Genc Ferhati: Nuk e gjobita biznesmenin, ai na ka borxh. S’kam Skype në qeli, Julianin e thirra për takim në burg

Apr 27, 2015 | 9:24
SHPËRNDAJE

Ora 11:20. Një telefonatë nga burgu “trazon” qetësinë e së dielës. “Jam Genc Ferhati. Dua të flas, të sqaroj pozicionin tim. Të telefonova në këtë orar, pasi kam dalë në ajrim dhe mund të bëj telefonata nga kabina” na thotë qetësisht.


Ndodhet prej 16 vitesh në burgje të sigurisë së lartë, pasi është dënuar me 25 vite burg për një prej ngjarjeve të rënda që tronditën Tiranën në 1999, atë të ekzekutimit më antitank, të Denis Ginës e Median Shehut. Por, ndonëse është prapa hekurave, prokuroria e akuzon si kreun e një grupi që gjobiste biznesmenë.

“Kam 16 vite prapa hekurave. Nuk jam më Genc Ferhati i dikurshëm. Sot jam 37 vjeç. Kam një familje, fëmijë”, thotë i dënuari, që ndodhet i ngujuar në burgun e sigurisë së lartë Peqin.

Ai vendos të flasë për herë të parë për akuzat e prokurorisë, që nëse vërtetohen, duket se do t’i zgjasin qëndrimin prapa hekurave, e të paktën për momentin, i heqin shanset që kishte për të fituar liri me kusht. Pak fjalë syresh ia ka thënë gjykatësit të Krimeve të Rënda, Klodian Kurushi, i cili do të caktonte ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

”Me biznesmenin që më akuzojnë se e kam shantazhuar dhe kërcënuar, familja ime ka marrëdhënie biznesi. Unë Julianin e kam takuar vetëm në burg, kur bisedova për çështjen e biznesit. Vërtetë e kam djalë lagjeje, por kam 16 vite në burg dhe s’kam mundur ta njoh më herët, pasi ai është i ri”, shprehet Ferhati.

I dënuari këmbëngul që prokuroria të ballafaqojë me Julian B., biznesmenin që i vuri gishtin si “kreu i grupit”, që jepte urdhra nga burgu me Skype. “Jam i bindur që pas tij fshihen persona të tjerë, që duan të mos e shohin Genc Ferhatin jashtë”, shprehet 37-vjeçari.

Z.Ferhati, prokuroria ju cilëson si kreu i një grupi kriminal që gjobiste biznesmenë nga burgu. Urdhrat sipas prokurorisë, ju i jepnit nëpërmjet Skype. Si i cilësoni këto akuza?

 Së pari, dëshiroj të sqaroj se nuk kam mundësinë të disponoj mjete dhe teknologji që të jap urdhra në Skype, pasi unë ndodhem në një burg të sigurisë së lartë, duke vuajtur një dënim me 25 vite burg. Kam hyrë në burg para 16 vitesh. Së dyti, dua të sqaroj se nuk kam urdhëruar asnjë person që të dërgonte mesazhe prej meje, apo të komunikonte me Julianin. Me atë na ka prezantuar Arianit Luli, mik i Julianit, por edhe kushëri yni.

Kush është Juliani dhe për çfarë ju akuzon?

Juliani është njeriu që më ka denoncuar se i kam vënë gjobë dhe e kam kërcënuar nëpërmjet Skype. Juliani është ortak në biznes me babain dhe vëllain tim, prej 2 vite e gjysmë.

Për çfarë biznesi bëhet fjalë?

Për biznesin e kafesë, të cilin Juliani e ka ngritur që herët.

Ju e njihni këtë person?

Po, e njoh. Ka ardhur më ka takuar në burg, kur babai dhe vëllai im vendosën që të bëheshin ortak në biznesin e kafesë. Atë e kam djalë lagjeje, por është i ri dhe unë s’e kam njohur më herët, pasi kam 16 vite që ndodhem në burg. Ai ka ardhur në burg bashkë me babain tim dhe kemi biseduar. Bëhet fjalë për 2 vite e katër muaj më parë. Kjo është lehtësisht e vërtetueshme nga librat e takimit dhe pamjet filmike në burg.

Si vijuan marrëdhëniet e biznesit?

Për dy vite me radhë Juliani është sjellë shumë korrekt. Por 4-5 muajt e fundit, ai i dërgonte shuma të vogla babait tim, duke mos u sjellë korrekt me fitimet. Duke qenë në të tillë situatë, vendosa që t’i dërgoj vëllain tim që t’i thoshte Julianit: Lali të thotë t’i kthesh paratë babit.

Sa janë shumat që babai dhe vëllai juaj i kanë dhënë për ortakërinë?

Fillimisht babai është bërë ortak në shumën e 7500 eurosh, që i janë dorëzuar Julianit me kontratë noteriale. Më pas i ka dhënë një shumë tjetër prej 12.600 eurosh. Po me kontratë noteriale i janë dorëzuar edhe 12.600 euro dhe 3 mijë dollarë amerikanë.

Si veproi ortaku juaj, ua ktheu paratë?

E sorollati babain tim për afro dy javë dhe nuk i ktheu asnjë lekë. Për fatin tonë të mirë, kontratat noteriale janë nënshkruar tek i njëjti noter. Janë lehtësisht të verifikueshme.

Ju i kërkuat që të vinte t’ju takonte?

Po, por refuzoi duke thënë që jam në Itali. Nuk erdhi këtu në burg që të bisedonim.

Ju keni dalë disa herë me leje nga burgu, e keni takuar ndonjëherë Julianin?

Unë kam një vit që nuk kam dalë me leje, që prej majit të 2014. Por edhe më herët nuk e kam takuar, pasi ka qenë shumë korrekt për dy vite. Kohët e fundit ai ndryshoi sjellje.

Me Pajtim Serjanin keni njohje?

Jam në burg prej 16 vitesh, siç ju thashë dhe si mendoni që mund të kem kontakte e njohje me ta.

Përse mendoni se ju akuzoi ortaku i babait tuaj?

Kam bindjen se pas tij fshihen persona të tjerë, që nuk duan të shohin Genc Ferhatin në liri. Kur jam edhe në prag të lirimit me kusht.

Pra, ju thoni që s’ka pasur shantazh, kërcënim apo pengmarrje nga njerëzit e tu të ortakut në biznes?

Absolutisht jo. Kam kërkuar nga prokuroria të më ballafaqojnë me të. Uroj të jetë i sinqertë dhe i hapur e të tregojë të vërtetën.

Si e kaloni kohën në burg?

Unë jam praktikant i besimit mysliman. Kryej ritin e faljes pesë herë në ditë. Pjesën tjetër, luaj futboll e lexoj.

Ju jeni akuzuar për një ngjarje të rëndë kriminale që tronditi Tiranën në 1999. Mund të na flisni për atë histori?

Do vijë momenti të flas.

 

BalkanWeb  

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura