Gënjejme nga pak…

Apr 1, 2020 | 17:39
SHPËRNDAJE

Ne, njerëzit komunikojmë kode verbale dhe joverbale të vërteta dhe të gënjeshtërta.  Këto ditë na është dashur që disa prej këtyre kodeve edhe t’i shtrëmbërojmë pakëz, duke shfaqur disa të pavërteta. Sigurisht që  kur gënjeshtrat janë të vogla dhe jo të dëmshme, ndodh që edhe të na zgjidhin punë.

E në fakt qëllimi i këtyre të ashtuquajtura “gënjeshtra të bardha” është vetëm për të qetësuar bashkëbiseduesin dhe opinionin, si dhe për t’u falur këtyre të fundit vetëm ndjenë të mirë dhe qetësi shpirtërore.

20200121_084633

Genjejmë nga pak kur flasim me fëmijët dhe u themi që nuk kemi aspak frikë për situatën që po përjetojmë. Në realitet kemi ndjesi të shëmtuar dhe të frikshme në lidhje me çfarë do të ndodhë më tej. Por për të falur qetësi dhe ngrohtësi, u tregojmë se nuk kemi frikë aspak, pasi po tregohemi të kujdesshëm dhe i  kemi marrë të gjitha masat për ta fituar këtë betejë.

Gënjejmë nga pak kur u themi se ne jemi të sigurtë dhe të mbrojtur, kur në fakt vetëm për siguri nuk mund të flitet në këtë kohë.  U lejojmë orë më të gjata përpara lojërave dhe televizorit, vetëm se duam ti gënjejmë pakëz duke i afruar me normalitetin, kur në fakt sot vetëm për normalitet nuk mund të flitet.

Gënjejmë nga pak, kur dëgjojmë zërin e prindërve në telefon dhe u themi se jemi shumë mirë të ngujuar në shtëpi, se paskemi pasur nevojë të qëndrojmë  brenda, apo Shyqyr o Zot që qëndrojmë në shtëpi pasi kësaj të fundit i paska munguar dora e amvisës apo mirëmbajtësit.

Gënjejmë nga pak kur u themi të moshuarëve, se kjo situatë do të kalojë shumë shpejt dhe nuk duhet të ndihen të frikësuar, ndërkohë që në mendje kemi gjatë gjithë kohës “ Dashtë zoti nuk ju gjen gjë!”.

Gënjejmë nga pak, kur në derën e shtëpisë, u lëmë ushqimet dhe largohemi ashtu si pa problem, pa përqafimin e përditshëm. Kur në fakt të gjithë po vdesim nga dëshira për të përqafuar  fort të dashurit tanë, të cilët në kohë jolufte mezi na prisnin në parmak kur ktheheshim nga puna për të pirë një kafe me ta.

Gënjejmë nga pak kur vërshojnë, mesazhet, telefonatat apo video-call –et nga jashtë vendit. U themi të dashurëve që kemi larg se ndihemi mirë dhe nuk na mungon asgjë, kur në fakt zgjohemi çdo mëngjes me dyshimin se mund të gjejmë dyqane të zbrazëta.

Gënjejmë nga pak, pasi duam të komunikojmë pozitivitet dhe duam të shmangim ndëshkimin që po na jep Covid 19, kur në fakt seç kemi një ndjësi se mos kemi harruar të blejmë ndonjë ushqim që na duhet dhe na shkon dëm një orëshi i lejes për të dalë. Eh sa gëzim komunikojmë në fytyrë kur arrijmë në shtëpi dhe lëshojmë trastat! Me shprehjen “ I Bleva të gjitha!” duket se dhurojmë kenaqësi tek ata që na presin me dezinfektues në pragun e derës.

Gënjejmë nga pak kur na pyesin për lajmet më të fundit, dhe u themi se nuk shohim më lajme në televizor dhe portale, pasi ato vetëm të shtojnë ankthin dhe panikun. Në të vërtetë mezi presim t’i hapim dhe të  shohim numrin e të humburëve, apo të prekurve nga virusi.

Gënjejmë nga pak sepse duam ta mbajmë sekret pagjumësinë që vjen si pasojë e panikut që na ka shkaktuar kjo luftë. Na duhet të tregohemi më të fortë ndaj më të dobëtëve.

Gënjejmë nga pak duke shpresuar që të mos zgjasë shumë kjo situatë .

Gënjejmë nga pak dhe jo shumë, sepse e dimë që të  të pavërtetat e vazhdueshme na çojnë në shpresa të kota, rrena dhe trillime të dhimbshme.

Gëzuar 1 prillin!

Holta Heba

Universiteti Mesdhetar I Shqipërisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura