Gërmime në biografi

Sep 10, 2017 | 12:44
SHPËRNDAJE

EDMOND TUPJA

Edmond-Tupja

Ky titull, të paktën atyre që kanë një kujtesë jo thjesht mekanike, por edhe historike, u sjell ndër mend kohën e diktaturës hoxhiste, kur lufta e klasave, e zbatuar në një mënyrë tejet makiavelike e sadiste, polli përndjekjen biografike të individit të dyshuar për tradhti  spiunazh, bashkëpunim me armikun e jashtëm, disidencë, agjitacion e propagandë etj., etj., të cilit duhej patjetër t’i zbuloheshin “njolla” në biografi deri te stërgjyshërit e ndoshta më tej. Mirëpo, me sa duket, përherë e më tepër, qenka njëherazi një sport, pasion, qejf e hobby kombëtar, që ne, shqiptarët, të gërmuakemi në biografi edhe sot, mbi një çerek shekulli pas shembjes përfundimtare të regjimit komunist.

Kështu, prej vitesh po gërmojmë edhe në biografinë e Skënderbeut, këtij miti themelues të kombit shqiptar. Sigurisht, që mitet duhen zhveshur nga veli i gojëdhënës për t’u kuptuar më mirë e për t’u rivlerësuar ose për t’u ridimensionuar – dhe në këtë pikë Fatos Lubonja ka të drejtë – në mënyrë që të njohim më mirë historinë tonë, pra, siç e kërkon edhe logjika më serioze, edhe vetveten si popull, madje edhe si individë, që të dimë vërtet nga vijmë e të parashikojmë se ku do të vemi.

Madje – dhe në këtë pikë Hysamedin Feraj ka të drejtë – këtë çmitizim duhet ta kryejmë edhe lidhur me të parët tanë, ilirët, madje, do të thosha unë modestisht, edhe me pellazgët e largët. Gjithsesi, ajo që më habit te rivlerësimi i figurës së Skënderbeut është nganjëherë gërmimi meskin në biografinë e tij.

Ç’rëndësi paska nëse e ëma e tij paska pasë qenë shqiptare, serbe, greke, japoneze, zulu, apo edhe marsiane? Ç’rëndësi paska nëse vetë Skënderbeu ishte i gjatë 1,5 metra (pra, si mund ta mbante ai gjithë atë shpatë?), nëse numrin e këmbës e kishte 33 apo 44, nëse mjekrën e kishte të zezë, të thinjur apo të kuqërreme, nëse penisi i anonte natyrshëm majtas apo djathtas, nëse ai ishte hetero, homo, bi apo – sado e çuditshme të duket kjo – edhe lesbik? Rëndësi ka, të paktën sipas meje, që ai, për motive nga më të ndryshmet – idealiste ose pragmatiste –, u bëri ballë për njëzet e pesë vjet rresht hordhive të pushtuesit osman, d.m.th, i ngriti e i organizoi shqiptarët në një luftë çlirimtare, po e theksoj, çli-rimta-re, dhe, rrjedhimisht, u kthye në një mit, në një mit të cilin rilindasit tanë e shndërruan, po e përsëris, në një mit themelues të kombit shqiptar.

Jo rastësisht, pas vdekjes së tij, për më shumë se katër shekuj, pushtuesi osman u ndaloi shqiptarëve ta shkruanin gjuhën amtare, sepse gjuha shqipe ishte pikërisht ndër tiparet kryesore të bashkimit të tyre të ardhshëm në një komb dhe vetëm një. Me të drejtë këtë verë, ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, në fjalën e tij me rastin e festës kombëtare të vendit të tij, duke krahasuar Vilhelm Telin, këtë mit themelues të kombit zviceran, me Skënderbeun, tha se, ndërsa Skënderbeu ishte një mit i dalë nga realiteti historik, nga qëndresa e popullit shqiptar kundër pushtuesit të huaj, Vilhelm Teli u sajua, po, po, u sajua si mit nga vetë zviceranët e ardhshëm që ata të bashkoheshin për të formuar një komb. Pra, me sa duket, mitet kanë ndihmuar në krijimin e kombeve, sepse, me sa duket, në mungesë të atyre, do të ketë qenë e vështirë që një etni të kthehej në komb për t’u bërë qëndresë me sukses dallgëve të Historisë.

Për sa më takon, ky gërmim meskin dhe, deri diku, cinik në biografinë e Skënderbeut, më kujton, sigurisht larg e larg, përpjekjet mjerane që bënë paturpësisht, para disa dhjetëvjeçarësh, ata që hodhën tezën fatkeqe sipas së cilës kampet naziste të shfarosjes në masë, me tmerret e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk kanë ekzistuar ndonjëherë, se ato kanë qenë thjesht një sajesë e angloamerikanëve, ndërkohë që me mijëra nga ata që shpëtuan prej vdekjes së llahtarshme në këto kampe ishin ende gjallë dhe dëshmuan me indinjatë të kundërtën. Autorët e kësaj teze të rrezikshme u quajtën negacionistë ose revizionistë, dhe mjerisht, duke ndjekur zhvillimet e rivlerësimit të figurës së Skënderbeut këto dy dekadat e fundit në Shqipëri, kam përshtypjen (qofsha i gabuar!) se fara e tezës së tyre paska lëshuar rrënjë edhe midis nesh.

Për këtë arsye, ndonëse nuk jam specialist i historisë së Mesjetës shqiptare, por duke e dashur vendin tim, popullin tim, i cili, për t’u emancipuar vërtet me qëllim që ta njohë më mirë vetveten, duke hequr dorë nga dalldia e epërsisë historike dhe nga prirjet e herëpashershme viktimiste, lypset ta pranojë pa paragjykime çmitizimin e çdo figure historike, rivlerësimin e saj me baza shkencore. Megjithatë, rivlerësim po, ridhjerësim jo!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura