Gianni De Biazi me patronazhist socialist/ Reagon Presidenti Meta: Pse habitesh i dashur mik, si të mos kesh edhe ti një spiun kur je edhe shtetas shqiptar?!

Apr 21, 2021 | 13:31
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas lajmit të publikuar ekskluzivisht nga Panorama Sport, se edhe ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare Gianni De Biazi e kishte një patronazhist, të caktuar nga Partia Socialiste.

ilir meta de biaziPër Kreun e Shtetit kjo nuk është e habitshme, pasi nuk kishte si të ndodhte ndryshe që të jesh shqiptar dhe mos kesh një spiun.

 “Pse habitesh i dashur miku i të gjithë shqiptarëve Gianni De Biazi? Si të mos kesh edhe ti një spiun kur je edhe shtetas shqiptar dhe kur çdo votues duhet të ketë një spiun nga pas?”, shkruan Meta në Facebook.

PATRONAZHISTI I DE BIAsIT

Panorama Sport mësoi se patronazhisti i Xhani De Biazit quhet Alban Hoxha. Nuk ka asnjë të dhënë që konfirmon se kemi të bëjmë me portierin e Partizanit dhe të Kombëtares shqiptare.

Në listën që po qarkullon tashmë prej ditësh dhe që është shndërruar në një debat kombëtar, figurojnë dhjetëra persona me të njëjtin emër dhe mbiemër me atë të portierit të Partizanit.

”Nga të dhënat që ka raportuar patronazhisti i De Biazit, ai e cilëson ish-trajnerin e Shqipërisë si një votues “jo të sigurt” për PS-në. Ndërkaq, në tabelë mungon numri i telefonit të trajnerit, ndryshe nga mijëra qytetarë të tjerë që e kanë numrin në atë listë. Kjo ndoshta, sepse prej 4 vitesh De Biazi nuk jep asnjë të dhënë në “e-albania”, pasi është larguar nga detyra që mbante si trajner i Shqipërisë dhe sot drejton Azerbajxhanin. Kujtojmë që trajneri italian ka edhe nënshtetësinë shqiptare dhe ka votuar në zgjedhjet e vitit 2017.

 

de biazi

REAGIMI I DE BIAZIT

Për këtë reagoi edhe vetë De Biazi, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” tha se kjo quhet spiun. “Gjeni këtë tipin që më spiunonte mua edhe pyeteni, nuk dua fare të merrem me këtë”, u shpreh ish-tekniku i kuqezinjve.

Mister, a keni dëgjuar ndonjëherë për “patronazhistin”?

Ç’dreqin është ky?

Është një vullnetar që aderon në një parti dhe siguron të dhëna për qytetarë të ndryshëm, të cilët ai i ka në “patronazh” dhe informon se për kë votojnë, çfarë bindjesh kanë etj…

Edhe ç’lidhje kam unë me këtë?

Prej disa ditësh në Shqipëri është bërë publike lista e Partisë Socialiste për qindra mijëra qytetarë dhe aty figuron edhe emri juaj.

Po me mua ç’kanë? Pse duhet të jetë emri im aty…?

Po, sepse edhe ju keni një patronazhist…

Prit pak prit, se këtë termin që përdorni me sa kuptoj e keni fjalën për dikë që raporton për mua apo për të tjerë se çfarë bëjmë, kë votojmë, etj…

Pak a shumë…

Ah, po dakord pra, por thuaj “spiun”. Këta janë spiunë… Pra edhe unë e paskam një spiun?! Uh, e çuditshme.

Patronazhisti juaj quhet Alban Hoxha…
Hëm… as ia kam idenë. Paska edhe të njëjtin emër me portierin, por nuk kam asnjë lidhje. As kemi pasur ndonjëherë biseda së bashku për politikë, as nuk e kam idenë nëse bëhet fjalë për të njëjtin person.

Ju lutem, unë nuk jam përfshirë ndonjëherë me politikën. Më del dhe më tepron sporti. Dua të qëndroj jashtë kësaj. Sigurisht, sapo mësova një gjë të çuditshme, por nuk dua të përzihem fare. Gjeni këtë tipin që më spiunonte mua edhe pyeteni, nuk dua fare të merrem me këtë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura