Sot jam me Bashën!

Apr 5, 2018 | 12:53
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAgron Gjekmarkaj

Protesta e Kukësit ka zgjuar një vetëdije qytetare e cila dukej e fjetur ose në gjumë të thellë! Qeveria i ka shkëputur lidhjet me realitetin qysh pas fitores së Qershorit. Ajo po na teston vazhdimisht duke vënë në provë aftësinë shoqërore për të mbrojtur liritë e saj. Nganjëherë të krijon përshtypjen se është qeveri pushtimi dhe jo e zgjedhur në mënyrë demokratike. Si asnjë tjetër po shfaq ëndje për të nëpërkëmbur shtetasit e këtij vendi.

Vullneti i tyre i duket një shaka. Në pallatin e qeverisë merren vendimet sikur ata jetojnë në planetin mars. Këtu bizneset falimentojnë, papunësia rritet, njerëzit ikin nga sytë këmbët në një hemorragji sfilitëse, korrupsioni dhe krimi bëjnë kredinë dhe bashkë me to shtohet arroganca dhe fjalimet mediokre te ministrave. Madje edhe fjalimeve të Ramës meqenëse u mungon e vërteta po ju bie cilësia.

Kryeministri vë taksa për shtëpinë e vetme, për pusin në oborr, për rrugën ku kalojmë, për ajrin që thithim, për buzëqeshjet e tepërta, për ëndrrat dhe gjumin, për çfarë ti teket duke na kërcënuar, përqeshur e tallur. Kuksianët reaguan të çmeritur, te habitur , te rraskapitur por me gjasë prit i thanë vetes, zotëria na ka vënë me shpatulla për muri dhe përtej murit s’ka më asgjë. Mënyra sesi Qeveria dhe Ministri Xhafa i cili është me origjinë nga zona e parë operative, ish hetues i komunizmit dërguan natën furgonët e panumërt të policisë për të shtruar Kukësin të kujton kalimin e divizionit të parë sulmues mbi Shkumbin për të shtypur reaksionin ne veri.

Aso kohe reaksionaret ishin në anën e lirisë dhe kundër tiranisë. Historia ju dha të drejtë atyre dhe jo drejtuesve terroriste të divizionit të cilët na bënë të skuqemi nga turpi, plagët e dhimbjet që na lanë trashëgim. Sot pikërisht ata, Kuksianët, te cilët mediat pro qeverisë dhe zërat pro saj po i tallin deri për të folurën dhe standardet qytetërimore janë në anën e lirisë. Kjo nuk është patetike. Është një e vërtetë që do sy të guximshëm për ta parë. Policia, prokuroria dhe gjykata po ju binden urdhrave politike. Nënshtrimi është doktrina e mandatit te dyte.

Ata i grabiten kuksianët në shtëpitë e tyre dhe nëpër natë i sollën në Tiranë. Sot i gjykuan po politikisht ! Për çfarë i gjykuan për një gjë të thjeshtë se nuk pranuan të dhunoheshin nga qeveria dhe klientët e saj koncensionarë?! Miku im Mustafa Nano shkruante sot se janë idiotë ata që mendojnë se pushteti merret me dhunë. Po i dashur Mustafa ashtu mendoj edhe unë.

Do të ishte idiotësi dhe poshtërsi marrja e pushtetit me dhunë. Por do të ishin po kaq idiotësi, shpirtvdekësi, teveqeli e kopukëri, nëse përballë dhunës së qeverisë, arrogancës së saj, kullave, koncesioneve, inceritorve, pasurimit te pandershëm të klientëve të politikës, hajdutërisë dhe kanabisit, buzëqeshjeve të letyrta të njerëzve që para se të hynin në politikë i kishin xhepat e grisur, të rrinë para televizionit duke mërmëritur. Retorika e ministrave nuk ta fyen inteligjencën o Mustafa? Ma kurse krahasimin se çfarë ka opozita. E di sa ti e në mos më mirë.

Sot një deputet i PD-së u gjakos nga dhuna. Të tjerët me zor u lanë të asistonin në një seancë gjyqi sikur të ishte sekret shtetëror. Gjithë sa ndodh synon të japë një mesazh, atë që çdo kush që ngre krye do të goditet jo nga forca e ligjit por nga ligji i forcës. Kjo është spiralja më errët ky ka hyrë qeveria e Edi Ramës. “Alpinet” u ngritën por sot edhe ballshiotët, nesër edhe kategoritë e tjera sociale mund ta bëjnë provën e dinjitetit. Opozita e tejkaloi kompleksin e vet dhe u vu pak vonë por më mirë vonë se kurrë në krye të kësaj lëvizjeje. Ajo ka shpallur një proteste për të enjten. Nëse nuk do të isha pedagog dhe nuk do të kisha detyrim e mësimdhënies nesër do të isha në krah të Lulzim Bashës pa ju hequr një presje qëndrimeve të mia ndaj tij. Vetëm nesër gabimet e Bashës fshihen. Të gjithë ata që fyhen nga metodat fashiste duhet të jenë me të së paku nesër.

Pasnesër le ta shajnë përsëri. Përpjekja kundër arrogancës duhet mbështetur përndryshe zot shtëpie do kemi Kryeministrin dhe jo veten tonë. Në çdo oborr do kemi një kullë, në çdo rrugë do paguajmë haraç, në çdo zyrë do rrimë kokulur si skllevër të rendit demokratik me emrin tingëllues Rilindja. Po vazhdoi kështu nuk do festojmë më ditë Pavarësie e ditë vere, as Pashkë e Bajram, por ditëlindjen e Arben Ahmetajt, Damjan Gjiknurit, Ogerta Manastitliut etj. Sot kuksianët janë heronjtë e mi, nesër jam me Lulzim Bashën për balancë demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura