Gent Bejko: Politikanët kanë vjedhur teatrin dhe privatizuar realitetin

Feb 12, 2016 | 12:06
SHPËRNDAJE

Nga Kanadaja jep intervistën e tij të parë për të rrëfyer si janë përjetimet e një artisti, që e ndan karrierën mes dy vendeve. Gent Bejko, i njohur për humorin anglez, ka vendosur të flejë në një vend francez për ca kohë, ashtu siç ai e përkufizon me shaka këtë fazë të jetës së tij. Nga mënyra si e sheh Shqipërinë nga larg dhe projektet e shumta artistike që po realizon atje, kuptojmë se në fakt bëhet fjalë dhe për një zgjim artisti dhe se Kanadaja i ka hapur sytë…

gentingjyra

U bë ca kohë që je vendosur në Kanada. A mund ta dimë arsyen pse je larguar nga Shqipëria dhe çfare planesh ke për veten si artist?

Nuk është hera e parë që unë zhvendosem këtu. Kam vite që jam mes dy vendeve. Më pëlqen këtu. Pastaj, shpesh jam “akuzuar” për humor anglez. Kështu që pas një skenari thriller-dramë vlerësuar në “New York Film Academy”, thashë, ok, po fle ca kohë në një vend “francez”. Uau! Paksa e komplikuar si përgjigje ë? E thashë pak më sipër përse. E vetmja gjë që mund të shtoj është që Shqipëria më ka krijuar përshtypjen e një televizioni të madh, ku fabrikohet një realitet aspak i vërtetë, me pallate e fasada të kuruara, por me tubacione të kalbura që mbajnë era lagështirë. Kjo për mua është tepër zhgënjyese.

Kaq larg sa je, në lidhje me Shqipërinë ndihesh jashtë realitetit?

Nuk kam humbur aq shumë kohë larg Shqipërisë, sa të ndihem jashtë realitetit të vendit të origjinës. Madje, në momentin që je larg, kupton realisht se cilët janë një pjesë e madhe e atyre që të rrethojnë, interesi, profesioni dhe miqtë e vërtetë. Sheh më nga afër realitetin që lë pas dhe kupton, mbi të gjitha, që bota është tepër e madhe dhe e zhvilluar, e çdo gjë rend më shpejt e praktikisht sesa në vendin tënd, madje të ndihmon për të pasur një këndvështrim më larg se hunda jote, apo për t’i bërë gjoksit tënd një vrimë nga të rënët me gisht mbi Unin tënd. Realiteti nuk i takon askujt, thjesht ekziston. Te ne edhe realiteti është privatizuar nga pangopësia.(qesh) Dhe nuk është hera e parë që largohem.

genti2

Cili është angazhimi yt artistik, me çfarë projektesh po merresh?

Momentalisht po punojmë me disa partnerë mbi prodhimin e disa projekteve filmike, një prej të cilëve e kam nisur që në Shqipëri, por vendosa ta pezulloj nga aty dhe ta transferoj këtej. Gjithashtu, një shfaqje teatrore të cilën dua ta risjell në skenat këtu. Ndërsa në planin e aktrimit jemi në pritje të daljes së pilotit të një serial-komedie dhe disa realizimeve të tjera. Ndërkohë, jam i angazhuar edhe në një komedi club si gjyqtar, për përzgjedhjen e talenteve të reja që konkurrojnë një herë në muaj. Së shpejti përgatitem të ngjitem edhe vetë në një skenë të kësaj natyre këtu. Ndërkohë po shkruaj e pikturoj.

Je kaq shumë i zënë, por sa ke pasur kohë t’i ndjekësh në distancë të rejat e teatrit në Shqipëri, dhe cili është lajmi që të ka bërë më shumë përshtypje?

Sigurisht që i ndjek, por jo të gjitha dhe jo me ndonjë interes të veçantë me thënë të drejtën. Në vendin tonë teatri është vjedhur prej kohësh si profesion nga politika vendëse. Shoh që sallat teatrore mbushen dhe kjo është gjë e mirë. E vetmja dilemë që kam është: mbushen nga cilësia e produktit, apo mbushen ngaqë njerëzit kërkojnë të largohen nga realiteti i dhimbshëm që nuk mban më? Shpresoj të jetë e para. Dashtë Zoti, sidomos për kolegët e mi, të cilët e di se me sa mund e përkushtim e vështirësi përpiqen të realizojnë prodhime të ndryshme skenike. Për sa i përket lajmit: kam punuar shumë vite në televizione dhe ndërkohë nuk jam mbyllur asnjëherë në muret e shtëpisë. Nuk më bëjnë përshtypje lajmet dhe fabrikimi i tyre. (qesh)

Me logjikën e regjisorit, si do t’i zgjidhje disa situata politike këtu, që duken të pazgjidhshme?

T’i shpëtosh një kasapi për të përfunduar në duart e një psikopati nuk është film i panjohur. Mos, çfarë krahasimi bëraaa! Nuk ka asgjë që nuk zgjidhet në këtë jetë. Dhe unë jam për zgjidhje tepër radikale, pas gjithë sa kam parë të zhvillohet në kohët e fundit. Di që Ismail Qemali është rrotulluar për të disatën herë në varr nga perversiteti ynë politik, i majtë apo i djathtë. Nuk do të ketë zgjidhje për sa kohë klasa jonë politike do të funksionojë si një grup shokësh, që shkojnë luajnë kalçeto dhe veshin bluzat në bazë të skuadrave. Pastaj në ndeshjen e radhës riformatojnë ekipin. Prapë shokë të njëri-tjetrit janë ata. Pjella dhe pasardhës të atij regjimi, që gjoja shajnë.

Kanadaja të ka bërë më reflektues. E ke menduar të jetosh aty gjithmonë?

Kanadaja më ka bërë të kem më shumë vlerësim për veten dhe të jem më praktik. Reflektues kam qenë gjithmonë në shpërfilljen time të jashtme. Nuk besoj se më ka ndryshuar. Thjesht më ka hapur sytë më shumë. Pastaj edhe këndej kanë nevojë për mua. Erdha unë këndej? -Shkriu bora fare këtë vit. (qesh)

Monologu më i fundit që ke bërë me veten dhe çfarë përmbajtjeje kishte?

Kjo pyetje është si të futesh në shtratin e dikujt pa e pyetur. (qesh) Monologoj me veten shpesh, ashtu si të gjithë. Gjithmonë pyetjet e para ia bëj vetes. Pastaj bashkëbisedojmë dhe këtu nuk ka më monolog. Që të dalësh në konkluzione të duhet dialog, madje dialog me veten në radhë të parë.

Jemi para Shën Valentinit kur rrugët mbushen plot me çifte. Çfarë të bën për të qeshur në këtë marsh shqiptar dashurie?

Dashuria dhe Kupidi. Njëra më qorre se tjetri! Festimet janë forma më e mirë që njerëzit të shkëputen për pak nga realiteti.

Në pozitat e babait je tipi i batutave, dhe bën humor në familje?

Humori, ushqim për një shpirt të shëndoshë. Është si një bizhuteri e paçmuar për një shpirt të bukur. Babai në mua nuk është një rol. Por mund të jetë një mik i mirë që të të ngrejë humorin dhe jo të ta rrëzojë atë.

Meqë je nje motorist i pasionuar, ta mban të vish nga Kanadaja me motor?

Unë me humor vij ngado, që vij e shkoj. Po me motor nga Kanadaja? Sigurisht që po. Vetëm se ka një problem: Na ndan një oqean me Europën. Aty duhet anije ose aeroplan.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura