Nga Hysen Selmani
Memorie.al/ Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
Kairo, 5 kallnur 1948
“Mbreti shkoi për të pushuar pak, kur menjëherë, erdhi Madhnia e Tij, Mbreti Faruk i Egjiptit, bashkë me Doktor Reshatin. Pasi pyeti për shëndetin e Princeshës, Mbreti shqiptar, i tha se: Gjendja është mjaft e rëndë. Motrën e shtrova në spitalin francez, se kështu më këshilluan profesorët. Atje paska disa vegla moderne, por këtë e dinë më mirë doktor Reshati”. Pas këtij bisedimi, menjëherë filluan bisedimet përmbi ngjarjet e Palestinës. Mbreti Faruk, ishte tepër i mërzitur. Dukej se nuk e linin të qetë. Gjithnjë e nxisnin duke i thënë se, do të ishte më mirë të merrte masa lufte, se kështu nuk shkonte! Myftiu i Jerusalemit, kishte ikur me 2000 vetë e erdhi në Kajro. Dhe, e gjithë kjo gjendje, varej prej Mbretit Faruk. Arsyeja se ky, ishte shteti më i madh dhe më i pasur. Mbi të gjitha, rëndësia e situatës këtu peshonte më shumë.
Mbreti Zog, gjithnjë e kundërshtonte për një akt të tillë. Lartmadhëria, e këshillonte për urtësi e për të biseduar me amerikanët dhe britanikët e francezët. “Për të gjetur një muzivene të përshtatshme për të dy popujt. Dhe, e vetmja mënyrë ishte, për të ndarë në dy shtete, Palestinën. Natyrisht, edhe juve (egjiptianëve) do t’ju kushtonte një front i madh. Por, më tepër anglo-amerikanët, do të bëjnë pagesën më të madhe, se shkulja e familjeve, kërkon një shpenzim për instalim”.
Mbreti Zog, vazhdoi duke i thënë: “Unë ju dua, si një vëlla që ju kam. Po ju them atë që unë parashoh. Në rast se bëni një gabim, për të marrë masa ushtarake, kjo do të jetë një humbje. Do të mbetet e pa përmirësuar për ju, si edhe ata një milion arabët, do ju vijnë në vendet tuaja. Kështu, Zhuifet, menjëherë do ta okupojnë krejtësisht Palestinën. Siç, ua kam thënë shpeshherë, se izraelitët kanë Britaninë e Madhe dhe Amerikën e, Francën mbrapa. Ato, qysh se i kanë instaluar aty, i kanë siguruar me të gjitha, si politikisht dhe financiarisht. Për më tepër, nuk lenë që t’i sulmoni aspak juve. Këtë, duhet ta merrni në urtësi dhe me biseda me britanikët, por dhe me amerikanët e francezët. Formoni një komision, nga elemente mjaft inteligjente, si: Xhemil Madam Begu dhe zgjidh një nga Egjipti si Nehas Pashën; po ashtu nga Jordania, një person të njohur; gjithashtu merr Chamunin ose Charren, në Liban. Pra, bëni një komision që janë edhe miq e të njohur mire, prej tyre. Këta patjetër, do të gjejnë një mënyrë rregullimi”.
Po ashtu, ai e këshilloi mikpritësin e tij egjiptian, se: “Veçanërisht, në asnjë mënyrë nuk duhet që arabët palestinezët, të lenë vendin e të ikin në vendet e ndryshme, si: në Egjipt, Siri, Liban e Jordani. Nuk është mirë, se vendi përfaqësohet prej njerëzve e, jo toka pa njerëz. T’i këshilloni të rrinë urtë, e mos t’i japin asnjë shkak grindjeje dhe të durojnë. Prej këtyre, mos të shkaktohet asnjë ndërhyrje se, Zhuifet, mund t’ju japin shkak, por arabët duhet që të shohin punën e tyre”.
Me këto fjalë, ata hëngrën darkë e kanë qëndruar deri në orën 2 pas mesnatë. Mbreti Faruk, shkoi dhe Monarku Shqiptar, e përcolli deri tek automobili. Ai ishte vetë i treti. Shkuan bashkë me Doktor Reshatin dhe Qerim Sabitin. Pak çaste më vonë, kujton adjutanti, Mbreti, pyeti pak Princeshën Sanije në Spital, për Ruhijen. Princesha iu përgjigj se: “Flen pak, por nuk është mirë”. Pastaj Mbreti, shkoi e fjeti. Ai i tha kolonel Husein Selmanit: “Për çdo gjë më lajmëroni, e ti flej këtu, në sallon”.
Kairo, 8 kallndor 1948
Sot me datën 8 janar 1948, Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, me gjithë familje, zbritën në Aleksandri. “Menjëherë na lajmëruan dhe kolonel Husein Selmani ju tha që, të zënë vend në Aleksandri”. Ai vetë mori përsipër që do telefononte, porsa të dilte Mbreti në sallon. Ata e pyetën për shëndetin e Princeshës dhe koloneli ju tha shkurt se, nuk ishte mirë.
Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, që bënin pjesë në Këshillin Mbretnor, lajmëruan menjëherë Ministrin e Punëve Jashtme dhe të Brendshme Egjiptiane, që do të qëndrojnë në Aleksandri. “Në këtë mënyrë, menjëherë urdhëruan autoritetet e Aleksandrisë”, vijon adjutanti. Kur Mbreti Zog doli në sallon, kolonel Husein Selmani, i parashtroi se Mehdi Frashëri dhe Hiqmet Delvina, erdhën në Aleksandri me gjithë familje.
“Ju thashë që të qëndroni atje, i tha ai Mbretit- e njëkohësisht lajmëroni Ministrin e Jashtëm dhe Ministrin e Brendshëm Egjiptian. Kjo, në mënyrë, që të jenë të lire, për të qëndruar në Aleksandri”.
“Shumë mirë, – tha Mbreti- që paskan ardhur”. Pastaj vijoi duke këshilluar adjutantin: “Sa të kthehem në Aleksandri, do t’i thërras e kam për të biseduar mbi shumë probleme me ta. Mos të mërziten, jepu të falat”.
Kairo, 9 janar 1948
Me datën 9 Kallnur 1948, erdhën nga Italia në Kairo, Mustafa Kruja, Omer Beshiri, Ago Agaj. Ata, menjëherë i telefonuan kolonel Husein Selmanit, mbi arritjen dhe se ndodheshin në Hotel “Hilio-Polise”. Kolonel Selmani, prapë lajmëroi Ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshmin Egjiptian, edhe për këta. Duhej bërë kjo, në mënyrë që ata të lejoheshin, për të qëndruar në Kajro. Pastaj, menjëherë hyri tek Madhëria e Tij, Mbreti Zog, ku i parashtroi ardhjen e tyre dhe masat e marra. Madhnia e Tij, Mbreti, e urdhëroi: “Nesër në orën 10, para drekës, të vinin në audience: Mustafa Kruja, profesor Omer Beshiri dhe Inxh. Ago Agaj”. Menjëherë të nesërmen, në orën 10.00, erdhën në audiencë.
“Madhnia e Tij, Mbreti Zog i I-rë, i priti shumë mirë të ardhurit, sidomos Mustafa Krujën. Këtë personalisht, kishte një kohë prej 25 vjetëve, që nuk e kishte parë. Po ashtu edhe tjetrin, Profesor Beshirin dhe po ashtu edhe Inxh. Ago Agajn. Nuk i ndaloi shumë pas kësaj, se kishte për të shkuar në spital, për të parë të motrën, që vazhdonte të ishte tepër rëndë. Ju tha që të vijnë të nesërmen për drekë dhe më urdhëroi për të thirrur Mbretneshën dhe Princin Trashëgimtar, Lekën. Kur i panë, atyre u janë mbushur sytë me lot e nga mallëngjimi dhe as që mundën me folë”, shkruan adjutanti.
Në Egjipt, filluan grevat. Më tepër ka probleme në Universitare për çdo ditë. Kjo ishte përgatitur nga agjentët e huaj e, sidomos të Rusisë Sovjetike, që qarkullonin haptazi gjithkund. Ata kishin futur hundën, në të gjithë dikasteret, në polici, në dogana, e pothuajse shumë, edhe ndër oficerët. “Situata vjen duke u keqësuar, sa më tepër e nuk është aspak e lehtë, që të sigurohet qetësia. Çdo kabinet që vjen, nuk ka mundësi të stabilizojë qetësinë e vendit. Si Kajro, por më tepër Aleksandria dhe Ismailija, janë të mbushur me të huaj, saqë nuk njihen se çfarë tendenca zhvillojnë. Por, më tepër janë agjentë sovjetikë”.