Gjendja e rendit publik dhe politika e mohimit

Sep 16, 2018 | 11:52
SHPËRNDAJE

pellumb-nakoDihet gjerësisht se mohimi është një fenomen psikologjik në raport me individin dhe social në raport me personat që merren me politikë. Në aspektin psiko-logjik, është Frojdi ai që në vitin 1924 i dha nocionit një përkufizim teorik, kurse në politikë është filozofi francez Mishel Henri, që e ka studiuar.

Por për të dy rastet, si një mekanizëm i vetëmbrojtjes, thelbi i tij është i njëjtë. Mohimi përkufizohet si një veprim për të refuzuar realitetin të perceptuar si të rrezikshëm ose të dhimbshëm. Është ai që e mbron individin, duke vënë në pikëpyetje botën e jashtme, aspak të pranueshme. Në politikë, mohimi përdoret si një mjet i lehtë për t’u mbrojtur nga humbja e vëmendjes së opinionit publik, duke ditur se ky i fundit harron shpejt dhe nuk e dallon verbërinë e tij vullnetare. Në politikë, në shumë raste, nocioni i mohimit përdoret aq shumë sa që krijon atë që quhet “politikë e mohimit”.

Një instrument të tillë, siç është politika e mohimit, në vende si ai i yni, ku problemet e mprehta sociale janë rregullisht të pranishme në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të popullsisë, duket se përdoret rëndom nga majat aktuale të ekzekutivit.

Para disa kohëve, gazetarë të të gjitha mediave, forca të ndryshme politike të opozitës filluan të shfaqnin publikisht shqetësimin e tyre për rritjen e pasigurisë në pjesë të ndryshme të territorit të vendit, për shkak të rritjes së presionit të bandave. Si përgjigje ndaj këtij preokupimi, gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, Kryeministri ynë deklaroi se “këtu flitet për banda, por këtu kemi të bëjmë me rrugeçër kryesisht”. Shprehja e Kryeministrit nuk i shpëtoi komenteve të medias, të habitura nga ky qëndrim. Por më shumë se një shprehje e thjeshtë ajo tregon një gjykim (jo perceptim) të Kryeministrit për atë çka ndodh në vend.

Dhe në fakt, dukshëm, gjykimi në fjalë nuk është i shëndoshë. Përcaktimi “bandë” apo thjesht një “individ rrugaç” është çështje teknike e organeve të drejtësisë, pasi për publikun nuk është parësore. Kjo sepse, në fund të fundit, kur dikush humb jetën apo pronën, kur dikush tjetër grabitet apo vidhet, kërcënohet apo i vihet gjobë, pak rëndësi ka nëse është një rrugaç i vetëm apo një bandë që e kryen veprimin. Fatkeqësia njëlloj ndodh. Ndërkohë, sipas Kodit tonë Penal, bandat janë një formë organizimi kriminal që kanë për tipar kryesor përdorimin e dhunës, frikësimin. Mosekzistenca e mundshme e tyre në territor nuk është ndonjë tregues i çuditshëm për sigurinë në vend, ndërkohë që Policia bën njoftime të shumta për arrestimin e grupeve të strukturuara kriminale. Pra ajo e provon ekzistencën e grupeve kriminale, por gjithmonë sipas Kodit Penal, me një formë tjetër organizimi nga ai i bandave. Rrugaç i vetmuar, bandë apo grup i strukturuar kriminal qoftë, por një ton e gjysmë kanabis mbërriti përsëri në brigjet e Italisë. Disa dhjetëra kilogramë, edhe në drejtim të Greqisë.

Përpos këtyre, përdorimi i repartit të Policisë RENEA nuk ka për objekt të punës së tij rrugaçët e lagjeve, por neutralizimin e elementëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Në fshatin Nikël të Krujës u kontrolluan shumë shtëpi. Gjatë operacionit u prenë dhe dritat. E gjitha kjo shpalosje force nuk ka ndodhur ndonjëherë të kryhet për të neutralizuar disa apo ndonjë grup rrugaçësh. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për dy personat në kërkim në rrethin e Lushnjës, të njohur për rrezikshmërinë e tyre. Apo edhe në Vlorë. Nëse do të nim vetëm për “rrugeçër”, përdorimi i repartit RENEA në të gjitha aksionet tregon se Policia lokale nuk qenka e zonja për t’i bërë zap ata.

Por, megjithatë, nuk është kështu. Këtë e dinë të gjithë. Edhe Policia, edhe ministri i Brendshëm, madje edhe Kryeministri e njeh mirë gjendjen. Ka gjithë organizmat e duhura në dispozicion për ta pasur situatën në dorë. Dhe situata nuk është çështje “rrugeçërish”. Por ai refuzon ta njohë atë publikisht. Sepse politika që ndjek qeveria ndaj problemeve është ajo e mohimit të tyre. E refuzimit të njohjes së situatës reale në sytë e publikut. Drejtuesit e institucioneve të sigurisë merren në mbrojtje. Edhe kur janë tërësisht jashtë eficencës. Sepse kur i shërbejnë pushtetit, nuk ka problem nëse kanë deficite me publikun.

Pavarësisht se publiku e mbështet Policinë në punën e saj konkrete, shqetësimi i tij i vërtetë qëndron në faktin se sa serioze është Policia në këto ndërhyrje. Çfarë produkti ka. Sa e përgatitur është ajo për të pasur në dorë gjithë ose shumicën e elementëve të duhur për të provuar veprimtarinë kriminale të personave të shoqëruar. Rëndësi ka pikërisht kjo gjë. Pra, zotërimi i provave për t’i gozhduar ata dhe të mos vazhdohet me refrenin demagogjik se ne i arrestojmë dhe drejtësia i nxjerr jashtë. Ka edhe raste kur veprimet policore kanë qenë korrekte dhe anëtarët e grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar të gjithë. Asnjë syresh nuk ka ikur në drejtim të paditur. Pavarësisht se kanë qenë edhe aktorë ndërkombëtarë nga pas dhe nuk kanë lejuar devijime, siç ishte rasti i grupit që merrej me kontrabandimin e njerëzve drejt perëndimit, SHBA-ve dhe Kanadasë.

Por nëse sheh veprimet e deritanishme policore dhe rezultatet e tyre, duket qartë se më shumë bëhet fjalë për një demonstrim “muskujsh” të Policisë ndaj “të fortëve”. Këta të fundit mund të tulaten për pak kohë, por do të jenë aty përsëri kur për ta nuk ka prova serioze që i inkriminojnë. Akuzat e Policisë për “të fortët” nuk janë të forta.

Nuk duhet harruar gjithashtu edhe fakti i një lloj ngjashmërie të asaj që po ndodh. Në vigjilje të zgjedhjeve politike të vitit 2017 u ngrit një alarm i madh për kanabizimin e vendit, kurse sivjet, në vigjilje të zgjedhjeve lokale 2019 po ngrihet i njëjti alarm, por këtë radhë për banda kriminale. Me këto lloj akuzash që po ngre Policia për të fortët, vitin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale të gjithë të lirë do të jenë.

Të shohim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura