Giorgia Meloni, një partnere e besueshme transatlantike

Nov 14, 2022 | 8:28
SHPËRNDAJE

valbona-zeneli1

VALBONA ZENELI

Kur bëhet fjalë për Giorgia Melonin, duhen parë ato që ajo thotë dhe bën, dhe jo për atë që thuhet për të. Fitorja e Georgia Melonit, lideres se Fratelli d’Italia dukej se shihej me një farë hije dyshimi në komunitetin transatlantik, përpara se qeveria e saj të merrte detyrën.

Tani, disa javë pas zgjedhjeve politike dhe pas vlerësimit më të saktë të gjërave që Kryeministrja italiane ka thënë, gjërat duken shume ndryshe nga pikëpamjet fillestare të komentuesve politike. Pa dyshim, zgjedhjet italiane meritonin vëmendje të veçantë. Diskutimet e shumta parazgjedhore në lidhje me parashikimet një qeverie të së “djathtës ekstreme” ngjallën natyrisht shqetësime për rolin e ardhshëm të Italisë në komunitetin transatlantik.

Megjithatë, që në fillim, Giorgia Meloni ka qenë e qartë se Italia do të qëndronte e përkushtuar ndaj shtyllave kryesore të politikës së jashtme, të Bashkimit Europian dhe të Perëndimit dhe kundër qeverive autokratike si Rusia dhe Kina. Ajo ka qenë e zëshme në mbështetjen e saj për Ukrainën, e cila qëndron në kontrast me pozicionet më të paqarta të Silvio Berlusconit të Forza Italia dhe Matteo Salvinit të Legas. Pozicioni i saj personal ka qenë i fortë dhe i palëkundur, edhe pse disa zëra në mesin e partnerëve të koalicionit të qeverisë së saj kanë shprehur simpatitë e tyre për Putinin dhe kanë kritikuar BE-në. Mesimi kryesor në këtë situatë është të dëgjohen ato çka Meloni thotë, dhe jo atë që thonë të tjerët për të.

Të pasosh Mario Draghin në qeverisje, një nga transatlanticistët më konstruktivë në Europë, nuk do të jetë e lehtë, por kjo nuk zvogëlon pozicionin e qartë të Melonit si një atlantiste e vendosur. Në mënyrë të ngjashme, ministri i ri i Jashtëm, Antonio Tajani, ish-Presidenti i Parlamentit Europian dhe një nga transatlanticistët më të fortë në Europë u shpreh së fundmi në një bisedë me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku më i mirë i Italisë në botë. Presidentja e Këshillit të Ministrave, Meloni, ka qenë e qartë se qeveria e saj do të mbetet në linjë me aleatët e saj europianë dhe transatlantikë.

Mbështetja e saj për Ukrainën duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për luftën ka qenë gjithashtu shume e qartë. Në bisedën e saj të parë telefonike me Presidentin amerikan, Joe Biden, të dy liderët theksuan rëndësinë e partneritetit transatlantik, ndërsa nënvizuan marrëdhëniet e forta midis SHBA dhe Italisë. Po kështu e qarte ishte edhe mbështetja e saj për të forcuar marrëdhëniet në dritën e sfidave në rritje ndaj demokracive perëndimore. Përtej deklaratave personale të Melonit, partia e saj, Fratelli d’Italia, së bashku me partitë e koalicionit të qendrës së djathtë, Lega dhe Forza Italia, votuan në favor të furnizimit me armatime për Ukrainën, gjatë kohës që ishin në opozitë.

Ky është një fakt i rëndësishëm sepse në atë kohë vetëm 38 për qind e publikut italian shprehte mbështetje ne lidhje me furnizimet me arme për Ukrainën, në krahasim me vendet e tjera perëndimore ku mbështetja varionte nga 58 në 80 për qind. Po kështu, partia e saj mbështeti qartësisht pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO. Gjatë gjithë kësaj kohe, Meloni ka theksuar vazhdimisht mbështetjen e saj për sanksionet kundër Rusisë.

Qëndrimi besnik ndaj pozicionit të saj, duke marrë parasysh opinionin publik italian, nuk do të jetë shumë i lehtë në të ardhmen. Opinioni publik italian ka treguar, në më shumë se një rast, njëfarë simpatie për Rusinë dhe narrativat apo pikëpamjet e saj në lidhje me luftën në Ukrainë. Kjo mund të shpjegohet me fushatat e përhapura dezinformuese ruse në lidhje me luftën apo edhe në krijimin e pakënaqësisë ndaj BE-së. Nuk ka kaluar shumë kohë, që kur shumë italianë u ndjenë të braktisur fillimisht nga BE-ja gjatë betejës së tyre në vijën e parë me pandeminë Covid-19. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për perceptimin e krijuar në lidhje me mungesën e mbështetjes së BE-së pasi Italia pranonte valë pas valë emigrantësh të paligjshëm. Ndërsa gjërat janë përmirësuar, kujtimet e këqija fatkeqësisht ende kanë mbetur.

Në nivelin strategjik, Melonit i duhet të jetë pragmatike në mënyrë që të përballet me recesionin ekonomik të Italisë dhe të shmangë izolimin politik. Duke pësuar një recesion të trefishtë ekonomik që nga kriza ekonomike e vitit 2008, Italia është i vetmi vend i G7 që ka parë përkeqësim të standardeve të jetesës ne vitet e fundit. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, në vitin 2022 të ardhurat mesatare për frymë të italianëve ishin më pak se 34 mijë dollarë në krahasim me 41 mijë dollarë në vitin 2008. Efektet e kësaj rrëshqitje janë të prekshme dhe të ndjeshme në të gjithë vendin. Gjithashtu, pesha e ekonomisë italiane në atë globale është tkurrur nga 3.3 për qind në vitin 2000 në më pak se 1.9 për qind në vitin 2022.

Sfidat e qeverisjes së brendshme do të jenë ato më urgjentet për Melonin. Ato ekonomike kërkojnë një vëmendje të menjëhershme. Reformat në lidhje me çështjet ekonomike strukturore janë imperative. Italia së fundmi ka adoptuar programin e reformës dhe investimeve, dhe Plani Kombëtar i Rimëkëmbjes dhe i Rezistencës kanë nevojë për një angazhim serioz të palëkundur. Suksesi në përmbushjen e objektivave të synuar do të jete përgjegjës për përmirësimin e sfidave themelore strukturore nga dixhitalizimi i ekonomisë italiane dhe tranzicioni i gjelbër dhe në krijimin e vendeve të punës dhe qëndrueshmërinë sociale. Me 191 miliardë euro, Italia ka përfituar pjesën më të madhe të paketës së rimëkëmbjes ekonomike të Brezit të ardhshëm të BE-së (Next Generation economic recovery package). Qeveria italiane nuk mund ta humbasë këtë mundësi.

DHE PASTAJ ËSHTË KINA…

Italia, si shumë vende të tjera europiane, ra viktimë e joshjes kineze. Pas krizës financiare 2008-2009, investimet nga Kina në Itali kane parë një rritje masive. Blerjet kineze synonin si kompanitë e mëdha ashtu edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në kërkim të teknologjive te zhvilluara, inovacionit dhe tregjeve te reja. Në vitin 2019, qeveria italiane nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi gjithëpërfshirës me Kinën, duke u bërë kështu anëtare zyrtare e Iniciativës Brez dhe Rrugë (Belt and Road Initiative), i pari dhe i vetmi vend i G7 anëtar i iniciativës kineze.

Qeveria e atëhershme shpresonte se anëtarësimi në BRI do të hapte mundësi të reja për tregti dhe investime, një narrative që në atë kohë pati jehonë të mirë në publik, por nuk dha rezultatet e pritura. Në të njëjtën kohë, makineria e konsiderueshme propagandistike e Kinës ishte në funksion të plotë. Përmes fushatave diplomatike dhe duke përdorur gjerësisht mediat sociale, qeveria kineze e paraqiti veten si një mike dhe shpëtimtare për popullin italian gjatë pandemisë së Covid-19, duke nxitur edhe armiqësi ndaj aleatëve tradicionalë të Italisë.

Ndërsa diskursi politik italian orientonte edhe perceptimin publik, ndjenja fillestare me mes popullsisë italiane ishte goxha e favorshme për Kinën. Edhe pse është e vërtetë që tregtia midis Italisë dhe Kinës është rritur ndershmërisht gjatë dy dekadave të fundit, ajo ka qenë padyshim në favor të Pekinit, pasi Kina eksporton më shumë se dyfishin e vëllimit të importeve që merr nga Italia. Eksportet e Italisë përafërsisht 19 miliardë dollarë drejt Kinës zbehen kur krahasohen me më shumë se 45 miliardë dollarë në importet kineze, duke e bërë Kinën partnerin e tretë më të madh të importit. Ndërsa Italia po përmbytet me produkte kineze, eksportet italiane në Kinë përbëjnë vetëm 3 për qind të totalit të eksporteve të saj ndërkombëtare. Është e qartë se optimizmi i Italisë për BRInë nuk shkoi siç ishte planifikuar. Kur bëhet fjalë për transgresionet kineze, Giorgia Meloni ka qenë një zë i lartë kritik.

Duke përmendur rëndësinë e mbrojtjes së vlerave perëndimore, Meloni ka kritikuar sistemin autoritar kinez, trajtimin e pakicave etnike në Xinjiang dhe erozionin e të drejtave në Hong Kong. Shume vite me pare, kur ajo shërbente si ministre në qeverinë e drejtuar nga Silvio Berlusconi, ajo kishte kritikuar hapur politikat kineze ndaj Tibetit, madje edhe duke ftuar atletët italianë të bojkotonin Lojërat Olimpike të Pekinit në vitin 2008. Ajo gjithashtu ka qenë kritike ne lidhje me rolin e Kinës dhe keqmenaxhimin e pandemisë Covid-19, duke mos u pajtuar se Kina kishte luajtur një rol kyç në mbështetjen e Italisë gjatë muajve të parë të pandemisë. Qëndrimi i saj për stërvitjet ushtarake kineze kundër Tajvanit, veçanërisht në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në Taipei, u cilësua si “sjellje e papranueshme e Pekinit” dhe se, “…Bashkimi Europian është një treg i rëndësishëm për Kinën, që rrezikon të mbyllet nëse Pekini vendos të sulmojë Tajvanin”. Duke shprehur mendimin e saj për anëtarësimin e Italisë në BRI, ajo pati deklaruar gjithashtu se ishte një “gabim i madh” duke sugjeruar se do të ishte shumë e vështirë qe marrëveshja të zgjatej në vitin 2024, në kushtet aktuale.

DHE PASTAJ JANË MARRËDHËNIET TRANSATLANTIKE…

Në tablonë më të gjerë të tregtisë ekonomike, lojtarët e vërtetë janë ata te ekipit transatlantik. BE-ja (kryesisht Gjermania dhe Franca) dhe SHBA janë partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Italisë. Që nga viti 2010, tregtia midis SHBA dhe Italisë është pothuajse dyfishuar nga 41 në 76 miliardë dollarë ne vitin 2021. Ne perspektiven tregtare, ndryshe nga marrëdhëniet me Kinën, bilanci tregtar ka qenë gjithmonë pozitiv për Italinë. (Vitin e kaluar, për shembull, ishte pothuajse 39 miliardë dollarë, pra, mw shumw eksporte italiane nw SHBA sesa importe amerikane). Kompanitë italiane kanë investuar në mënyrë kumulative 35 miliardë dollarë në SHBA – më shumë se trefishi i asaj qw kanw investuar nw Kinë, që është më pak se 10 miliardë dollarë. Por nga ana tjetër, duke përfituar nga kriza ekonomike 2008-2009, kompanitë kineze (sidomos ato shtetërore) kanw investuar ndjeshëm në blerjen e kompanive italiane në vështirësi.

Me një shumë kumulative prej 16 miliardë euro deri në vitin 2021, Italia u bë ekonomia e dytë më e rëndësishme për investimet kineze në Bashkimin Europian, pas Gjermanisë. Për krahasim, për kompanitë italiane, avantazhet e sipërmarrjeve të biznesit që varen nga sundimi i ndershëm i ligjit dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale i bëjnë investimet dhe tregtinë me ShBA shumë më të zgjuara dhe fitimprurëse. Gjatë fjalimit të saj të parë si Kryeministre në Parlament, Meloni nënvizoi rolin e Italisë si një anëtare themeluese e aleancës perëndimore. “Aleanca transatlantike garanton për demokracitë tona një kornizë paqeje dhe sigurie, të cilën ne e marrim si të mirëqenë”, tha ajo. “Është detyrë e Italisë që të kontribuojë plotësisht, duam apo jo, sepse liria ka një çmim, dhe se çmimi për një shtet është kapaciteti që ka për tu mbrojtur dhe besueshmëria në kuadrin e aleancave”. Italia do të jetë një partner i besueshëm i aleancës transatlantike, duke filluar nga mbështetja për popullin ukrainas që kundërshton pushtimin rus. Pra, kur bëhet fjalë për Giorgia Melonin, është për ato që ajo thotë dhe bën, jo për atë që thuhet për të.

Dr. Valbona Zeneli është Profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare dhe Drejtuese e Departamentit për Iniciativat Strategjike në Qendrën Europiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë. Ajo është gjithashtu eksperte e Europe’s Future në Institutin për Shkencat Humane në Vjenë. Joseph Vann është Profesor i Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Qendrën Europiane George C. Marshall për Studimet e Sigurisë. Ai është gjithashtu ishzëvendësdrejtor dhe Këshilltar Strategjik i NCIS. Botuar te “The National Interest”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura