Gjekmarkaj: Pse libri i Artan Fugës është i duhuri për këto kohë të vështira

Dec 9, 2019 | 10:20
SHPËRNDAJE

artanfugaa (1)

AGRON GJEKMARKAJ/ “Shoqëria Piramidale” e Artan Fugës, libri i duhur pas tërmetit “piramidal”!

Pas fatkeqësisë natyrore si kjo që na goditi, kundërpërgjigja më e mirë është aktivizimi mendor! Pse jo edhe duke lexuar pikërisht ata libra që shpjegojnë shoqërinë shqiptare dhe institucionet e saj, politikën, ligjërimin, tendencat, shkollën, kulturën, grupmoshat, teknologjinë, progresin dhe regresin ekonomik e mbi të gjitha “ngërçin” shqiptar, që shpesh shkakton edhe viktima!

Kjo nyje gordiane, të cilën të gjithë e konstatojmë, bashkëjetojmë me të, e mallkojmë, rënkojmë prej saj, shumë ikin pa kthyer kokën, të tjerë me të (kokën) përkulur psherëtijnë “vend i mallkuar”, “nuk bëhemi kurrë” e plot piskama rrëqethëse!

Një nga eminencat e mendimit intelektual shqiptar e jo vetëm, autor në Paris dhe në Tiranë, profesor atje e këtu, mbresëlënës në çdo auditor e medium, ku idetë janë të rëndësishme, ku dija e kultura besohet, ku te filozofia dhe artikulimi me vështrim diakronik e sinkronik hidhet dritë mbi të shkuarën si përvojë e kujtesës kolektive me ato elemente që kompozojnë një identitet, ku të tashmes i gjejnë dhe përkufizojnë shpirtin laik pa dëbuar atë mistik, ku bëhen parashikime për të ardhmen e botës shqiptare, kur duhet vendosmëri reagimi i qytetarit europian ndaj despotizmit neotoman, akademiku Artan Fuga shfaqet në tregun e ideve me librin “Shoqëri piramidale”.

Fenomenet historike, sociologjike, antropologjike të një shoqërie periferike që shndërrohet në piramidale, modeli i shoqërisë dhe krizat e demokracisë, iluzionet e tranzicionit linear, ardhja e shoqërisë piramidale për të kaluar te lëvizjet shoqërore të masave, te sundimi i “bosëve” politikë, te zhveshja e qytetarëve nga sovraniteti, te modeli ekonomik piramidal, piramidalizimi i pushtetit vendor, lodhja demokratike e qytetarit dhe kapja e pushtetit nga pakicat e organizuara, mbërritja te paradokset e demokracisë, te domosdoshmëria e kundërveprimit të individit ndaj shoqërisë piramidale dhe përfundimi solemn se “shteti janë qytetaret e tij”, janë struktura e këtij libri, i cili propozohet për lexim në ditë të pazakonta!

Në të gjejmë kronikë e përkufizim, informacion dhe analizë, komparativizëm e globalizëm, emra të përveçëm të filozofisë botërore me doktrinat e tyre si kandil i ndezur në ujdhesën shqiptare, lider politikë e politika si mendësi të konkretizuara nga partitë, tipare e karakteristika, procese intelektuale e përfundime që e shkoqisin “ngërçin”, e bëjnë atë transparent, të përballueshëm sipas metodologjisë që nuk e negocion lirinë dhe të drejtën e mbi të gjitha me urinë e atij që nuk ngopet kurrë, duke bashkëbiseduar me Aristotelin, Emilie Durkheim, Max Weber, Raimon Aron, Robert Merton, Samuel Huntington e shumë vëllezër në familjen e tij të mendimtarëve!

Por e bukura është se krahas tyre, ka shfletuar edhe “Buxhetin për Qytetarin”, “Kodin zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, “Statutet” e Partisë Demokratike e asaj Socialiste, statistika e raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, dekrete e ligje, vendime e shumëçka tjetër që ka mbushur kohën tonë nëpërmjet nocioneve shtet, demokraci, tranzicion, sistem, komunikim, trasparencë, pjesëmarrje, qytetar, zgjidhje e zgjedhje!

Fuga propozon mundjen e tij (ngërçit), prerjen e nyjës shqiptare.

Ai ofron të gjitha rrugët në një udhëtim teorik e kulturor aplikativ të pashoq! E kotë ta rrëfejmë misterin e këtij libri nëpërmjet këtij prezantimi, i cili nëse ka një vlerë të vetme, është ajo e lajmësit të një lexuesi që pas “Problemeve Shqiptare” të Mehdi Frashërit, nuk kishte ndeshur diçka të tillë, duke qenë krejt të ndryshëm, për atë që e shënjojmë si realitet shqiptar!

Edhe tërmeti është një piramidë e përmbysur me një qendër poshtë thellë në tokë, e cila duke u dridhur, shtrin rrezen dhe ndërton bazën e tij tragjike në sipërfaqe! Po kështu, shoqëria i ka lejuar vetes të ngushtohet e të ngushtohet, duke u holluar, derisa ka krijuar majën e vet të piramidës, e cila ka shkaktuar një tjetër tërmet, të vazhdueshëm dhe të rëndë!

Fuga, ndryshe nga Luljeta Bozo, flet për strukturën “sizmike” të shoqërisë, duke propozuar një tjetër strukturë. Lexojeni pikërisht në këto ditë të hirta!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura