Jemin Gjana përplaset me Havarin: Emrat që janë rikthyer në PD

Oct 13, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Rikthimi i ish-nënkryetarit të PD-së, Jemin Gjana, në kryesinë e Partisë Demokratike dhe drejtimi prej tij i Departamentit për Kontributet Historike në këtë parti, nuk është mirëpritur nga ishdrejtori i Policisë Bashkiake, Mit’hat Havari.

Havari/Gjana
Havari/Gjana
Në një reagim në rrjetet sociale, ish-drejtuesi i lartë i Policisë Bashkiake, Mit’hat Havari, e ka cilësuar Gjanën si ish-sekretarin e Rinisë Komuniste që ka marrë për detyrë të riformatojë PD-në. Qëndrimet e Havarit i referohen një interviste të dhënë këtë të diel për “Panorama” nga ishministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, në të cilën ky i fundit ka shpjeguar rolin që do të ketë departamenti i ri i krijuar në PD dhe vlerësimi që u duhej bërë një sërë personalitetesh, të cilët ishin lënë në harresë nga e djathta.

Në reagimin e tij, Havari i është referuar edhe punës së dobët të Gjanës në kohën kur mbante postin e ministrit të Bujqësisë duke shprehur rezerva për individët që PD ka vendosur të përzgjedhë për të ardhur sërish në pushtet.

“Ky Jemin Gjana, ish-sekretari i Rinisë Komuniste të diktaturës, një mediokër, që mezi ka marrë dhe diplomën e universitetit. Një shërbëtor ultra i Sali Berishës, një nga ministrat më të paaftë që ka pasur pseudo e djathta, se e djathtë nuk ka qenë ndonjëherë. Tani ky do të shkojë dhe do të rregullojë PD-në, do e ringrejë të marrë pushtetin. Nuk më ngelet veç të them, mjerë PD ku është katandisur, mjerë ky popull kë pret ta drejtojë”, shprehet Havari.

REAGIMI
Në një reagimin në “Facebook”, Gjana ka sqaruar pozicionin e tij politik duke përmendur edhe disa nga kolegët, me të cilin do të drejtojë Departamentin për Kontributet Historike. Gjana shpjegon se departamentin e ri në PD as nuk e ka marrë dhe as nuk ia ka dhënë, por do të jetë një punë e përbashkët mes kontribuesve të së djathtës që bashkë me të rinjtë do të përbëjnë shumicën në PD.

“As nuk e kam marrë dhe as nuk ma kanë dhënë funksionin e kryetarit të Departamentit Për Kontributet Historike në PD me qëllimin për të ribërë PD-në. Jo dhe jo. PD ka qenë, është dhe do të jetë jo si pronë individësh, përfshirë dhe unë ndër ta, por si një frymë antikomuniste e demokratike. Angazhimi im i sotëm bashkë me kolegë të mi si Ilir Bano, Gëzim Zilja, Luan Skuqi, Buron Kaceli, Pal Dajçi, Fredi Olli, Astrit Bushati, Marjeta Zaçe, Osman Metalla, Agron Çoku, Astrit Memia, Tasim Mema, Ylber Vata, Ibrahim Morina, Rruzhdi Keci, Galip Ramadhi, Ylli Pango dhe disa të tjerë që po bashkëlidhen përditë është të ndërtojmë një departament në selinë qendrore të PD-së, me qëllim sistemimin e të dhënave për të gjitha burimet njerëzore, me të cilat PD ka drejtuar në parti dhe në qeverisje, përfshirë edhe Havarin, drejtor në qeverisjen tonë dhe havarët pa asnjë dallim”, shkruan Gjana.

Sipas ish-ministrit, “mllefosja” e Havarit dhe të tjerëve si ai vjen pasi edhe vetë ai e di se kjo qasje e re përbashkuese ndërton shumicën.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura