Gishti i Kryetarit

Feb 22, 2015 | 14:03
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA
 

Edmond Tupja
        Parmbrëmë po zapoja. Që të mos lindë asnjë keqkuptim me lexuesit e vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike, po e përsëris: Po, po zapoja, d.m.th. po zaptoja. Po zaptoja copëra lajmesh duke kaluar nga një kanal televiziv në tjetrin pas ..orës 23:00. Para syve të lodhur nga një ditë tejet e ngarkuar, më kalonin pamje të ndryshme, midis së cilave edhe pamje ndërtesash hijerënda qeveritare (Kryeministri e ministri), parlamentare (Kuvend), shkencore (akademi e institute kërkimore), vendore (bashki e minibashki), pa harruar prokuroritë, gjykatat e niveleve të ndryshme, komisariatet e plot të tjera, numërimi i imët i të cilave, me shumë gjasë, do ta lodhte edhe më të duruarin e lexuesve të mi të përjavshëm. Duke qenë se isha i tejngopur prej vitesh, madje deri në njëfarë nakatosjeje, nga ndërtesat e lartpërmendura, po matesha ta shuaja fare televizorin, kur befas sytë e përgjumur, por ende kureshtarë më zunë, diku, në zemër të kryeqytetit, dikë që po ecte me biçikletë. “Ah, pa shih, e njëjta biçikletë si e imja! – thashë me vete. – Ah, pa shih, ai që e nget me ngadalë, mbajtka beretë… Qenka edhe me mjekër të thinjur… Me një çantë bojë qielli…” Fërkova sytë dhe mend klitha nga habia: “Po ky qenkam unë!” Për këtë u binda kur vura re se gishtin tregues të dorës së majtë e kishte të fashuar si unë (e kisha prerë lehtë para dy ditësh). Veçse nuk po e merrja vesh se kur më kishin filmuar. Pavarësisht kësaj, e pashë veten tek ngadalësova ritmin e zhvendosjes sime me biçikletë dhe, pas disa sekondash, ndalova. Në të majtë, në njërën prej dritareve të lavdishme të njërës prej ndërtesave hijerënda po aq të lavdishme të qendrës së Tiranës, ishte shfaqur një njeri. I seksit mashkull në pamje të parë. M’u duk sikur m’i kishte mbërthyer sytë. Fytyrë e parë, shumë e parë. Fytyrë kryetari. Befas, ngriti krahun. Ngriti krahun dhe më tundi gishtin. Më tundi gishtin dhe, Perëndia më ndjeftë, pata përshtypjen se po qeshte si me shpoti. Si për të më përshëndetur? Si për të më paralajmëruar? Si për të më qortuar? Nuk po e merrja vesh mirë, aq më tepër që nuk e dallova qartë nëse po më tundte gishtin tregues apo atë të mesit. Sidoqoftë, më duhej detyrimisht, qoftë edhe për mirësjellje të sinqertë apo të shtirur, pak rëndësi kishte, t’i ktheja përshëndetjen. T’i ktheja përshëndetjen ndoshta me të njëjtën monedhë. Atëherë, ngrita krahun e majtë dhe u mata t’i tundja gishtin tregues të dorës së majtë, por u kujtova se e kisha të fashuar dhe se, rrjedhimisht, nuk mund ta tundja. Kështu që, për të mos dalë huq dhe për të mos ngjarë qesharak, tendosa instinktivisht gishtin në të majtë të treguesit tim, dhe e lëviza në shenjë përshëndetjeje të sinqertë. Pastaj i dhashë biçikletës përpara sepse kisha leksion e po bëhesha vonë. Por nuk përshkova as dhjetë metra dhe më ndaluan. Jo, nuk ishin policë. As ushtarë. As demonstrues. Ishin tre djem të rinj. I pari m’u hakërrua: “Si guxon more ti, t’i tundësh gishtin Kryetarit? Dhe cilin gisht, pale!A e di ç’të punoj unë?” Në fytyrë i dallova një mimikë prej homo militantus-i. Po matesha t’i shpjegoja se gishtin tregues e kisha të fashuar dhe nuk e lëvizja dot lirshëm, kur i dyti ma priti gjithë mllef: “Dëgjo, mor’ plak matuf, të rrish gatitu para Kryetarit se përndryshe t’i thyej të gjithë gishtat e dorës si edhe ata të këmbëve dhe ta djeg atë mjekër deri në qimen e fundit!” Në fytyrë i dallova një shprehje prej homo mitingus-si. Po bëhesha gati t’i kërkoja të falur, kur i treti u hodh e më tha me një vrazhdësi mavi në fytyrë: “Na mor’ trap, e di ç’të bëj me atë gisht të qelbur që ia tunde serbes-serbes Kryetarit? Ta pres dhe ta fus në të gjitha vrimat e trupit njëra pas tjetrës!” Në fytyrë i dallova një si tik nervor prej homo carus-i. Atëherë, më pushtoi një zemëratë e paparë dhe zbrita rrëmbimthi nga biçikleta, mirëpo më rrëshqiti këmba dhe mend rashë nga… nga divani ku, tek zapoja në televizor për të zaptuar copëra lajmesh pas orës 23:00, më kishte zënë gjumi dhe kisha parë atë ëndërr me Kryetar, homo militantus, homo mitingus dhe homo carus. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura