Gegë e Toskë në gjeopolitikën e FSHF

Jul 4, 2015 | 11:37
SHPËRNDAJE

BESNIK DIZDARI

     Dje, gazeta “Panorama Sport” ka botuar ndarjen e dy grupeve të kampionatit të futbollit për Kategorinë e Dytë. Atë të cilën kryesia e FSHF (Komiteti Ekzekutiv i saj, në përbërje…të të cilit nuk përfaqësohen edhe qytetet më futbollistike të vendit) apo Federata Shqiptare e Futbollit, quaje si të duash, me dituritë e pakta historike që duket se ka, e quan padrejtësisht Kategori e Parë. Duke bërë kështu lëmsh vetë të vërtetën historike të kampionateve të Shqipërisë, teksa, përveç të tjerave, dihet që për më se 50 vjet, Kategori e Parë është quajtur kampionati kombëtar i Shqipërisë. Ai që sot ka emrin pompoz “Kategoria Superiore” – dy fjalë ku asnjëra nuk është shqip.
Ndarja që i ka bërë, pra, Federata Shqiptare e Futbollit këtij kampionati të Kategorisë II, është ndër më të pashembulltat në histori. Qartësisht, këtij kampionati FSHF-ja i ka dhënë ngjyrat e një ndasie Veri e Jug, ose Gegë e Toskë. Me një fjalë, FSHF, duke na kujtuar gjeografinë, ka thënë se skuadrat e qyteteve apo krahinave që ndodhen në jug të lumit Shkumbin, nuk kanë asnjë të drejtë të luajnë futboll me disa skuadra të qyteteve që ndodhen në veri të lumit Shkumbin.

Ose e kundërta: që disa skuadra të qyteteve që ndodhen në veri të lumit Shkumbin, nuk kanë asnjë të drejtë të luajnë me disa skuadra të qyteteve që ndodhen në jug të Shqipërisë. E vërteta është se dje në “Panorama Sport” ka pasur një kundërshtim për këtë ndarje. Por ishte një kundërshtim krejt zbehtë. Më saktë, një kundërshtim prej vetëm një klubi: Dinamos së Tiranës.
Ma do mendja se kjo ndarje ka ndodhur edhe ngaqë u bënë disa vite të mira që skuadrat, drejtuesit, qytetet, rrethet, bashkitë, personalitetet e futbollit, KOKSH, pse jo, edhe vetë shteti e qeveria i janë nënshtruar rutinës organizative të Federatës Shqiptare të Futbollit si asnjëherë tjetër në histori dhe si në asnjë vend tjetër në Europë.
Vështroni tash se si është bërë ndarja në Gegë e Toskë ose në Veri e Jug e këtij Kampionati:

Grupi A
BESELIDHJA         Lezhë
KF MAMURRASI     Mamurras
ILIRIA         Fushë-Krujë
KASTRIOTI         Krujë
KF BURRELI         Burrel
KF KAMZA         Kamzë
ADA             Velipojë
BESA         Kavajë
KORABI         Peshkopi
ERZENI         Shijak
Grupi B
APOLONIA /     Fier
KS ELBASANI     Elbasan
KS LUSHNJA     Lushnje
BUTRINTI         Sarandë
SOPOTI         Librazhd
LUFTETARI         Gjirokastër
DINAMO         Tiranë
SHKUMBINI        Peqin
KF POGRADECI    Pogradec
KF GRAMSHI     Gramsh

Vetëm te Shkumbini i Peqinit “buzë lumit Shkumbin”, duket se ka një përjashtim mikroskopik, duke e përfshirë atë në këtë grup “jugor”.
Dihet, për vite të tana 1948, 1956, 1957, 1958, 1959, 1960, 1961, 1962, 1962-63, 1963-64, 1964-65, 1965-66, 1966-67, 1980-81, 1981-82, 1982-83, 1983-84, 1984-85, 1985-86, 1986-87, 2003-04, 2004-05, 2005-06, 2006-07, 2007-08, 2008-09, 2009-10, 2010-11, 2011-12, 2012-13,2013-14 ky kampionat i rangut të dytë kombëtar është zhvilluar duke i pasë skuadrat në një grup të vetëm. Plot 31 edicione! Madje, rregullsia e viteve nga 2003 deri te 2014, të zhvilluara në një grup të vetëm, ndonëse nuk qe mbresëlënëse, të paktën po i jepte Kampionatit deri diku një lloj serioziteti dhe kishte mundësuar që skuadra e Lushnjës të shkojë e të luajë në Mamurras, që Pogradeci të shkojë e të luajë në Pukë, që Partizani (teksa ishte në këtë kategori) të shkojë në Lezhë, e që Elbasani të shkojë në Himarë e që Kuçova të shkojë në Fushë-Krujë.
Çka do të thotë që këto takime sportive të çojnë te një njohje më kombëtare shqiptare, te një miqësi ndërqytetesh të ndryshme Veri-Jug e Jug -Veri, te një shkëmbim miqësie e pleksjeje përvojash e kulturash, në fund të fundit, të çojnë te një unifikim edhe më civil e qytetar. Mirëpo, duket qartë se prej kohësh është zbehur tejet qëllimi sportiv i futbollit në Shqipëri, i reduktuar në fitore e humbje, në pikë e gola, si dhe në një “propagandë” sidomos televizive, gjithnjë e më shumë komerciale e “personale” dhe gjithnjë e më pak civilizuese e kombëtare, duke cenuar jo pak qëllimin social (shoqëror) të sportit më të vjetër e më të dashur të shqiptarëve. Çka ka të bëjë jo pak me vetë zhvillimin kulturor e sportiv të një kombi.

U bënë do vite të mira që në drejtimin futbollistik, madje edhe në atë sportiv, këto ide të mëdha sa olimpike, po aq edhe gjeopolitike (e po deshe quaji edhe gjeostrategjike), kulturore e shoqërore, kanë humbur ndër ne.
Lind pyetja: Përse Federata Shqiptare e Futbollit – e cila mesa duket, ndodhet në kulm të pavarësisë së pushtetit të saj – për edicionin 2014-2015 i ndau skuadrat e këtij Kampionati të dytë të saj, në Veri dhe Jug, në Gegë e Toskë, në Mbishkumbin e në Nënshkumbin?
Jam i bindur se as vetë FSHF nuk do të dijë të përgjigjet.
Mbasi këto vitet e fundit e ka përgjysmuar garën dhe forcën e Kampionatit të Parë Kombëtar (Superliga) me vetëm 10 skuadra, duke cenuar tejet edhe në këtë rast synimin shtrirës kombëtar të futbollit, tash ajo ka sendërtuar Kampionatin e Dytë me dy grupe që e kanë ndarë krahinorisht përgjysmë Shqipërinë e futbollit të këtij rangu.
Dhe krejt papritmas, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, kemi mbërritur te një diskriminim i futbollit të Jugut të Shqipërisë. Përimtoni paksa pra se si e ka ndarë kampionatin e kësaj kategorie  FSHF-ja për edicionin 2015-16.
Në Grupin e Jugut (Grupi B) kemi plot 5 skuadra klasike të Kampionatit të parë Kombëtar të Shqipërisë: Elbasani i pranishëm në 65 kampionate të Shqipërisë, Lushnja në 42, Fieri në 35, Gjirokastra në plot 42 dhe Dinamo Tiranë në bukur 58 Kampionate të këtillë, kjo madje plot 18 herë Kampione e Shqipërisë!

Kuptojeni tash se çfarë diskriminimi u ka bërë këtyre skuadrave, duke u thënë se “vetëm 1 prej jush mund të mbërrijë në Kampionatin Kombëtar”. Ose vetëm Elbasani, ose vetëm Lushnja, ose vetëm Fieri, ose vetëm Gjirokastra, ose vetëm Dinamo. Duhen vite drite që të gjitha këto pesë skuadra klasike qytetesh që kanë mbajtë peshë të fuqishme në futbollin shqiptar, të mund t’i shohim së bashku në Kampionatin Kombëtar të vjetër të Shqipërisë (1930-2015). Në një kohë që afërsisht në plot mbi 40 kampionate ato kanë qenë pjesëmarrëse të njëkohshme! Dhe sa shumë që i kanë dhënë futbollit shqiptar! Trajnerë të shquar, rezultate të bukura, futbollistë kombëtaras të panumërt dhe plot gëzime stadiumeve të qyteteve të tyre.
Kjo ahistori (johistori) e FSHF-së, me një naivitet të pamatë, e ka formuar ndërkaq Grupin A me vetëm 10 skuadra “veriore”, prej të cilave vetëm njëra është pjesëtare “klasike” apo tradicionale: Besa e Kavajës, e cila ka qenë e pranishme 64 herë në Kampionatin e  Shqipërisë. Ndërsa për të tjerat, historia është krejt e varfër: Mamurrasi asnjëherë, Fushë-Kruja vetëm 1 herë, Kruja vetëm 12 herë, Burreli vetëm 3 herë, Kamza vetëm 1 herë, Velipoja asnjëherë, Peshkopia vetëm 1 herë, dhe Shijaku vetëm 6 herë janë pjesëmarrëse të Kampionatit Kombëtar!

Është vërtet fantastike se si Kryesia (Komiteti Ekzekutiv jo plotësisht kombëtar në përbërje) e FSHF-së ka nënshkruar (nëse vërtet ka nënshkruar) këtë diskriminim jo vetëm gjeopolitik, kulturor, civil, qytetar, historik, por siç shihet, edhe të vetë kahut të zhvillimit të futbollit kombëtar.
E pra çka duhet bërë?
Forcat futbollistike të Shqipërisë, mendimi sportiv shqiptar, dituritë intelektuale sportive dhe kulturore shqiptare, e pse jo, edhe atdhetare, them se këto ditë do të luajnë rolin e tyre për ta detyruar Federatën Shqiptare të Futbollit të mos e ligjërojë këtë ndarje në Gegë e Toskë, në Veri e Jug të skuadrave të futbollit të Kampionatit të dytë Kombëtar të saj. Çka për kohën e sotme të vitit 2015 të shekullit XXI, është krejt arkaike. Sigurisht, me këtë nuk duam që të mbërrijmë te shembulli i superfuqisë Argjentinë, e cila për shkaqe kombëtare të gjeopolitikës së futbollit të saj po e zhvillon kampionatin e saj kombëtar në një grup të vetëm me 30 skuadra pjesëmarrëse (rekord “i dytë” botëror ky mbas kampionatit të Shqipërisë të vitit 1952 kur ne patëm 21 skuadra pjesëmarrëse!).

Por është vërtet e çuditshme se si nuk e dinë në FSHF, që kur ndër ne skuadrat dikur ndaheshin në grupe kësisoj, kjo bëhej thjesht për shkak të mungesave e largësive të mëdha të rrugëve. E pra nuk ishte si sot që jo për 10, por për vetëm dy orë shkohet madje edhe nga Tirana në Kukës.
Dhe përfundojmë me një shembull tjetër “fatal”. Në Kampionatin e parë Kombëtar (Kategoria Superiore) të edicionit të do të fillojë, këtij 2015-16, nga 10 skuadra pjesëmarrëse, vetëm tri: Skënderbeu, Flamurtari e Bylisi i përkasin Jugut të Shqipërisë. Asnjëherë më pak në 85 vjet jetë të Kampionatit të Shqipërisë! Dhe kjo kryesisht për shkak të dashurisë së madhe të Kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit për ta bërë kampionatin me vetëm 10 skuadra, që po shihet se asgjë të re dhe zhvilluese nuk po i sjell futbollit kombëtar. Në vend që të ishte, bie fjala, një kampionat me 16 skuadra, e po kaq edhe Kategoria e Dytë dhe me tri skuadra që zbresin e tri që ngjiten, çka do t’i jepte një frymëmarrje tejet hapësinore vetë gjeopolitikës së futbollit shqiptar.

Merret me mend se ajo çka u mundova të trajtoj në këtë shkrim nuk është vetëm një problem sportiv, është një problem jo i vogël shoqëror, kulturor, i politikës kombëtare sportive, si dhe njinjishmërisë (identitetit) kombëtar. Çka dihet se sporti ia mëkon vetë edukimit kombëtar të një populli.
Nuk jemi kaq naivë e të paditur saqë të pranojmë se futbolli shqiptar do të rritet e fuqizohet pa pasur në elitën e tij Gjirokastrën e Elbasanin, Beratin e Fierin, Lushnjën e Kavajën. Pa shkuar te disa të tjera. Sepse sporti i futbollit mbi të gjitha është qytetar dhe përfaqësues (reprezentativ).
Aq më tepër kur thuajse të gjitha këto skuadra i sheh të dënuara të jenë një grup të vetëm të Jugut të Shqipërisë, duke i dhënë mundësi rikthimi vetëm njërës prej tyre të cilat sa fort që i kanë dhënë futbollit kombëtar.
Futbolli kombëtar shqiptar është në krizë. Jo thjesht në një krizë sportive-teknike. Është në krizë sociale, politike, gjeopolitike, të zhvillimit të tij mbarëkombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura