Gazetarja e ATSH-së, Raela Hafizi dhe 4 martesat me pakistanezin

May 12, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Asnjëherë Raela Hafizi, vajza nga Shkodra, nuk do ta mendonte se dashuria e saj e jetës do të ishte një djalë nga Pakistani. Ish-gazetarja e ATSHsë, e vendosur në Kinë me punë që në janar të 2015, është martuar me Faisal Mahmood nga Pakistani. Të ndodhur të dy në Kinë në rrethana të ndryshme, Faisali i ka rrëmbyer zemrën vajzës nga Shkodra.

Fejesa
Foto gjatë ceremonisë së fejesës

Një histori e cila nis që në 2014, kur Raela do të njihej me shefen e departamentit të Gjuhës Shqipe në radion shtetërore të Kinës.

“Punoja në ATSH, kur rastësish në vitin 2014 u njoha me shefen e departamentit të Gjuhës Shqipe të ‘China Radio International CRI’, e cila, edhe pse kineze, fliste një shqipe të pastër. Pasi u njohëm, ajo më ofroi punë në Kinë. Pranova me shumë dëshirë, pasi ishte një eksperiencë e re për mua. Në janar të 2015 u nisa për Pekin, ku vazhdoj të punoj edhe sot si gazetare pranë Radios së Jashtme të Kinës në departamentin e Gjuhës Shqipe.

Tiranë1
Dasma në Tiranë

Dy miqtë e mi (djemtë e ambasadorit shqiptar në Kinë të asaj kohe, z.Kujtim Xhani) më prezantuan me mikun e tyre të fëmijërisë, Faisal Mahmood, i cili ishte djali i ish-atasheut ushtarak të Ambasadës Pakistaneze.

Faisali po mbaronte doktoraturën për programues kompjuterësh në Pekin dhe menjëherë kur e pashë, më tërhoqi pamja e tij. Ai ishte një djalë i gjatë (i cili është marrë edhe me basketboll), i pashëm, zeshkan dhe me hundë të madhe. Gjithmonë më kanë tërhequr djemtë e gjatë, zeshkanë dhe me hundë të madhe, ndaj, sapo e pashë Faisalin, gjeta në paraqitjen e tij gjithçka që më pëlqente.

Walima (3)
Raela Hafizi dhe Faisal Mahmood duke celebruar lidhjen e tyre

Gjatë atij takimi të parë në një bar të Pekinit, ne shkëmbyem numrat e telefonit dhe filluam të njiheshim e të dilnim më shumë. Gjithçka ndodhi shumë shpejt, dhe krejt papritur ne kishim rënë në dashuri me njëri-tjetrin. Sigurisht që gjërat kishin marrë një rrjedhë tjetër, duke u bërë ende më serioze”, sqaron Raela.

KATËR DASMA PËR NJË MARTESË! MIQTË: JENI ÇIFTI MË I MARTUAR

Duke qeshur, ajo thotë se i ka përmbushur të gjitha ëndrrat e fëmijërisë për t’u bërë nuse, duke bërë plot 4 ceremoni martese.

“Kur vendosëm t’u tregonim familjeve për marrëdhënien tonë të re, ishim të përgatitur se nuk do ta kishim të lehtë, pasi i përkisnim kulturave të ndryshme. Por, për çudinë tonë, ata na mbështetën. Në tetor të 2015 unë kisha 30-vjetorin dhe familja ime kishte vendosur të vinte në Pekin për ta festuar me mua, kjo u bë shkak që edhe familja e Faisalit të udhëtonte nga Islamabadi drejt Pekinit për t’u njohur.

 

Tiranë
Raela Hafizi dhe Faisal Mahmood duke celebruar lidhjen e tyre

Pasi familjet u takuan, ne vendosëm që më 2 tetor të 2015 të bënim ceremoninë e fejesës në Pekin. Gjithçka po lulëzonte në jetën tonë, pasi tashmë ne po jetonim së bashku. Por duke qenë se Pakistani është një vend islamik, duhej që ne të martoheshim në mënyrë që çdo gjë të ishte legale dhe në përputhje me fenë islame, e cila është shumë e rëndësishme për familjen e Faisalit. Vendosëm që në mars të 2016 të bëjmë ceremonitë e martesës. Mund të them që kam përjetuar rreth katër ceremoni martesore dhe besoj se e kam tejkaluar ëndrrën e çdo vajze për t’u veshur nuse.

Madje, shumë miq bëjnë shaka me ne, pasi thonë që jemi çifti më “i martuar” që kanë njohur ndonjëherë. Në janar të vitit 2016 udhëtova drejt Islamabadit për të parën herë në jetën time për të kryer “Nikah”, që është ceremonia martesore legale në bazë të fesë islame. Ishte mjaft interesante, pasi duhej të firmosnim një kontratë ku vërtetonte që ishim beqarë dhe, mes të tjerash, që ishim edhe të virgjër. Ndërsa më 19 mars, vesha fustanin e bardhë në Tiranë për të bërë dasmën time në Shqipëri”, tregon Raela.

DASMA E RAELËS DHE FAISALIT NË ITINERARIN TIRANË-ISLAMABAD

Mes ngjyrash dhe shumë të ftuarish, Raela do të ishte në qendër të dy ceremonive martesore në Pakistan. “Dasma ishte shumë e bukur dhe e veçantë, pasi, krahas fustanit tradicional tashmë të nusërisë në ngjyrë të bardhë, unë dhe Faisali veshëm veshje tradicionale martesore të Pakistanit, gjë që bëri çdokënd të bënte foto me ne.

Vetëm dy ditë pas dasmës sime në Shqipëri, unë dhe familja ime, së bashku me atë të Faisalit, udhëtuam drejt Islamabadit për të kryer dasmën e radhës atje. Ata performojnë dy ceremoni nga ana e dhëndrit. E para ishte “Mehndi”, që konsiston në një darkë me familjarët më të afërt, ku të gjithë këndojnë e vallëzojnë dhe dominojnë ngjyrat si e verdha, lejlaja, jeshilja (ngjyra të ndezura) dhe shumë lule.

Gjatë ceremonisë, çifti ulet në një skenë të dekoruar me lule dhe çdo i ftuar vjen dhe vendos këna në pëllëmbën e dorës së nuses dhe dhëndrit, i jep nga një ëmbëlsirë të dyve dhe dhuron para, të cilat, pasi mblidhen, shkojnë për bamirësi. Aty ata performuan këngë dhe vallëzime tradicionale pakistaneze. Gjithçka ishte shumë e bukur e me shumë ngjyra. Pas dy ditësh, u zhvillua darka e madhe martesore që quhet “Walima”. Ajo është një darkë me mbi 400 të ftuar. Pasi çifti ulet në “stage”, ku çdo gjë është e dekoruar, njerëzit vijnë me radhë për të bërë foto.

Në fund të ceremonisë, fytyra të është ngrirë nga buzëqeshja për të bërë foto me 400 të ftuarit. Ndihemi me fat që kemi njëritjetrin, pasi duke mos qenë të përkryer si çdo njeri, ne perfeksionojmë njëri-tjetrin”, përfundon Raela historinë e saj me Faisalin, djalin nga Pakistani.

SENAD NIKSHIQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura