“Gërdeci”, Gjykata ul 70 ditë dënim, lirohet Mihal Delijorgji

Mar 20, 2013 | 11:25
SHPËRNDAJE
Mihal Delijorgji

TIRANE – Gjykata e Tiranës pranoi dje kërkesën e biznesmenit Mihal Delijorgji për ulje dënimi, duke i “fshirë” atij 70 ditë nga dënimi i pakryer me qëndrim në qeli. I dënuari me 6 vjet e 7 muaj burg me një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, si një nga të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, kërkoi ulje dënimi me motivacionin e “sjelljes së mirë”. Dy ditë më parë, gjyqtari Arben Micko pranoi pjesërisht kërkesën e biznesmenit Delijorgji, i cili javë më parë u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Sipas vendimit, masa e uljes së dënimit ishte 70 ditë. “Pranimin e pjesshëm të kërkesës për kërkuesin Mihal Delijorgji. Uljen e dënimit në masën 70 ditë për kërkuesin Mihal Delijorgji nga pjesa e pavuajtur e dënimit të dhënë me vendimin nr. 381, datë 12.03.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhej në dispozitivin e vendimit të Gjykatës. Burime pranë Gjykatës sqaruan se bashkangjitur kërkesës së të dënuarit ishte edhe një raport i Burgut të Vaqarrit në lidhje me sjelljen e të dënuarit. Mihal Delijorgji, një nga të pandehurit kryesorë të dosjes “Gërdeci”, iu drejtua Gjykatës me një kërkesë për ulje dënimi gati një javë pasi dënimi në ngarkim të tij mori formë të prerë në Gjykatën e Apelit. Më 13 mars 2012 ai u dënua me 10 vjet burg për akuzën e “shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”. Në Apel ky dënim u ul në 6 vjet e 7 muaj për shkak se gjykata pranoi gjykimin e shkurtuar. Ky vendim detyronte Delijorgjin të kryente vetëm 3 muaj burg, për shkak se pjesa tjetër ishte konsumuar me kohën e paraburgimit. Pak ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme bëri rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit që dha Gjykata e Apelit. Argumenti me të cilin u ankua Prokuroria, veç masave të dënimit të dhëna ndaj të pandehurve, ishte edhe rikthimi i akuzës për vrasje, pasi të pandehurit u dënuan vetëm për shpërdorim detyre dhe shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse. Çështja në Gjykatën e Lartë pritet të shqyrtohet, ndërkohë që pas verifikimit në banesat e të pandehurve policia ka shpallur në kërkim shtatë nga personat e dënuar, përfshi edhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha. Ai rezulton të jetë larguar jashtë Shqipërisë para se procesi për Gërdecin të përfundonte në gjykata.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura