Gëzim Kaceli, rikthim në një koncert-homazh

Jun 10, 2014 | 13:43
SHPËRNDAJE

Koreografi Gëzim Kaceli, gjatë punës së tij në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve
“Ju sjellim mjeshtrin”, kështu titullohet koncerti-homazh për nder të një prej koreografëve më të mëdhenj shqiptarë, Gëzim Kaceli. Në 91-vjetorin e lindjes dhe 15-vjetorin e ndarjes nga jeta, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ngjit sot në skenë një koncert me krijime koreografike të mjeshtrit të madh Gëzim Kaceli, me motive nga të gjitha trevat e Shqipërisë. Një program i zgjedhur që vë edhe një herë në pah mjeshtërinë e Kacelit, i cili nuk u vlerësua aq sa duhet gjatë viteve të diktaturës, për shkak të së ashtuquajturës “luftë klasash”. Por edhe me ndërrimin e sistemeve, emri i tij u la në heshtje, edhe pse firmën e tij e mbajnë disa nga perlat e koreografisë shqiptare.
Gëzim Kaceli lindi në Tiranë më 7 qershor 1933. Pasi ndoqi liceun artistik “Jordan Misja”, studimet e larta për Baletmaestër i vazhdoi në “Gitis” pranë institutit teatral “Llanacevski” në Moskë, në 1960. Gjithashtu ai kreu studimet e larta për Regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Që në moshë të re ai aktivizohet pranë shtëpisë së pionierit, dhe me formimin e Filarmonisë së Shtetit ky grup i vogël bëhet bërthama e trupës së baletit të Filarmonisë, më pas (1953) e TOB dhe më 1957 e Ansamblit të Këngëve dhe valleve Popullore. Në veprat koreografike, në të cilat ai performon si solist, spikat talenti si
Koreografi Gëzim Kaceli, gjatë punës së tij në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve
kërcimtar, ku dallon plastika dhe harmonia e cila në vitet e mëvonshme arrin një teknikë të lartë profesionale. Me krijimin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ai caktohet koreograf i parë, themelon grupin e valleve të këtij ansambli dhe realizon me të mbi 13 premiera, duke vënë në skenë me dhjetëra valle si “Vallja e Tropojës”, “Barinjtë e Korabit”, “Vallja Gorance”, “Mozaik Vallesh të Shqipërisë së mesme”, “Valle me motive të Devollit” etj. Aktivizohet me shumë sukses në koreografinë e operetave, si “Vjeshta e artë”, “Karnavalet”, dhe është baletmaestër i baleteve “Kecat dhe Ujku”, “Lulia Haninë” etj. Në krijimet e tij ai u mbështet në motivet e valleve popullore shqiptare, të cilat i kërkonte dhe i gjente të pastra, burimore në çdo cep të Shqipërisë. Punën e nisur në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore e vazhdoi më tej me Ansamblin Artistik të Ushtrisë, ku punoi si koreograf për mbi 10 vjet.
Pas vitit 1990, Gëzim Kaceli punoi si koreograf në Kalabri, ku ra në kontakt me një tjetër kulturë dhe traditë shumë të pasur, atë arbëreshe. Atje krijoi dhe vuri në skenë, me trupat e valleve të këtyre trevave të Italisë së Jugut, dhjetëra valle. U nda nga jeta më 1 mars 1999. Për kontributin e tij u nderua me shumë çmime. Mbante titullin “Artist i Merituar”.
Për nder të tij sot jepet ky koncert homazh me krijimet e tij më të mira. Në program përfshihen edhe këngë, që do të interpretohen nga solistët dhe grupi vokal i Ansamblit. Të ftuar do të jenë këngëtarët Petrit Lulo, Mustafa Mehja dhe Greta Zani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura