Gëzim Kame: Si do ta bëjmë bashkë Ballkanin në një Festival Teatror

Aug 18, 2016 | 18:23
SHPËRNDAJE

Thuajse 10 vite më parë, bashkë me ëndrrën për të ndërtuar një teatër të hapur për të pritur e përcjellë jetën artistike të kryeqytetit a më gjerë, Gëzim Kame ëndërronte edhe të organizonte një festival teatri të përmasave të atij që është duke organizuar sot.

Regjisori Gëzim Kame
Regjisori Gëzim Kame

Jo se iu desh kaq shumë kohë për të ndërtuar teatrin, atë e pati realizuar vite më parë, por ja që sjellja e trupave të huaja për të bujtur në “shtëpinë” e tij nuk ishte dhe aq e thjeshtë.

As sot që është në vigjilje të Festivalit Ballkanik të Teatrit, nuk se e realizoi brenda ditës. Ka më shumë se një vit që i ka shërbyer idesë së 10 viteve më parë. Sigurisht që pengesa e parë që shfaqet në të tilla raste janë fondet. Pikërisht ato që mundësojnë realizimin e aktiviteteve të këqija e atyre të mira. Sado që projekti i Kames bënte pjesë në kategorinë e dytë, u desh të kalonin disa vite përpara se ta konkretizonte.

“Që kur është ndërtuar resorti ‘Kame’, nuk ka qenë ideja për ta përdorur si biznes. As restorantin, as pishinën e as shtëpitë e drurit. Ishte menduar për t’u shfrytëzuar pikërisht siç do të shfrytëzohet gjatë kësaj jave të Festivalit të parë Ballkanik të Teatrit në Tiranë, pra, të zhvilloheshin në të vetëm aktivitete kulturore”, tregon regjisori Gëzim Kame. Në fakt, idenë e tij fillestare e kemi parë të realizuar më së miri gjatë gjithë kësaj vere, në teatrin e hapur buzë lumit. Për fundjava të tëra kemi parë aty shfaqjen -e cila iu rikthye skenës në nder të kujtimit të aktorit që dikur kishte qenë boshti i saj, Roland Trebickës: “Të gjithë me huqe”.

Pas saj, “Një jetë me ty” me regji të Erion Kames vijoi programin e verës në Teatrin “Kame” për të mbërritur në fund të gushtit, konkretisht më datë 29, kur trupa e zgjedhur shqiptare do të hapë Festivalin Ballkanik të Teatrit në Tiranë.

“U bë një kohë e gjatë që punoj për këtë projekt dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për ta realizuar për shkak të mbështetjes së munguar. Duke qenë se, me gjithë mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Bashkisë së Tiranës, Vodafone dhe Ministrisë së Turizmit, buxheti ngelet përsëri i kufizuar, në këtë edicion të parë nuk kemi mundur të sjellim trupa nga të gjitha vendet e Ballkanit, por janë pjesëmarrëse më shumë se 60 %. Sidoqoftë, nuk mund të pritet arritje absolute që në edicionin e parë, ndryshe çfarë do të përmirësonim në ato që do vijojnë e që do ta kthejnë këtë festival në traditë”, vijon regjisori.

TRUPAT PJESËMARRËSE

Në këtë edicion të parë të Festivalit Ballkanik të Teatrit në Tiranë janë pjesëmarrëse 6 trupa teatrosh nga Ballkani. Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Shqipëria, Bullgaria, Rumania dhe Greqia do të shfaqin pjesët e zgjedhura për çdo mbrëmje, duke nisur nga 29 gushti, në Teatrin “Kame”. Festivalin do ta hapë trupa shqiptare, për të vijuar më pas me radhë me të gjitha vendet.

Posteri i shfaqjes së trupës së Kosovës
Posteri i shfaqjes së trupës së Kosovës

“Edhe nëse e kanë dhënë shfaqjen e tyre, trupat do të vijojnë të qëndrojnë në resort. Është konceptuar i gjithë aktiviteti si një festë e të gjithëve ku, pas përfundimit të shfaqjes, secili prej vendeve, do të shtrojë darka me kuzhinën përfaqësuese të vendit të tij. Për të zgjedhur shefat më të mirë, janë kujdesur ambasadat e vendeve pjesëmarrëse. Përveç ushqimit, muzika karakteristike e secilit prej tyre do të shoqërojë mbrëmjet e gjata të festës. Është ky një rast shumë i mirë edhe për të promovuar Shpellën e Pëllumbasit, një nga pasuritë turistike të Tiranës, që ende shumë njerëz nuk e njohin, jo më ta kenë vizituar”, e duke thënë këtë, regjisori Kame zbuloi edhe një tjetër qëllim të festivalit: promovimin e turizmit.

PJESËT, ÇMIMET DHE JURIA

Sikur të kishte vendosur data të tjera, përpara atyre që janë shpallur tashmë, Gëzim Kame nuk do ta kishte pasur të mundur të bënte bashkë Viktor Zhustin, Sesilia Plasarin, Bujar Kapexhiun, Arian Çanin dhe Olta Gixharin.

Nga shfaqja “Një jetë me ty”, që përfaqëson Shqipërinë
Nga shfaqja “Një jetë me ty”, që përfaqëson Shqipërinë

Të pestë emrat e përzgjedhur janë anëtarët e jurisë që në fund do të zgjedhin pjesën më të mirë, dhe do të japin çmim për aktorin dhe aktoren më të mirë. Trupa greke vjen me pjesën “Kaçaku” të autorit Dhimitris Maniatis dhe të vënë në skenë nga Stamatis Kraunakis. Në një hapësirë të papërcaktuar kohore, “Kaçaku” shfaqet si një personazh i jashtëligjshëm kontradiktor dhe i shumanshëm.

Me një fjalor që buron nga toka ku është rritur, shpreh dashurinë, urrejtjen, zilinë dhe gjëmën. Gjuhë kjo që, mbase mund të mos e kuptojnë shumë prej të pranishmëve të tjerë. Trupa nga Kosova vjen me një pjesë të shkruar nga Haqif Mulliqi, me regjinë e Agron Gërgurit. Teatri bullgar “Lyubomir Kabakchiev” do të sjellë Charls Bukovskin me pjesën “Të gjithë mbi tavolinë”.

Ky teatër është ndjekës i traditave të vjetra teatrale e kulturore që ekziston prej vitit 1998. Teatri “Fabrika” i Shkupit në bashkëpunim me Teatrin Dramatik të Shkupit do të sjellë “Zonjushën Xhulia” të August Strindberg me regji të Xhorxhi Rizeskit.

I fundit, por jo për nga rëndësia, teatri “Tuzëll i Bosnjës dhe Hercegovinës, themeluar në 1991, do të shfaqet me monodramën “Scime Skime Ueu?”… Të gjitha, 29 gusht – 3 shtator në Teatrin “Kame”.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura