Gëzim Kame rikthen “Të gjithë me huqe”, homazh për Roland Trebickën

Apr 27, 2016 | 7:30
SHPËRNDAJE

Kur Roland Trebicka luante rolin e Vinsentit, taksistit që kishte maninë e shifrave dhe të koleksionimit të tapave të shisheve, sigurisht që nuk e mendonte se do të ishte hera e fundit që do ta bënte publikun të qeshte.

Njeriu që u kishte zgjatur jetën të tjerëve me të qeshura, do të kishte edhe fare pak kohë. Ishte viti 2009, kur regjisori Gëzim Kame vuri në skenë komedinë “Të gjithë me huqe” nga Laurent Baffie, një shfaqje gazmore, e pritur shumë mirë nga publiku.

Një lojë si në “terapi grupi”, ku të gjithë aktorët i “hapeshin” publikut, por ku një meritë të veçantë kishte Roland Trebicka, me humorin dhe plastikën e pazëvendësueshme. Kanë kaluar 7 vjet qysh atëherë dhe regjisori Gëzim Kame rikthen edhe një herë në skenë këtë komedi, si një homazh për aktorin, që u nda nga jeta plot tre vjet më parë, por njëkohësisht dhe për të festuar 10-vjetorin e krijimit të Teatër “Kame”.

gezim-kame

Sipas producentit ekzekutiv, Genti Kame, këto dy ngjarje të rëndësishme do të bëjnë bashkë në premierën e 6 majit dashamirësit e artit, mes të cilëve do të jenë të pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe personalitete të larta politike të vendit, trupit diplomatik të akredituar, e pa dyshim nga arti, kultura, ekonomia, media etj.

Kjo vepër vjen në hapje të një sezoni kulturor në këtë skenë në natyrë, duke krijuar një tjetër mundësi për kryeqytetasit, si një produksion privat, me mbështetjen e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

SHFAQJA

Nga afër askush nuk është normal dhe në këtë botën tonë të vogël, gjithnjë e më tepër nën presionin e kohës që fluturon, nuk ka njerëz pa huqe. Por ata të gjashtë vuajnë nga sindroma e mani, që ua kanë bërë jetën edhe më të vështirë dhe në njëfarë mënyre apo në një tjetër, i ka izoluar nga shoqëria. Ndoshta për faktin që publiku sheh veten në mos te njëri apo te tjetri karakter, që kjo vepër ka njohur sukses në të gjitha skenat ku është vënë.

Ngjarja zhvillohet në dhomën e pritjes së kabinetit të psikoanalistit të madh, Dr. Stern, i cili është një specialist me famë botërore i çrregullimeve obsesive compulsive ose (TOC). Ai bën konsulta shumë rrallë në Francë. Personazhet tanë kanë me muaj që e presin, dikush tetë, dikush trembëdhjetë e gjysmë, që e presin që ai të vijë. Dhe janë në hall. Teksa presin që profesori të vijë, ata i zbulohen njëri-tjetrit.

Por në fakt, edhe sikur të mos duan ta bëjnë këtë, janë manitë e tyre që ngrenë krye vetë. Vinsenti vuan nga mania e numërimit. Fredi nga sindroma e fjalëve të pista. Blanshe ka maninë e pastërtisë dhe fobinë e mikrobeve. Bobi vuan nga kompleksi i vijave dhe i simetrisë. Ai s’shkel kurrë mbi vija.

Maria vuan nga frika se gjithnjë ka harruar diçka, çelësat, dritat, ujin, gazin…, përveç Shën Jozefit, që e kundron nga një qoshe e dhomës. Ndërsa Lili, një vajzë e re me një pamje punk, përsërit çdo frazë dy herë… Në të kundërt ka frikë se vdes.

Përveç faktit që të gjithë janë në hall, huqet e tyre krijojnë edhe moskuptime, shoqëruar me nota të forta humori. Me gjithë karakteret e tyre të çuditshme, mes tyre lind edhe një ndjenjë solidariteti. Ndërsa presin doktorin misterioz, që në fakt e kanë mes tyre, ata provojnë të ndihmojnë njëri-tjetrin të zgjidhin problemet që kanë.

AKTORËT

Pas shtatë vitesh, shfaqja vjen me disa ndryshime në trupën e aktorëve. Rolin e Vinsentit, që e luante Roland Trebicka, tashmë do ta luajë Genci Fuga, që asokohe luante rolin e “maniakut të vizave”.

“Figura e aktorit të madh, e gdhendur tashmë në memorien e përbashkët, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në publikun shqiptar. Genci Fuga, një aktor i shkëlqyer i skenës sonë, me përvojë dhe talent të rrallë, sjell në skenë një personazh të veshur me petkun dhe veçantinë e një figure po aq të skalitur dhe tërësisht të re, që do të jetë një nga evenimentet e këtij sezoni dhe risitë e komedisë në vend”, thekson Genti Kame.

Kanë ndërruar rol edhe Eriona Kakeli, e cila nga Blansha shndërrohet në një Marie. Roli i Blanshës vjen nga aktorja Rajmonda Bulku. I shtohet trupës Lulzim Zeqja në rolin e Bobit dhe Elia Zaharia si Lili. Ndërsa Viktor Zhusti i qëndron rolit të Fredit. Sigurisht një trupë e re do t’i japë të tjera nuanca veprës.

Aq më tepër loja në një skenë, që nuk është më ajo e Teatrit Kombëtar, por një skenë në natyrë, çka e ka shtyrë regjisorin që ta rifreskojë e të sjellë para publikut një vepër, që do të tingëllojë si “e re”. Shfaqja do të jetë në skenën e Teatër “Kame”, në Ibë, gjatë të gjitha fundjavave verore në orën 20:00.

Madje do të ketë edhe një autobus në dispozicion, përpos gjithë privilegjet që ofron natyra. Për të gjithë ata që i tremben shiut, Kame garanton se si plan rezervë është edhe ai i mbulimit të skenës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura