Skandal/ Vdes në rrugë, në morg me kamionçinë. Spitali refuzoi të çojë autoambulancën. Proçedim tre mjekëve

Apr 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Policia e Lezhës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë të tre mjekëve: N. B. Vjeç 53, banues në Tiranë,  me detyrë drejtor i spitalit Rajonal Lezhë. P. L,  vjeç 42, banues në lagjen “Besëlidhja”, Lezhë, me detyrë mjek ligjor, pranë spitalit rajonal Lezhë. 3-A B vjeç 43 , banues në lagjen Besëlidhja”, Lezhë,  me detyrë mjek pranë spitalit rajonal Lezhë.

Kjo pasi gjatë ditës së djeshme nuk kanë vënë në dispozicion ambulancën për transportimin e një kufome megjithëse ishin njoftuar nga Salla e Komandimit të D.P.Q Lezhë.

Materialet  i  referohen  Prokurorisë  së  Rrethit  Gjyqësorë  Lezhë  për  veprën  Penale  të“Shpërdorimit të detyrës”.

Dje/ Viktima i aksidentuar transportohet në karrocerinë e kamionçinës, pasi morgu nuk ka makinë, ndërsa spitali refuzon të vërë në dispozicion autoambulancën e saj.

Transportimi në këtë mënyrë i trupit të pajetë të një moshuari ka krijuar situatë shokuese dhe skandaloze në rrugë. Fatkeqësia e 60-vjeçarit Gëzim Sula, i cili në mbrëmjen e së premtes është përplasur për vdekje nga një automjet në superstradën Lezhë-Laç, ka vijuar edhe më tej mëngjesin e të shtunës. Efektivë të Policisë së Lezhës dhe një punëtor janë detyruar ta mbështjellin kufomën në një batanije dhe më tej ta hedhin atë në karroceri të një mjeti privat. 

Transportimi i kufomes me kamioncine

Të pranishëm në këtë skenë shokuese kanë qenë edhe drejtues të Policisë së Lezhës, të cilët përballë kësaj situatë kanë vendosur të bëjnë “policin rrugor”, duke orientuar automjetet e tjera që qarkullonin në këtë aks, për të mos krijuar probleme në lëvizjen e automjeteve përgjatë superstradës. 

E gjithë kjo ka ndodhur në sytë e kalimtarëve të shumtë, të cilët po lëviznin nëpërmjet këtij aksi. Për këtë situatë ka nisur edhe hetimi, pasi sipas Policisë, spitali ka refuzuar të nisë autoambulancë apo makinë të morgut për transportimin e trupit të të ndjerit. Sipas Policisë, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë në orën 06:10, se në superstradën Lezhë–Laç, në vendin e quajtur Ishull Lezhë, ndodhej një shtetas i shtrirë në anë të rrugës. Në vend kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugore dhe patrulla e përgjithshme, ku është konstatuar se shtetasi Gëzim Sulaj rreth 60 vjeç, banues në lagjen “SMT” Lezhë, kishte humbur jetën. 

Nga vendi i ngjarjes

“Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje nga grupi hetimor rezulton se gjatë natës këtë shtetas e ka përplasur një makinë, ku për pasojë ka gjetur vdekjen, ndërsa automjeti është larguar nga vendi i ngjarjes. Në spitalin e Lezhës ka shkuar Patrulla e Përgjithshme e Policisë, ku është kërkuar ambulanca, por spitali nuk ka pranuar të dërgojë asnjë autoambulancë apo makinë të morgut për të transportuar kufomën. Në lidhje me refuzimin nga ana e Spitalit për të mos dërguar makinë në vendngjarje për të transportuar kufomën, nga ana e Policisë është plotësuar raporti i shërbimit.

Duke u ndodhur në këto rrethana, trupi i viktimës është mbështjellë me një batanije dhe është transportuar drejt morgut për ekspertizë mjeko-ligjore me një kamionçinë, e cila është gjetur rastësisht në vendngjarje”, bëri të ditur dje Policia e Lezhës. Sipas njoftimit të Policisë, lidhur me mos marrjen e masave nga ana e personelit të urgjencës së spitalit dhe të morgut të spitalit për transportin e viktimës nga vendi i aksidentit në drejtim të morgut, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik po punojnë për dokumentimin ligjor të këtij rasti dhe ndaj personave përgjegjës do fillojë procedimi penal për veprën penale “shpërdorim detyre”. Ndërsa në lidhje me mënyrën e transportimit të viktimës, për tre punonjës të Policisë Rrugore dhe një specialist i Seksionit të Hetimit të Krimit janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka filluar ecuria disiplinore për shkelje të rëndë të “Kodit të etikës” dhe “Procedurave standarde të punës”.

Drejtori i spitalit te Lezhes

 E. Hila

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura