“Gishti”, një shqiptare e një serbe ngjisin dramën në skenë

Mar 16, 2018 | 13:20
SHPËRNDAJE

AGIM JANINA

Në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, salla “Goethe”, drama “Gishti”, e autores nga Kosova, Doruntina Basha, vjen si një risi në gjetje të thjeshtë. Diptik me dy personazhe, vjehërr – nuse, në një simbiozë lidhjeje të veçantë. Vënia në skenë është bërë nga regjisorja serbe Bojana Laziç, regjisore në Teatrin e Beogradit. Para një viti, drejtori i Teatrit Eksperimental, Kiço Londo, i dërgoi një mesazh kërkesë. “Isha e lumtur ta vija në skenë në Tiranë, shprehet regjisorja, sepse e pëlqeja shumë këtë dramë. Në vitin 2012, e kisha parë në Beograd, ku ka fituar, si drama më e mirë eksperimentale. Më joshi menjëherë.

drama gishti

Në karrierën time ishte për herë të parë që provoja një skenë me 360 gradë. Kiço Londo më tha, a mund të më shkruash se çfarë lloj aktoresh do. Iu përgjigja se dua aktore ekselence, shumë të mira. Nuk i zgjedh aktoret nga pamja e jashtme, këmbët e gjata, flokët etj.. Bie në dashuri vetëm me energjinë. Erdha këtu pa ditur asgjë. Kërkova një audicion për zgjedhjen e dy aktoreve. Kishim pesë ditë audicion. Për Zojën janë bërë tri të tilla dhe për Shkurtën katër. Në fund, zgjodha Rozën dhe Inën. E rëndësishme është kimia që kanë dy aktorët. Nuk është e rëndësishme të jenë aktorët më të mirë, por kam nevojë të kem një çift të mirë, të komunikojnë mirë me njeri-tjetrin, të krijojnë duedramën (dramën me dy personazhe)”.

Një dramë me dy personazhe është në kufijtë e të pamundurës. Kërkon diç më shumë, një konflikt të madh, jo në madhësi, por në esencë, në thelb. Gjendet e tillë në strukturën, ku ndërtohet shoqëria, embrioni i saj, organizimi, ku si themel shpërfaqet natyra njerëzore, ku shoqëria ngre vlerat, moralin dhe të drejtat. Tharmi i plotë përbërës mban, i jep frymëmarrje dhe shumëzim personazheve të tjerë:

– fqinjët përreth, si opinion shoqëror, djali i munguar, babai i larguar, i pakujtuar:

– ky është qerthulli, ku vërtitet ngjarja e merr jetë konflikti. Bojana Laziç kap thelbin, joshet prej kumtit të saj dhe e ve në skenë dramën e Doruntina Bashës, shqiptares nga Kosova. Është një mrekulli, dëshmi e forcës së artit, që nuk njeh kufi, kombësi e atdhe, sepse drama ka kumt gjithëpërfshirës, cek e prek çdo shoqëri, ku secili e ngre në skenë në origjinalitetin e marrëdhënieve e kushteve të tij. Piktori impresionist francez, Renuar, shprehej se ndërtimi i një kompozimi në pikturë, i ngjan rindërtimit të një skene krimi.

I tillë është edhe roli e regjisorit, i duhet që me anë të aktorit të rindërtojë dhe në se shkrimtari i jep jetë fjalës, piktori i jep jetë figurës, regjisori ka një mision më të madh, sepse ka njeriun e gjallë, që i duhet ta përjetësojë në personazh dhe t’i japë jetë një drame njerëzore, të shtrirë në kohë. Sipari hapet me batuta të rëndomta, pa ndonjë vlerë, hidh e prit, shprehëse të konfliktit të përjetshëm vjehërr – nuse. Emrat kanë semantikë të veçantë shprehëse.

E para, Zoja (Zonja) autoritare, kërkuese, shtypëse, detyruese dhe shpesh agresive dhe pa ndjenjë. Shkurta (Jetëshkurtra), nusja e bindura e përjetshme, pranuese e fatit të nënshtruar. Dy personazhet vijnë rrotull, sikur nuk dinë se ku të shkojnë, në një botë të vogël, katër mure të shtëpisë. Njihet vështirësia e aktorit në një skenë të tillë, ku skenografia është tejet e thjeshtë. Lëvizjet duhen bërë për të mos mbuluar njeri-tjetrin, të ketë shikueshmëri në çdo anë. Kur njëra është kthyer me kurriz, tjetra duhet të jetë përballë shikuesit.

Nuk është problem për të bërë lëvizjen, por duhet bërë sa më natyrale, që të mos i vendoset shikuesit, të mos duket si mizanskenë e vendosur me qëllim. Skena është 360 gradë dhe shikueshmëria e spektatorit është e plotë. Aktorët në skenë rrokin të gjithë shikueshmërinë në lidhje të plotë. Kjo është dukja. Dalëngadalë, batutë pas batute, ku shikuesi edhe qesh, zbulohet një dramë – tragjedi. Djali i shtëpisë ka dhjetë vjet i larguar në luftë dhe ndërsa të tjerë janë kthyer të gjallë apo të vdekur në qese të zeza, ai mungon. Nëna pret dhe shpreson kthimin. Ndërkohë, përgatisin tavolinën, duke gatuar ato ç’ka djalit i pëlqejnë të hajë.

Tavolina e përditshme e jetës. Kanë dhjetë vjet që e bëjnë në përgatitjen, në dukje ceremoniale, por e mbushur plot batuta lëvizëse dhe fjalë fluturake, që e zhveshin nga fryrja, duke e kthyer edhe në një grindje gati trupore ndërmjet tyre. Ndërsa bëhen përgatitjet, fillon kthesa dhe lind tragjedia. Shikuesi nuk qesh më nga batutat e lëshuara. Ato tashmë kthehen në klithma buçitëse. Nusja kumton: – Çdo gjë që po bëjmë është e kotë, kinse e vërtetë, bile qesharake, sepse djali kurrë nuk do të kthehet. Ai ka vdekur!

Nëna, tashmë nuk është më vjehrra (Roza Kostani) meket, kontraktohet, i gjithë trupi ngrin, koka i ngrihet përpjetë si në një lutje, por ajo nuk bën më punë. Edhe pse e di, e ndjen, e kupton vdekjen e tij (tashmë kanë kaluar dhjetë vjet dhe ato janë të mjaftueshme për ta kuptuar), ende shpreson, ende e pret, ende nuk do ta pranojë. Në sallë dëgjohet klithma. Kuja e nënës çan e gris ajrin. Një herë. Dy herë… Ndërkohë nusja (Ina) është edhe ajo e dërmuar, e thyer, e dhimbshme. Nga sytë, lot të nxehtë zbresin faqeve si një çast magjie, ku dhimbja dhe humbja lidhen me shembjen e gjithçkaje. Tashmë, ç’do të bëhet? Ku do të shkojmë?

Lidhja e vetme, djali dhe burri i shtëpisë nuk është më. Zojën, edhe pse e reja i “ka marrë” të birin dhe bëhet xheloze për lidhjen e tyre, përsëri e sheh si lidhjen e vetme me të birin. Është ajo që e mban në jetë, i jep frymë, që e bën të mendojë, të largojë opinionin e jashtëm, sepse e gjithë jetë e saj është e lidhur vetëm brenda katër mureve. Asgjë më shumë. Pa nusen këput çdo lidhje. Ajo i jep pushtet, komandë, forcën e ligjit dhe të moralit, ndaj e kërkon dhe e largon, e do dhe e urren, një furi ndjen19 jash të kundërta në lidhjen e vetme, që vjen e zbehet e shthuret ngadalë. Edhe Shkurta është në të njëjtat mëdyshje. Është nëna e të shoqit dhe i duhet ta durojë. Kështu është ndërtuar jeta, kështu ka qenë dhe…

Por deri kur? Vjehrra është e shkuara. Nusja e ardhmja. Por nusja sheh të ardhmen te vjehrra. Si ajo, ka qenë vjehrra e re. Si vjehrra sot do të bëhet nusja nesër. Të dyja bëhen e sotmja e vjetër. Aktorët kanë një dyzim të rolit, një mbishtresë interpretimi, sepse veç luajtjes së rolit të vjehrrës e nuses, vetë ato si personazhe, do të luajnë rolin e pakuptimtë të përgatitjes së një darke për djalin e munguar e që nuk kthehet kurrë. Tragjedia kërkon shpjegim.

Kush është fajtori, përgjegjësi i kësaj gjendjeje thuajse në kufijtë e kotësisë, ku mungesa e idealit, dëshirës për të jetuar kthehet në një mbijetesë pa kuptim, në një lidhje edhe më pa kuptim. Një bashkëbisedim absurd. Nusja është e re dhe ka ende shumë jetë. Kaq është – një qerthull i mbyllur nën thirrjen e gjetur si lajtmotiv. Sa shumë era myk mban shtëpia. Myk në rroba, myk në çanta, myk në ajër, myk në shpirt… Myk e gjithë shtëpia! Theksimi i mykut në hedhjen e batutave është gjetje në zhvillim të idesë. Myku i së kaluarës ka hyrë thellë.

Shtëpia nuk qëndron në këmbë. Një botë e vdekur e pakallur, dhomë e kthyer në arkivol, botë e vogël, e largët, e veçuar nga realiteti jashtë. Është tronditur në themele. Është tepruar në mohimin e të drejtave për jetën, lirinë e individit, këputja dhe largimi nga lidhja nuk të thotë asgjë. Përkundrazi, i bëjnë të vdekur duke qenë të gjallë. Kthejnë personazhet në robotë me një bashkëbisedim të thjeshtë, pa asnjë vlerë, pa asnjë ndjenjë, thjesht flasin që të ndihen se janë gjallë, por nuk ka rëndësi se çfarë flasim.

Drama fiton përgjegjshmëri, fillon e merr frymëmarrje, kërkon e godet muret e shtëpisë, që si mure qelie burgu, mbajnë ndrydhur dy shpirtra femërorë, që çdo orë e çdo ditë në përjetësi vetëluajnë dramën e tyre të dhimbshme. Në prolog kemi “zgjidhjen” e konfliktit: nëna drejton gishtin, shi drejt atij, që e shkakton tragjedinë: – mentalitetit të mykur, i cili përfaqësohet nga burri, edhe ai i zhdukur. Ka degdisur sa më larg të bijën (legjenda e Kostandinit dhe Doruntinës) dhe ka shpënë djalin në një luftë pa kuptim. Nënshtresa e dramës nuk është as lufta dhe as paslufta.

Ato thjesht janë të papërcaktuara. Lufta dhe paslufta kanë dalë në shesh, thjesht për të “lidhur” dramën, por ajo ngrihet më lart si një çështje më përgjithësuese, një çlirim nga robëria e një shoqërie të mykur, me mure kinse të fortë, të parrëzueshëm, përjetësisht njëherë e mirë të vendosur dhe të pranuar. Çlirimi i femrës në shfaqjen e saj të merituar është boshti, ku lidhet nyja dhe bërthama, që duhet të zgjidhet e shpërthejë. Kështu, shfaqja ka një theks të fortë feminist, jo vetëm se personazhet janë femra, por se tehu drejtohet shi në vetë ato. Femrat janë problemi dhe zgjidhja e tij. Mashkulli edhe pse nuk është, i ndihet prania.

Hija e rëndë endet kudo, zotëron dhe shtyp njëherazi. Vjehrra është në mbyllje të jetës dhe pasi ka kaluar gjithçka përjeton e reja, nuk bën asnjë veprim të kundërtën. Tani është radha ime. Do të vijë edhe radha jote. Edhe ti do të sillesh po njëlloj si unë. Qarku mbyllet dhe kërkohet rrugëdalja. Ngjarja mund të lidhej me emigracionin, pra, djali mund të kishte ikur në emigracion dhe kishte harruar nënën dhe gruan, mund të ishte burgosur dhe nuk dihej se ku, apo dhe çdo subjekt tjetër. Por subjekti në vetvete nuk ka vlerë e rëndësi. Ajo që del në sipërfaqe hap pas hapi është çlirimi nga makthi i një jete shtypëse, të varfër, deri në kufijtë e pakuptueshmërisë. Është tharë lëngu i jetës. Është zhvlerësuar kuptimi i saj.

Atëherë kur nuk pritet dhe fillimisht duket si një “deus ex machina”, gishti (simbolikë e gjetur), drejtohet mbi autorin e vërtetë – babain, plakun e shtëpisë! Është ai personazhi kryesor. Nuk del në skenë. Nuk ka fytyrë, fizionomi. Por e zgjidh konfliktin. Ai dënohet. Drejt tij shkon gjithë revolta, gjithë urrejtja dhe “vrasja” e tij, sjell çlirimin e personazheve vjehërr dhe nuse. Autorja e ka futur largimin si një element plotësues së mentalitetit të vjetër. Nëna vuan se ka vajzën larg. Babai e kundërta. I lumtur që e ka vajzën larg, sepse për të ajo është plaçka e huaj dhe fati i dikujt tjetër. Ndaj edhe e ka emrin Shkurta, por mund ta kishte edhe Sose apo Mjaftime, emra që kanë konotacion negativ.

Këto janë pjesë e kodeve zakonore, zbatuar në kohë të ndryshme. Tashmë në finale ato njehsohen në një. Jeta e tyre është e shkatërruar, e mbyllur brenda katër mureve, ato mure që duhen shembur… dhe shikuesi e ndjen shembjen e tyre. Dyert hapen. Ato dalin jashtë dhe ndjejnë ajrin e freskët dhe lirinë e të jetuarit… Tashmë, asgjë nuk do të jetë më si dje! Skenografia shprehet thjesht. E vendosur në qendër, rrethuar nga shikuesit, loja e aktoreve luhet pranë syve të tyre.

Kjo i vë aktoret, Rozi Kostani dhe Ina Morinaj, para një interpretimi të thellë fizik dhe psikologjik, ku u duhet të përballojnë e shprehin gjithë forcën shpirtërore, të nxjerrin nga vetja më të mirën dhe të japin më jetësoren. Të dyja ia dolën mbanë, jo thjesht duke interpretuar, por duke e ndjerë rolin në çdo qelizë të shpirtit. Është një brez i ri i talentuar, kërkues, shprehës, rrjedhojë e një shkolle dhe dashurie të madhe për teatrin e vlerat që ai mbart. Drama dëshmon edhe një herë, se nuk është sasia e personazheve, batutat e hedhura, loja si qëllim në vetvete, por problemi që ngrihet, kumti ç’ka vepra përçon. Ishte një shfaqje mbresëlënëse, e vështirë për t’u venë në skenë, por ia dolën mbanë me sukses.

Të dyja aktoret Roza dhe Ina, dhanë shpirtin në skenë. “Për mua, thotë regjisorja, është eksperienca e parë, ku nuk punoj në gjuhën e nënës sime dhe të punoj me aktore, që nuk e njohin gjuhën time dhe t’i dëgjoj në një gjuhë që nuk e njoh. Në fillim kishte shumë vështirësi. Si mund të punojmë bashkë, sepse gjuha është shumë e rëndësishme për të komunikuar? Nuk e kam kuptuar shqipen, por kam kërkuar nga aktoret emocione, emocione, emocione, sepse ajo ishte gjuha të cilën mund ta kuptoja. Kjo gjuhë funksionon në Afrikë, në Australi dhe kudo. Pengesa e gjuhës, na bëri që të kërkojmë nëpërmjet gjuhës së emocionit.

Mendoj që kam zgjedhur të duhurat nga të gjitha aktoret që pashë. Më dhanë më shumë se sa unë kërkova. Ndërsa krahasoj Rozin dhe Inën me aktoret që kam punuar në Beograd janë të barabarta, sepse ajo se çfarë ndjej, është gjithmonë e njëjtë. Kemi të njëjtin zjarr, që na vlon brenda. Kur punoj gjatë provave, jap çdo gjë nga vetja dhe kërkoj nga aktorët të më japin çdo gjë nga vetja”. Drejtori i TKES, regjisori Kiço Londo, kërkues, vizionar dhe ëndërrimtar, ka afruar mundësitë për të eksperimentuar dhe ka arritur me sukses ta kthejë Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, në një qendër artistike, e lëshimit të kumteve të mëdha të dramaturgëve e aktorëve, që duan të shprehin idetë e tyre.

*Studiues Arti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura