Gjendje hibride nga filmat e së shkuarës komuniste

Nov 22, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

redi shehuREDI SHEHU

Pak ditë më parë, Instituti i Komunikimit “Medius” Prokuroria organizoi në ambientet  e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës një tryezë debati rreth rolit të filmit në audiencat tona. Në prani të studentëve të këtij fakulteti, një panel i përbërë prej njerëzve të medias, kineastë, analistë, shkrimtarë, regjisorë, si dhe prezenca e OSBEsë në Tiranë, diskutuan dhe debatuan për më shumë se dy orë, kryesisht rreth filmit në periudhën e komunizmit dhe riqarkullimit të tij pothuaj në formë institucionale në kohën e sotme.

Debati ishte i ndezur, ashtu siç në fakt është e ndezur edhe shoqëria jonë në qëndrimin që ajo mban kur bëhet fjalë për çfarëdolloj tentative rivlerë- suese të koncepteve dhe produkteve që ajo kohë la në ndërgjegjet e secilit. Është diskutuar edhe më herët rreth kësaj teme, jo vetëm duke u fokusuar në një dimension historik të saj, por edhe nisur nga realiteti, i cili të dikton një debat të tillë. Që prej kohës kur mediat private filluan të fuqizoheshin këtu te ne, dhe sidomos tani me kthimin e platformave dixhitale në një realitet të padiskutueshëm, rishfaqja e këtyre filmave të asaj kohe deri në kanale që transmetojnë 24 orë pa pushim, e bën këtë temë shumë të debatueshme dhe aktuale në të njëjtën kohë.

Mungesa e produkteve filmike bashkëkohore në një masë të konsiderueshme në ekonominë e tregut artistik shqiptar, ka bërë që ky boshllëk kulturor të mbushet me anë të riqarkullimit, shpesh me një çmim të lirë, të filmave të cilat flasin për një kohë tjetër me një gjuhë që tingëllon e pakuptueshme, sidomos për brezin e ri të tekno-demokracisë. Në fakt, konstatohet një mbivendosje psikologjike kur audiencat e reja përballen me filma që nuk janë prodhim bashkëkohor, siç janë filmat e vjetër të periudhës së diktaturës komuniste e që flasin për realitete të vjetra me një etikë komunikimi dhe estetikë vizuale që ka pak ose aspak lidhje me botëkuptimin dhe formimin e audiencave të pothuaj tri dekadave të fundit.

Një etikë komunikimi dhe estetikë vizuale që shpesh shndërrohet në tronditëse, në një botë si kjo e jona që noton në një tjetër etikë komunikimi dhe ku vizualja tashmë është kthyer në kult me gjithë perfeksionin e saj. Ky lloj komunikimi me anë të këtyre filmave të ricikluar nga mediat private dhe shtetërore, vend e pa vend, për brezin e ri nuk ka pikë kuptimi. Në njëfarë mënyre, u sjell atyre një gjuhë komunikimi e cila jo vetëm është e vështirë të kuptohet, por që mund të përvetësohet në një format e kontekst të ri dhe të riciklohet si gjuhë komunikimi aktual.

Përse duhet të riciklohet vetëm kinematografia? Po letërsia, artet pamore, apo muzika? Nëse flasim për dhënie të hapësirës publike të tyre, atëherë duhet ta bëjmë këtë duke legjitimuar shfaqjen e të gjitha zhanreve, sepse ato kanë qenë komplementare të njëra-tjetrës dhe sistemi ka marrë kuptim kur ato kanë vepruar në zinxhir. E pse duhet të shfaqim vetëm një hallkë të zinxhirit? Nëse duhet të seleksionojmë, dhe unë mendoj se duhet të seleksionojmë, atëherë duhet bërë në bllok.

Në fakt, diskutimet tona rreth këtyre filmave, në thelb përmblidhen në paaftësinë tonë për të ndërtuar një sistem komunikimi artistik origjinal shqiptar, përmes veprave të artit të kohës dhe të cilat të pasqyrojnë sfidat tona, përfshirë edhe sfidën e çlirimit psikologjik nga e shkuara. Debati për filmat e periudhës komuniste, në të vërtetë është një debat që ne bëjmë me vetveten lidhur me të shkuarën tonë komuniste. Në një vend si ky i yni i padekomunistizuar, ku pothuaj të gjitha fushat e jetës, që nga politika e deri te parashikimi i motit, vazhdojnë akoma të jenë shtatzënë me komunizmin, është utopi të pretendosh e të ngresh një debat real për këtë çështje.

Në një vend si ky i yni, ku Lufta konvencionale Nacionalçlirimtare ka mbaruar në 1944-n, ku lufta faktike politike nacionalçlirimtare ka mbaruar në 1990-n, e ku lufta psikologjike nacionalçlirimtare vazhdon akoma, bëhet gjithmonë e më e komplikuar ndarja realitetin nga nostalgjia. Riciklimi i filmave të prodhuara gjatë kohës së diktaturës komuniste, pa kriter, pa filtër, apo komente përkatëse, kthehet në funksion çedukues, pasi përcjellin jo vetëm ideologjinë e gabuar, por edhe etikën dhe estetikën e përçudnuar të asaj periudhe.

Shoqëria jonë në këto kohë kontradiktore i ngjan atij litarit që tërhiqet nga njëra anë nga ideologjia dhe grafika (ideografia) e bikinizimit, dhe nga ana tjetër, nga ajo e socrealizmit. Presioni i madh e konstant i të dyjave nuk e këpusin atë, ato thjesht e shpërbëjnë. Rendet shoqërore përgjatë historisë njerëzore janë përshkuar nga moralet që ata kanë mbartur me vete.

Riciklimi i këtyre filmave, në fakt është riciklimi i një morali të një rendi shoqëror të dështuar në rendin e sotëm moral që po ashtu është i tillë. Dallimi është se i pari nuk përshkohej nga vlerat universale, si liria e ndërgjegjes, liria e fjalës, liria e fesë, lira e pronës etj., ndërsa i dyti, me gjithë dështimin moral, ka në thelb vlerat universale të lirisë. Mbivendosja e këtyre dy realiteteve me anën e gjuhës së artit dhe komunikimit publik ndërton një realitet hibrid mendor, i cili përkthehet në realitet hibrid shoqëror të logjikës dhe kriterit të vlerësimit të gjërave.

Një brez i ri, që në kontekstin e lirisë së ndërgjegjes, fjalës, fesë e pronës, shikon, logjikon dhe përvetë- son një realitet që ka qenë armik i të gjitha atyre. Duke u shfaqur psikologjikisht hibrid në mendjet dhe perceptimet e audiencave, e kaluara komuniste tashmë nuk përbën rrezik, ajo thjesht vërtitet si kujtim historik kërshëritës i gatshëm për t’u ricikluar sa herë që dështimi dhe paaftësia jonë për ta bërë këtë vend bëhet më evident. Hapja e debatit mbi shfaqjen e filmave të periudhës komuniste u shoqërua me tensione dhe kundërshti.

Por, ama, historia është një formë konsensuale e së shkuarës, bazuar në fakte dhe argumente dhe jo në shëmti ideologjike. Problemi është se akoma edhe sot konsiderohen të mira disa “vlera” të komunizmit. Ato, edhe pse tektuk mund të kenë qenë vlera në vetvete, në kontekstin e mungesës së lirive kthehen në qeliza shkatërruese në funksion të sëmundjes së përgjithshme. Ky, për hir të së vërtetës është një debat, i cili nuk duhet bërë nga masat, sepse nuk janë gjithmonë masat që përcaktojnë cilësinë, bile shpesh masa është pjesë e manipulimit.

Ajo që në fakt po kërkohet është çmanipulimi i ndërgjegjes së masave drejt disa kritereve bazuar mbi vlera të natyrshme të dhëna në softin e çdo individi. E, në këtë rast, nuk është masa garanti i saj, por cilësia e individit që e garanton masën. Pikërisht, pastrimi i mendjes dhe ndërgjegjes së individëve nga çdo gjë që pengon drejt vlerave humane është garant për një shoqëri të drejtë dhe të përparuar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura