Gështenjat, aromë vjeshte dhe minierë vitaminash

Oct 20, 2014 | 14:48
SHPËRNDAJE

Bashkë me aromën e vjeshtës, gjetheve të rëna, frutave të pjekura, rrugëve të qyteteve u shtohet edhe ajo e gështenjave të pjekura. Vjeshta nuk mund të kuptohet pa gështenjapjekësit anë rrugës dhe shëtitjeve me kaushë gështenjash nëpër duar. Por, pak e dimë se gështenjat, këta aleatë të dashur të vjeshtës, aq të pëlqyera nga fëmijë e të rritur, janë një minierë e vërtetë ushqyese. Gështenjat nuk janë vetëm të shijshme, por ideale edhe për këdo që vuan nga anemia dhe mungesa e oreksit, për shtatzënat, por edhe për një ekuilibër të mirë mendor.
Përbëhen nga 50% ujë, 48% karbohidrate, por kanë edhe proteina, fibra, nuk mungojnë kalciumi, fosfori, magnezi, hekuri, potasi, zinku, etj., gjithashtu gështenjat janë një elizir i vërtetë sa i takon përmbajtjes vitaminoze. I përmbajnë gati të gjitha: vitaminat A, B1, B2, B3, B5, B6, B9, por edhe B12, C e D, pa harruar edhe aminoacidet.
Për ata që vuajnë nga mungesa e oreksit dhe anemia, janë më se të këshillueshme, sidomos në vjeshtë, kur është e thjeshtë për t’i gjetur. Falë sasive të mëdha të fibrave, ato janë të shkëlqyera për mirëfunksionimin e aparatit tretës. Mund të konsumohen edhe në formën e miellit.
Te këto fruta vjeshtake nuk mungon as acidi folik, një nga aleatët kryesorë për shtatzëninë. Kjo sepse aminoacidi, i cili zakonisht përshkruhet në formë sintetike, është i aftë të parandalojë disa keqformime në fazën embrionale. Duke qenë shumë të pasura me minerale, ato rekomandohen për këdo që ankohet nga lodhja kronike, për ata që duhet të rimarrin forcat pas një rraskapitjeje virale, për fëmijë e të moshuar. Për shembull potasi është i dobishëm për forcimin e muskujve, fosfori ndihmon në formimin e mbështjelljes nervore, sodiumi për tretjen, magnezi për rigjenerimin e nervave etj.
Falë pranisë së vitaminave B dhe fosforit gështenjat ndihmojnë në mbajtjen e një ekuilibri nervor dhe mund të jenë një ushqim alternativ për fëmijët alergjikë ndaj qumështit, duke qenë se ka një përqindje të lartë karbohidratesh.

Gështenjat në kuzhinë
Gështenjat janë ideale edhe në kuzhinë. Me to mund të përftohen supa të shijshme, kremra për mishin dhe torta dhe ëmbëlsira nga më të ndryshmet. Madje me miell gështenjash mund të gatuhet edhe bukë. Kësaj here ju rekomandojmë një supë, fileto derri dhe një kek me miell gështenjash. Janë të thjeshta për t’u përgatitur dhe përbërësit mund t’i gjeni fare thjeshtë, pa shumë shpenzime.

Supë gështenjash për katër persona
600 gr gështenja
2 feta proshutë krudo
1/2 qepë
2 kokrra karafil
2 gjethe dafine
1/2 litër lëng vegjetal
Bukë e thekur
Kripë
Vaj

Përgatitja
Lani dhe thajeni qepën dhe fusni në të kokrrat e karafilit. Qëroni gështenjat dhe lërini mënjanë. Zieni një litër ujë dhe fusni në të qepën, karafilin dhe dafinën, kur të marrin valë, shtojini gështenjat dhe lërini të ziejnë për 10 minuta, deri sa të zbuten. Gjysmat e gështenjave grijini në mikser dhe pastaj hidhini në një tenxhere me pjesën tjetër të tyre. I shtoni lëngun dhe proshutën e prerë në copa të vogla, hidhini kripë dhe lëreni 10 minuta në zjarr të avashtë. Mbi supën e nxehtë hidhni copëzat e bukës së thekur dhe pak vaj.

Fileto derri me gështenja
1 kg filetë derri
120 gr miell 00
50 ml marsala
50 ml vaj ulliri
40 gr gjalpë
200 gr gështenja
rozmarinë
1 gjethe dafine
50 ml pana kuzhine
Kripë
Piper

Përgatitja
Pasi t’i keni çarë gështenjat, ziejini për rreth 40 minuta bashkë me një gjethe dafine. Kaloni në miell filetot e derrit. Qëroni gështenjat. Vendosni në frulator gështenjat, bashkë me panën, rozmarinën, kripën, piperin, dy lugë vaj ulliri, derisa të përftohet një krem homogjen. Hidhni në një tigan 40 ml vaj bashkë me gjalpin dhe skuqni filetot e derrit, duke i kthyer pas 5 minutash dhe duke i shtuar edhe kripë dhe piper. Mishin servireni së bashku me salcën e gështenjave, ndërsa janë ende të ngrohta.

Tortë me miell gështenjash
150 g. miell gështenjash
3 vezë
180 g. gjalpë
100 g. rrush të thatë
150 sheqer pluhur
25 g. lajthi të grira
25 g. bajame të grira
Lëkurë të grirë portokalli e limoni
Pak vanilje
1/2 bustine sodë për ëmbëlsira
Pak kripë

Përgatitja
Ngroheni furrën në 180 gradë. Zbusni rrushin e thatë në pak rum apo edhe ujë të ftohtë.
Zbusni gjalpin në temperaturën e ambientit, por jo deri në shkrirje dhe më pas shtoni sheqerin pluhur dhe vezët. Shtojini miellin e gështenjave dhe sodën. Më vete përzieni lajthitë, bajamet, lëkurat e grira dhe rrushin e thatë. Pa harruar edhe vaniljen.
E gjithë kjo përbërje i shtohet brumit të gështenjave. Vishni një tavë me letër kuzhine dhe hidhni në të përbërjen. Futeni në furrë dhe lëreni për 45 minuta.

Kjo recetë nuk ka nevojë për miell gruri dhe është e nevojshme që të kontrollohen edhe përbërësit e tjerë që të mos kenë gjurmë gluteni.

[email protected]
Dërgoni recetat tuaja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura