Por, nga ana tjetër, mendojmë se, me plotësisht të drejtë, ai meriton të konsiderohet si një fenomen krejt i veçantë, në historinë e rezistencës kulturore e artistike të ish-vendeve komuniste të Lindjes. Dikush mund të thotë: Por, si shumë shkrimtarë të atyre vendeve, ai pse s’reagoi…?! Le ta shqyrtojmë edhe këtë gjë: Në se, bie fjala, në vitet ’60-të a ’70-të, Ismail Kadareja do kish tentuar të publikonte jashtë vendit një libër kundër diktaturës (ashtu siç vepruan disa shkrimtarë të vendeve ish-komuniste të Lindjes), pa dyshim që fati i jetës dhe krijimtarisë së tij, do të kishin qenë krejtësisht të ndryshëm. Mbas një aluzioni të tillë, me të drejtë, mund të shtrojmë gjykimin: Ç’përfitim e ç’ndryshim do pësonte Shqipëria nga një veprim i tillë ? Sigurisht asgjë…!

Sepse, së pariaso kohe, Kadareja qe fare pak i njohur, (për të mos thënë i panjohur), jashtë vendit. Së dyti, sepse borgjezia ndërkombëtare mbante një heshtje të plotë e të çuditshme, duke e injoruar prej kohësh fatin e shqiptarëve nënë diktaturën staliniste. Ndërkohë që mbështeste me të gjithë mjetet e mënyrat, lëvizjet disidente në vende të tjerë komunistë si, në Bashkimin Sovjetik, Hungari, Çekosllovaki, Poloni, Gjermani Lindore etj. Së treti, në kushtet e izolimit dhe bunkerizimit të Shqipërisë, si edhe të entuziazmit irracional të turmave të dehura nga fjalimet e Enver Hoxhës, tentativat për të shkruar vepra të mirëfillta disidente, do të nxisnin edhe më tepër histerinë e dhunës në vend, duke mos ndryshuar e ndikuar asnjë grimë, në jetën e atij cepi të harruar të Ballkanit. Përfundimisht, në se Kadareja do ta kish kryer një akt të tillë heroik, Shqipëria s’do të kish pasur veçse një të pushkatuar apo të burgosur më tepër në burgjet e saj. Përfundimisht, në se Kadareja do ta kish kryer një akt të tillë heroik, Shqipëria s’do të kish pasur veçse një të pushkatuar apo të burgosur më tepër në burgjet e saj. (Një fare Ismail Kadare, shkrimtar i ri dhe i talentuar, i cili kish shkruar dikur një roman interesant, të titulluar: ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’?!).

Po, kurën e kurës, një shkrimtar të shquar, duke humbur kështu, përgjithmonë, shansin e trashëgimit të një vepre gjigante e me vlera kombëtare. Për rrjedhojë, me humbjen fizike apo shkatërrimin e intelektit të një shkrimtari të tillë, ne s’do të kishim sot, atë thesar të çmuar veprash: romanesh, novelash, poezish, esesh etj, që janë jo vetëm krenaria e kulturës shqiptare, por edhe e asaj europiane. Kadareja, vërtet, nuk mund të konsiderohet disident, (për nga autorësia e veprave të mirëfillta antikomuniste, hartimi i manifesteve e trakteve kundër Partisë e shtetit totalitar, vuajtjet e torturat nëpër burgje etj.), por megjithatë, them se, përveçse krijues i një universi të rrallë letrar, ai është e mbetet edhe një atdhetar, humanist e demokrat i shquar, i cili, me mesazhet e veprës së tij, për dekada vitesh me radhë e në kushtet e një diktature të pashembullt, direkt apo indirekt, ndikoi në shumë aspekte të jetës, kulturës dhe identitetit shpirtëror të shoqërisë e sidomos të rinisë shqiptare.

(Ndër të tjera e mbi të gjitha, në mbajtjen gjallë të identitetit tonë europian përkundrejt eksperimenteve shpërfytyruese të ideologjive totalitare lindore si edhe në ruajtjen e Shpresës e mposhtjen e Dëshpërimit fatal kolektiv. Në frymëzimin e Rezistencës ndaj Territ e Dhunës. Rrjedhimisht edhe në zbehjen e Frikës e nxitjen e Guximit për veprim). Qenë pikërisht këto arsyet, pse ndër të tjera, gjatë lëvizjes studentore e demonstratave të mëdha antikomuniste të viteve 1990-1991, njerëzit mbanin në duar edhe portretet e Fan S. Nolit, Ismail Kadaresë e Rexhep Qoses, si simbole të evropianizimit, humanizmit, civilizimit, demokracisë e kulturës sonë të vërtetë kombëtare. Për karaktere e krijimtari me përmasa të tilla, siç është ajo e Ismail Kadaresë, krahas studiuesve e kritikëve letrare të çdo lloji, është e natyrshme të reflektojnë edhe mbarë shoqëria shqiptare e, bashkë me të, edhe individi e lexuesi i thjeshtë. Ai, që në mënyrë diskrete, të largët e pasiononte, në rrjedhën e viteve të zymta të jetës totalitare e përjetoi fenomenin Kadare, si pjesë të pa ndarë të kujtimeve, shpirtit, emocioneve, emancipimit e formimit të tij kulturor. Si pikë referimi të Shpresës se, do vinte një ditë që, Liria dhe e Vërteta, do të bëheshin vërtet realitet.

Janar 1970

Njohja nga afër me Ismail Kadarenë, për studentët e vitit të fundit të degës Gjuhë – Letërsi, në fakultetin Filologjik në Tiranë, ishte një rast i këndshëm e krejt i papritur. Për shumë prej nesh, ajo ndodhte në një situatë krejt të veçantë e tepër depresive. Qe koha kur, përvoja, metodat e stili i revolucionit kulturor kinez, krahas fushave të tjera të jetës, po zbatoheshin edhe në strukturën e programet mësimore të shkollës shqiptare. Pikërisht, në rrethana të tilla, një vit më parë, në programet tona qe futur një lëndë e re: Letërsia Kineze. Me futjen e kulturës marksiste aziatike, letërsive të tjera, sidomos asaj greko-romake e europiane, po u ngushtohej gjithmonë e më tepër vendi. (Për më keq akoma, letërsia kineze edhe pse me histori mijëvjeçare e autorë të shquar, në leksionet që na jepnin përfaqësohej vetëm me 36 tekste himnizuese mbi poezitë revolucionare të Mao Ce Dunit, shkruar gjatë ‘Marshimit të Madh’).

Viti 1973

Në një nga zyrat e gazetës lokale ‘Zëri i Vlorës’, një nga redaktorët e saj, hyri i alarmuar e tha: E morët vesh?! Ai, Kadareja, ka botuar një palo libër. Të vjen për të vjellur kur e lexon. Dëgjova që, jo vetëm udhëheqja këtu, por edhe lart, nuk e kanë pritur hiç mirë…! Romani i Ismail Kadaresë, ‘Dimri i vetmisë së madhe’, kish dalë në shitje para disa ditësh në të vetmen librari të qytetit e qe mbaruar brenda 30 minutave. Për atë libër, kish kohë që flitej e, lexuesit e shumtë mezi e kishin pritur. Fillimisht, në shtyp, për romanin nuk u bë asnjë koment. Vetëm pas një muaji, papritmas, në faqen e tretë të gazetës ‘Zëri i Rinisë’ u botua një letër, e cila vinte në dyshim vlerat ideore të romanit. Po, puna, s’u mbyll me aq. Më pas, jo vetëm në atë gazetë, por edhe në të tjera, nisën të botohen mesazhe, prononcime e letra të dërguara nga ushtarakë, kooperativistë, studentë, policë e veteranë, në të cilat romani konsiderohej antisocialist dhe, autori i tij, me ndikime revizioniste. Zhurma rreth romanit po merrte përmasa gjithmonë e më të mëdha. Nga fabrika, shkolla, reparte ushtarake, kooperativa, shoqata e organizata të ndryshme, nisën të dërgoheshin drejt Komitetit Qendror të Partisë, letra e telegrame, me anë të të cilëve shprehej indinjata për romanin e autorin që kish nxirë realitetin socialist. (Në disa kolektiva ish kërkuar bile edhe arrestimi i Kadaresë). Ndërsa, në një mbledhje veteranësh në Vlorë, një ish-guerrilas i Luftës Nacional-çlirimtare, kish deklaruar:

“…Boll me tradhtarin Kadare…”! Ai duhet arrestuar në vend. Bile, duhej të qe futur prej kohësh në burg e, unë çuditem e se kuptoj përse, Partia jonë tregohet aq tolerante me një armik të tillë!

Fushata anti-Kadare, e nxitur nga militantët më fanatikë, ish bërë çështje kombëtare e, diskutimi rreth romanit ‘Dimri i vetmisë së madhe’, temë e ditës. Një mëngjes, në bufenë e Komitetit të Partisë në Vlorë, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, H.U. porositi një kafe e pastaj, duke folur me një instruktor të sektorit të Edukimit, zhvilloi dialogun e mëposhtëm:

-E lexove romanin e ri të Kadaresë?

-S’e kam përfunduar endé. Jam aty nga fillimi…!

-Unë e mbarova dhe, mbas leximit, kam reflektuar shumë. Them se, autori i atij romani, është një element tepër i rrezikshëm. Për ideal të Partisë, po ta kisha këtu para meje, do t’i kisha hedhur hekurat menjëherë…!

-Tamam! Ke të drejtë. Ai është një armik – pohoi tjetri.

Biseda e mësipërme u zhvillua me tone të lartë e, pas pak, rreth kryetarit të Degës u grumbulluan edhe katër-pesë instruktorë të tjerë. Ai, u fry edhe më tepër e vazhdoi, por tashmë me zë më të ulët: Më thanë në telefon nga Tirana se, librin, nisi për ta lexuar dhe ministri ynë, (Kadri Hazbiu), por e la në mes. Në një mbledhje me kuadrot e Sigurimit të Shtetit, ai kish thënë: Lexova 40 faqe nga romani dhe 40 herë i pështyva përsipër! Arrestimi i Kadaresë pritej nga dita në ditë. Disa, (të cilët, fatkeqësisht, ishin të pakët), e prisnin këtë me dhembje e ndjenjën e një gjëme. Të tjerët, (të cilët po përsëri, fatkeqësisht, ishin të shumtë), e prisnin lajmin me ndjenjë të madhe gëzimi e, ajo çka ish edhe më cinike, si një fitore mbi intelektualët, të cilët, ashtu siç edhe kish theksuar shpesh herë Partia, ishin shtresa më e mundshme për t’u prekur nga ndikimet e huaja…!

Por, me gjithë kërkesat, këmbënguljen dhe presionin e komunistëve militantë nga baza e gjer lart në udhëheqje, kjo gjë s’po ndodhte. Ndërkohë, opinioni publik, edhe pse kishin kaluar rreth tre muaj plot zhurmë e komente rreth romanit e autorit të tij, vazhdonte të priste lajmin e dënimit të shkrimtarit. Debatet e pyetjet, në se Kadareja do të goditej apo jo, aso kohe u kthyen në një kuriozitet cinik, nga më të zakonshmit. Në këtë mes, diçka dukej e pazakontë e ngjallte një ndjenjë të çuditshme habie: Pse vallë, Partia, kësaj radhe po vonohej për dhënien e dënimit? Pse hezitonte, ndërkohë që herët e tjera, armiqtë e kishin marrë dënimin direkt e pa mëshirë…? Me gjithë padurimin, armiqtë e shumtë të shkrimtarit ngushëlloheshin duke menduar se, qe më mirë vonë se kurrë. Ata prisnin me ankth fjalën e të Madhit, vendimin e Tij.

Gjatë një vizite të Enver Hoxhës në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ndër të tjera, atij i qe bërë dhe pyetja e shumëpritur për të cilën ziente gjithë vendi: Shoku Enver, përse ndaj autorit nuk po merren masa, përderisa romani po ndesh me kundërshtim masiv? Përgjigjja e Enver Hoxhës ishte inteligjente, finoke, diabolike. Ai kish thënë se e kish lexuar romanin dhe se qe në dijeni të debateve e shqetësimeve që kish ngjallur në masat e gjëra. Por… duhej që të kuptoheshin dy gjera: e para që: “shkrimtarët nuk janë si ne”. Ata janë intelektualë. Idetë e tyre janë konfuze. Ata përdorin metafora. Shkurt, ata fluturojnë nëpër ré‚ nuk janë të qartë në mendime si ne, komunistët. E, përveç kësaj, ç’do të thoshin vallë sovjetikët, po qe se ne do të marrim masa kundër autorit? Do të flasin se, fuqia e tyre është aq e madhe, sa që pavarësisht se libri përmban sulme kundër tyre, ne jemi të detyruar të ndëshkojnë autorin e tij. Ata do thonë: E shihni se sa na duan ne në Shqipëri? Ja, pse, këtë problem duhet ta shohim më thellë e ta ndreqim në qetësi.

Për herë të parë në jetën e tij, i plotfuqishmi Enver, ndodhej në siklet e detyrohej të jepte publikisht shpjegime. Për herë të parë, xhelati, qe në mëdyshje e i shtrënguar të mbrojë viktimën, kokën e të cilit e kish para syve, nenë tehun e rendë të karamanjollës…! Përse vallë? Enver Hoxha ishte personazhi qendror i romanit. Pra, me gjithë rezervat, kritikat e egërsinë e militantëve për “deformimin” e realitetit socialist, libri që portretizonte atë – (si udhëheqës ndërkombëtar të luftës kundër revizionizmit) – s’mund të ndalohej. Enver Hoxha reflektoi e mendoi se duke vepruar kështu, përfitimi qe më i madh se sa po të ndodhte e kundërta. Madje, më pas, ai do të lejonte që romani të botohej edhe në Perëndim! Pas kësaj, situata e frikshme, më sa dukej kish kaluar. Ismail Kadareja i kish shpëtuar për mrekulli ndëshkimit fatal. Tashmë “Dimri i vetmisë së madhe”, me figurën e Enver Hoxhës në qendër, qe shndërruar në një talisman mbrojtës për të. Por, kjo gjendje, nuk ish thënë që të zgjaste shumë. Një situatë tjetër e ngjashme do të përsëritej dy vjet më pas. Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

© Panorama.al

Te lidhura