Gaztori

May 19, 2015 | 11:51
SHPËRNDAJE

LUÇIANO BOÇI

    Edhe ne në fshatin tonë kemi Gaztor! Ndonëse jemi zhurmëmëdhenj dhe dëgjojmë zakonisht vetëm veten, ne e presim jo pa durim qesharak e nënqeshje të padurueshme që ai të jetë aty mes nesh. Kjo, për t’u engledisur nga pak, por dhe për të harruar ato mijërat e problemeve, të cilave kemi kohë që nuk po u japim dum si fshat dhe që, si për ironi të fatit, së fundmi na i ka marrë në dorë, pikërisht dora vetë, Gaztori ynë! Besoje apo jo, kjo ka ndodhur! Se si “nuk e kuptojmë” ende… Disa thonë që ngaqë ishte gallataxhi i madh dhe meqenëse ende këndej nga ne besohet se punët më të mira të fshatit bëhen duke u tallur, menduan kësaj radhe të vendosin në kokë një që të gajas, për të bërë gjëra interesante. Disa betohen se e sollën me zor ato “ndërkrahinorët”, që ende bëjnë ligjin te ne, sepse i dukej shumë “serioz” si gaztor!!! Disa hidhen përpjetë se ishte frikacak i rrethuar me shumë të fortë prandaj, apo i fortë i rrethuar me shumë frikacakë… Hajde kuptoje po deshe! Megjithatë, atë mot, dynjaja te ne e besuan dhe nuk e merrnin seriozisht njëkohësisht. Sot, pa e besuar as vetë që i besuan, e dëgjojnë me kureshtje, makth e qesëndi të pashoqe, të ndërthurur bashkë. Një pjesë për të qeshur detyrueshëm me tifozllëk dhe të tjerë për të qeshur hidhur. Disa për t’i bërë qejfin, meqenëse gaztorit tonë i ka hyrë shumë vetja në qejf si udhëheqës i vetëshpallur dhe disa për t’ia nxjerrë qefin, meqenëse i duhet treguar qejfi herë pas here, për t’i kujtuar që është gjithsesi një qyfyrexhi….
Të vetët, kur del ai, marrin masa paraprake. Hepohen pak drejt. Kokës i japin një lartësi krenarie. Vendosin duart në ije, për të qenë gati për shtrëngimin e radhës. Sytë i mveshin me një pamje adhurimi të pafund dhe zbulojnë pak dhëmbët për të qenë në formë për të “shpërthyer” më pas. Sapo ai bëhet gati të fusë ndonjë “të fortë”, të cilën e pararend me një nënqeshje, ato e kanë filluar tashmë autogajasjen. Nuk e dëgjojnë më, por me bisht të syrit shohin njëri-tjetrin se kush po ngërdheshet më “bukur”, në atë mënyrë që t’i bien sa më shumë në sy atij. Është pak të thuash që është një qeshje e përvuajtur. Garë e pashoqe do thosha… Ndërkohë ata që janë më “të vegjël”, ose rrahin tavolinën, ose përpiqen që të ngrihen gjysmë në këmbë, me qëllim që të hyjnë në rrezen e vështrimit të gallataxhiut.
Gaztori ynë nuk është si gaztorët e tjerë të fshatrave përreth. Është krejtësisht i veçantë. Veçantia e tij e parë është se në fakt ka zgjedhur vetë me dëshirë të jetë ende i tillë, pavarësisht se mileti te ne e ka zgjedhur për tjetër gjë. Pasi rregullohet mirë, vjen e krekoset në mes të sheshit mbi pod. Zakonisht vishet shik, si për të thënë që është i një soji tjetër, me -sëz nga pas dhe jo me -li. Madje, paraqitjen e ka shumë merak. E ka aq shumë, sa e kruan çdo çast me dëshirën që të jetë gjithmonë i kuruar. Edhe një herë që përmori pantallonat, e gjeti justifikimin. Tha që e bëri kastile për të prishur me qëllim harmoninë “perfekte” që pasqyron ai vetë “për të edukuar estetikisht masat!”. Si nishani në një fytyrë-tha. Harroi që vetë s’ka fytyrë, por veç maska, që i heq, i vë sa i herë i duhen. Ajo që i pëlqen më shumë është fotografia. Shkrep shumë resme, se tek e fundit s’ka me çfarë merret dhe na i hedh në Fcb.
Madje, ngordh për selfie. Ka marrë dhe titullin si Honoris-Selfixhiu më i mirë në rajon. Zakonisht selfie-t i bën me papagaj ose gomerë. E ka në gjak konkurrencën, me thënë të drejtën.
Së fundmi ka gjetur një punë tjetër. I ka hapur vetes bela të madhe! Se ku i mblodhi nga ishin e nga s’ishin ca “shakaxhinj” të patriotizmës, ca “historianë” të heroizmës, ca “seriozë” të viteve ‘80, që vetëm me modelin e seriozitetit shkaktojmë më shumë të qeshura se vetë fjalët e Gaztorit, dhe na ka gatuar një orkestër të tipit “Ali Baba” Gaztori me 40 (hajdutë) arlekinë”!!!!
Me këtë orkestër ka filluar të dalë tani katund më katund dhe po argëton miletin. Pasi shan ata që nuk qeshin me “shakatë e kripura tij” e pasi lavdëron ata që i sjell për t’u tallur me të ardhurit “me dëshirë”, shpërndan pak batuta bajate. Në fund e mbyll me refrenin emblematik duke i rënë gjoksit me ton serioz, që shkrin gjithë gjindjen aty: “Meqenëse i bëmë malet fusha në këto dy vite, do i bëjmë fushat male për të kërkuar e gjetur më në fund drejtimin e duhur aty!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura