Gazmend Oketa: Pas “reformës” politikanë të lartë rrezikojnë burgun

Sep 4, 2016 | 11:23
SHPËRNDAJE

Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, nuk beson se reforma në drejtësi do të sjellë ndonjë ndryshim të madh përveç propagandës së vetë politikës.

oketa-main147

Votimin e 21 korrikut Oketa nuk e quan konsensus real, ndërkohë që apelon për fillimin nga puna të reformës së re zgjedhore. Zyrtari i lartë i FRD-së flet për “Gazeta Shqiptare” edhe për marrëveshjen me PS-në, mungesën e bisedimeve për ngritjen e saj në nivel qendror dhe pse nuk po funksionon aleanca dypalëshe për zgjedhjet në Dibër. Pavarësisht kësaj, Oketa përjashton mundësinë e një koalicioni me PD-në, duke u shprehur mosbesues se atë e drejton Lulzim Basha, të cilit nuk i mirëpret deklaratën për krijimin e një qeverie teknike. Madje ai thotë se: “Midis shumë arsyeve pse kjo mazhorancë ndoshta nuk bie në zgjedhjet e 2017-ës, është vetë opozita”.

Nuk besoj se kjo reformë do të sjellë një ndryshim aq të madh sa propagandohet në raportin që politika ka me drejtësinë, por edhe në raportin që shoqëria shqiptare ka me politikën dhe institucionet e shtetit.

Sot theksi në deklarimet politike vihet te fakti se nga kjo reformë rrezikojnë të shkojnë në burg disa politikanë të niveleve të larta, dhe këtu nuk kam asnjë kundërshtim që drejtësia të funksionojë edhe për ata, por pak dëgjohet të flitet nëse kjo reformë për shembull do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në zgjidhjen sa më shpejt dhe sa më drejt të çështjeve që kanë të bëjnë me pronën.

Nga ana tjetër, diskutimi për trajtim financiar të punonjësve të sistemit të drejtësisë në raporte disi të zhbalancuara qoftë me institucionet e tjera, por edhe me profesione të tjera, nuk besoj se është garancia se drejtësia do të funksionojë plotësisht. Duket sikur nga një republikë parlamentare, po kalojmë në një republikë gjyqësore, duke krijuar ndoshta përsëri një sistem të zhbalancuar. Nga ana tjetër, njoftimi i Prokurorisë së Përgjithshme, për pengimin e ecurisë normale të punës së këtij institucioni, deri në miratimin e paketës së plotë të reformës në drejtësi, tregon se ka ende shumë punë për të bërë. Megjithatë një reforme kaq të rëndësishme duhet t’i lihet kohë për të parë realisht efektet e saj”, tha ai per “GSH”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura