Gjebrea: Pse e lashë të fundit Franc Korunin, që i dha zero pikë Elhaidës

Dec 11, 2017 | 23:40
SHPËRNDAJE

Sigurisht Ardit Gjebrea e dinte dhe fakti që po e përsëriste dy herë që “blutë” ishin zero pikë, tregonte se diçka do të ndodhte në momentin e fundit. Tabela e pikëve mund të pësonte ndryshime të papritura. Kur të gjithë prisnin që Elhaida Dani të shpallej fituese e “Këngës Magjike”, me këngën “E ngrirë”, i fundit që jep pikët del kantautori Franc Koruni, i cili vendos t’i japë zero pikë këngëtares dhe 30 pikë Kastro Zizos.

Ky zeropikësh për Elhaidën, la në krye të tabelës këngëtaren Anxhela Peristeri. Të dyja këngëtaret mbetën të shtangura, po aq sa edhe publiku apo teleshikuesi. Por ishte gjithsesi një befasi e pranueshme, pse jo dhe e bukur, pasi kënga e Anxhela Peristerit ishte më e duartrokitura në sallë dhe ndër më të pëlqyerat në rrjetet sociale dhe “Youtube”.ardit-gjebrea

Franc Koruni jo pa qëllim u la në fund. Në njëfarë mënyre, vlerësimi i tij u “përdor” nga produksioni. Siç dihet, finalistët dhe çmimet e para të festivalit “Kënga Magjike” jepen nga vetë pjesëmarrësit. Sigurisht ata nuk votojnë live. Votimi është i regjistruar më herët dhe produksioni sigurisht që e di se cili është fituesi i çmimit të parë. Këtë herë, për të shtuar pak tensionin e garës, aq më tepër që vendi i parë dhe i dytë këmbeheshin vazhdimisht me njëri-tjetrin dhe nuk kishte një fitore të qartë, votimi i Korunit u la për në fund. “Kur jepen vlerësimet, bëhet edhe pak spektakël.66518-640-0-5a2db8904d0da

Vendoset për në fund Franc Koruni që i dha zero pikë Elhaida Danit, për të krijuar emocionin e fundit. Kur të gjithë njerëzit prisnin që Franci të thoshte 30 pikë: Elhaida Dani, ai ia jep Kastros dhe mbetet Anxhela në vend të parë”, shpjegon Ardit Gjebrea tek “E diela shqiptare”, ku siç është kthyer në traditë, një ditë pas festivalit, ka ftuar finalistët e festivalit, që shfrytëzojnë këtë rast, për të nxjerrë edhe inatet me njëritjetrin për pikët që kanë marrë. Por këtë vit, shigjetat më të forta u hodhën ndaj Francit, që u la për në fund.

VOTIMI I FRANC KORUNIT

Për të shpjeguar pikët e tij në festival, Ardit Gjebrea zhvilloi një lidhje telefonike me Franc Korunin, i cili do të thoshte se s’kishte asnjë vrarje ndërgjegjeje dhe se pikët i ka dhënë pa asnjë lloj ndërhyrjeje, mbështetur në shënimet që ai ka mbajtur gjatë festivalit. “Të gjithë prisnin që unë të thosha Elhaida, por unë thashë Kastro Zizo. Unë mendoja që Kastro e meritonte çmimin.

Unë u lashë për në fund për efekt spektakli, por filluan komentet nëpër portale, duke thënë që ishte gjithçka e menduar, përse prite aq gjatë për çmimin, pse ke shitur votën dhe gjithfarë komentesh. Unë kam mbajtur shënime deri në fund të spektaklit me 3-4 komente për çdo këngëtar dhe komentet më të mira i kam bërë bashkë dhe në fund më mbetën 5 pikët e fundit për alternativa ekstra në votim.

Doja të ndaja dy gjëra: Së pari, kam votuar me kokën time, sepse unë nuk njoh personalisht asnjë nga këngëtarët dhe ata e dinë shumë mirë. Më ka ardhur një telefonatë nga një prej elementëve të finales, që unë nuk dua ta përmend, por më vret ndërgjegjja që në ato 5 pikët e fundit mua Elhaida Dani më shpëtoi”, shpjegon Koruni, që gjithsesi thotë se edhe sikur t’i kishte dhënë Elhaidës 5 pikë, nuk do ta kishte nxjerrë dot fituese, pasi vendi i parë dhe i dytë kishin një diferencë prej 11 pikësh.66516-640-0-5a2db85850060

“Më pas u qetësova se në bazë të shënimeve të mia në provat gjenerale, unë Elhaidës nuk i jepja dot më shumë se 5 apo 6 pikë, ndërkohë që mësova se duhej të ishin mbi 10 pikë që të bënin diferencën në çmim. Unë nuk votova Elhaidën apo Kastron, por këngët. Nëse do merremi me njerëzit, aty ka djem dhe vajza shumë të mira që meritojnë të gjithë çmimin e parë. Unë u mbështeta vetëm në shënimet e mia që kam mbajtur nga fillimi deri në fund”, tha ai.

/Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura