Gjekmarkaj: PD s’i trembet asnjë gare elektorale, kush s’mbështet kandidatët tanë, janë pro atyre të Ramës. Berisha nuk përcakton fluksin e votave në selinë blu

Jan 19, 2022 | 18:32
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i ri i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ka deklaruar se forca politike ku ai bën pjesë nuk i trembet asnjë gare elektorale kurdo që ato të zhvillohen. Duke iu referuar zgjedhjeve të pjesshme lokale të cilat pritet të zhvillohen më 6 mars, Gjekmarkaj theksoi se Partia Demokratike vjen nga një proces si ai i 25 prillit të zgjedhjeve të përgjithshme që sipas tij nëse nuk do të masakrohej në vota, do të dilte fituese.

Gjekmarkaj Berisha

Partia Demokratike vjen nga një proces që, nëse nuk do të masakrohej, do të ishte fituese. Ka frymë dhe ka njerëz, kështu që ne nuk i trembemi asnjë gare elektorale, kurdo që ajo të jetë. Po flisni me nënkryetarin e PD-së dhe ky është një qëndrim”, thotë Gjekmarkaj në një intervistë për A2 CNN.

Gjekmarkaj ka bërë të ditur gjithashtu se nëse mbështetësit e Berishës do të sfidojnë kandidatët e Bashës në zgjedhjet e pjesshme vendore, me qëllim për t’i kërkuar atij më pas dorëheqjen, nuk do të arrijnë asgjë.

Ata që nuk mbështesin kandidatët e PD-së, sigurisht i bie që do të mbështesin kandidatët e Edi Ramës, ose të LSI-së. Zoti Basha matet me rezultate politike dhe me zgjedhje politike”, thotë Gjekmarkaj.

Sa përket propozimit se kriza në PD mund të zgjidhet me votën e anëtarësisë, Gjekmarkaj thekson se Berisha nuk përcakton fluksin e votave në selinë blu.

“Sigurisht, Sali Berisha është person i rëndësishëm që ka ndjekësit e tij, por nuk është ai përcaktuesi i fluksit të votave në PD”.

Gjekmarkaj pranon se përjashtimet nga Partia Demokratike i disa deputetëve dhe anëtarëve i kishin lënë shije të hidhur, por shpjegon përse nuk shikonte zgjidhje tjetër.

Je i detyruar të marrësh disa vendime sado që shkaktojnë debat, e të ndjekin nga pas, por duhet t’i marrësh. Nuk mund t’i përkufizosh si të mira, apo të këqija, por logjike”. Gjekmarkaj u caktua nënkryetar i PD-së dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit. Dy detyra të rëndësishme që nuk i konsideron si promovim. “Nuk shijohen postet në këtë kohë, por përgjegjësi e madhe. Para tyre, ke dy zgjedhje: o të tërhiqesh, o ta pranosh me idenë që mund të kontribuosh në zgjidhjen e krizave”, thekson ai.

Protestuesit që e presin Bashën në takimet me bazën e demokratëve, thotë se i kujtojnë Hysni Milloshin. “Më duken guerilje nga pakica shumë, shumë të vogla”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura