Gazetari kosovar tregon tragjeditë e luftës, Milaim Zeka: Si ma dogjën nënën të gjallë serbët

Feb 19, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Njëri nga anëtarët e jurisë së spektaklit “Dancing with the Stars”, gazetari i Kosovës Milaim Zeka, rrëfen sot një anë të panjohur të jetës së tij që do ta vuajë gjithnjë: humbjen e nënës në luftën e Kosovës, vuajtjet e fundit të saj dhe përpjekjet e vazhdueshme për t’i gjetur eshtrat.

Me gazetarin Milaim Zeka, shqiptarët e Shqipërisë mundet të jenë njohur më shumë gjatë edicionit të pestë, që sapo përfundoi, të spektaklit “Dancing with the Stars”. Në Kosovë, emisionin e tij politiko-investigativ “Pa rrotlla” e njohin prej kohësh. Në panelin e jurisë së spektaklit të kërcimit, Milaimi dukej vazhdimisht i qetë. I predispozuar për të thënë fjalën e mirë, por edhe për të mos kursyer batutat, aty ku bisedat fërkoheshin. Por sado që mund të të duket se nga këto ti krijon një perceptim të saktë për njerëzit që sheh në ekran, realiteti i takimit me ta të çon në një dimension tjetër të personalitetit. Kur Amos Zaharia, njëri nga konkurrentët e garës së vallëzimit, kërceu me të ëmën, aktoren Yllka Mujo, Milaimi nuk e fshehu përjetimin që i shkaktoi mundësia e çmuar që një djalë ka të vallëzojë me të ëmën. Ai vetë nuk ka mundur ta bëjë. I është dashur aq shumë të luftojë në rini, sa e konsideronte fat edhe mundësinë për ta parë të ëmën. I gjendur që në moshë fare të vogël përpara peripecish që jo gjithnjë dinte t’i administronte, u detyrua të largohej nga shtëpia. Nga kjo ikje e parë, do të kalonin tetë vjet përpara se të mund ta shihte sërish të ëmën. Atë natë do të dehej, për të parën herë në jetë. Nuk dinte si ta zbrazte ndryshe gëzimin. Ikje e ardhje të tjera do të vijonin, por jo më me lehtësinë e herës së parë. Lufta në Kosovë mpiu gjithçka. Ndërpreu edhe telefonatat përmes të cilave ata, nënë e bir, ishin mësuar të shkëmbenin për të zbutur mallin. Milaimi do të plagosej në krah, por kjo dhimbje fizike nuk ishte asgjë krahasuar me dëshpërimin që i dha lajmi për humbjen e nënës Li. Ai vazhdonte të ishte larg, ndërsa ajo nuk ishte larguar nga jeta në rrethana të natyrshme. Si shumë jetë të tjera, ushtarët serbë, kishin marrë edhe të sajën. Të gjitha këto e kujtime të tjera të shkëputura nga vitet e fundit kur ata flisnin o takoheshin rrallë së bashku, Milaimi nuk është i zoti t’i tregojë të gjitha vetë. Me të është edhe e shoqja, Edlira Qefalija, e cila ndërhyn për t’i plotësuar fjalinë, sa herë Milaimi nuk mundet. Megjithëse, herë nga njëri e herë nga tjetri, historia që ai nuk ka treguar, vjen e plotë në këtë intervistë…
Ju jeni larguar në moshë shumë të vogël nga shtëpia, nga Drenica ku jetonit. Pse, në ç’rrethana?
Kam qenë 17 vjeç kur jam dënuar me burg për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat e prillit 1981. Kjo ishte një periudhë e shkurtër, sepse menjëherë pas kësaj ngjarjeje u arratisa.
Prej këtij largimi dhe gjithë peripecive që ju kanë shoqëruar deri në sistemim, pas sa kohësh e keni takuar nënën?

Nëna e këngëtarit Milaim Zeka
Oh, kaluan shuëm vite. Thuasje tetë. Ka qenë shumë moment i rëndë kur e kam parë në aeroport, sepse kishte ndryshuar shumë fizikisht. Ata ekonomikisht jetonin mirë, sepse unë i ndihmoja, por si duket kaq s’mjaftonte. Aty për herë të parë kuptova edhe parëndësinë e parasë. Ajo do të vinte nga Bullgaria në Kopenhagën, por unë nga padurimi dola e prita atje ku kishte tranzitin, në Oslo. Kur hipëm në avion për të vijuar udhëtimin, nga gëzimi më thoshte “kur do hipim në avion të shkojmë te ti”, ne ndërkaq ishim në fluturim.
Kur e takuat sërish, pas takimit në ’89?
Kaluan përsëri 3-4 vite. Ngase i kishin marrë edhe dokumentet, në ’93 erdhi tek unë me dokumente false. Këtë herë ndenji më gjatë, gati gjashtë muaj. Pasi u largua, nuk e kam parë më.
Ju më pas u rikthyet si reporter në luftë, apo jo?
Po, gjatë bombardimeve në Kosovë, jam plagosur, afër meje kanë vdekur 22 ushtarë të UÇK-së. Kur e pati marrë vesh këtë, ajo pat menduar se po e gënjenin, se në të vërtetë unë kisha vdekur dhe se asaj po ia mbanin të fshehtë.
Këto duhet të kenë qenë kohët e saj të fundit…
Po. Kur motrat po përpiqeshin t’i bindnin për t’u zhvendosur nga një periferi e Prishtinës ku po jetonin vitet e fundit, nëna dhe babai nuk kishin menduar. U patën thënë të iknin ata, meqenëse vet ishin pleq e s’kishin çfarë u bënin. Megjithatë, me të ikur të tjerët, ata ishin fshehur në një pyll afër zonës së tyre ku kishin jetuar për 10 ditë vetëm me ujin e shiut që nëna e kullonte në shaminë e saj për ta pastruar pak. Korbat që shihnin t’u silleshin sipër, i morën si sinjal që do të vdisnin gjithsesi, prandaj u rikthyen në shtëpinë e tyre. Por përpara se të ktheheshin, nëna groposi në rrënjën e një peme një album me fotografitë e mia, kur kisha qenë fëmijë. Mendonte se në shtëpi do të digjeshin dhe i fshehu aty. Më 12 prill kanë ardhur forcat serbe dhe u kanë vënë flakën lagjeve ku ata jetonin.
Kush jua ka treguar këto?
Im atë shpëtoi. Nëna e shpëtoi. Kur gjetën në shtëpi, u thanë futuni në flakë. Babai që t’u shpëtonte flakëve është hedhur nga dritarja prej nga edhe ka ikur, ndërsa nëna e ka ruajtur nga plumbat e ushtarëve duke u dalë vetë përpara. Këto m’i ka treguar im atë, i cili ka vrapuar i zbathur në dëborë për t’u larguar. Ai pat shkuar te motra, atje ku e dinte se ishin, dhe për një kohë shumë të gjatë nuk ka folur. Sado që, nuk jetoi gjatë pas këtyre ngjarjeve, vdiq në vitin 2003.
Kur situata kishte ndryshuar, a u rikthyet në shtëpinë e djegur?
Po, u rikthyem, por nuk gjetëm asgjë përveç shenjave të flakëve. Asnjë shenjë e nënës. Nuk e gjetëm trupin dhe ende sot nuk e kemi gjetur. Nënë Lija, siç i thërrisnim shkurt Hajries, ishte vetëm 63 vjeçe kur e kanë vrarë.
Meqenëse në këtë pikë të bisedës Milaim Zeka, reporteri i luftës, është tërhequr nga biseda, nuk është fare e vendit ta pyesim për ndjesitë e kësaj situate. Ai është tërhequr për të mos folur, por dëgjimin e ka të gjithin për ato çka po tregon Edlira, bashkëshortja e tij. Lotët, janë tregues të vëmendjes.
Nëse bën të ndryshojmë atmosferë, mund ta kujtoni nënën për gjëra të bukura…
Siç ma do mendja se kanë qenë edhe shumë të tjera, nëna ka qenë mjaft e ashpër me ne, rigoroze në kërkesa. Sot, e falënderojmë për këtë, por atëherë nuk arrija ta kuptoja. Aq sa i thosha babait tim, ti qofsh që e duron, si e more për grua. Ai ka qenë krejt e kundërta e saj dhe na thoshte gjithnjë: kurrë mos ngri dorë ndaj gruas e fëmijës. Nëse nuk do të jesh më të, lëre të shkojë. Ndryshe, je burrë i lig. I kujtoj në marrëdhënie shumë të mirë bashkë. Nëna ime u sëmur me parkinson dhe nuk ishte e zonja e vetes në shumë gjëra. Im atë i lante flokët, e krihte e ia bënte gërshetë. Ajo ka qenë kuzhiniere e shkëlqyer. Ende edhe sot, pasardhësit e familjes, e ruajnë me fanatizëm recetën e pulës së saj me qumësht. Kur qeshnim, më tregonte histori të vetat e nga takimi i parë me babain më pat thënë se kur i kishte zbërthy për herë të parë lidhëset e jelekut, i pati rënë të fikët, prej bukurisë.
A e kujtoni ikjen tuaj të parë, vetëm 17 vjeç. Si ka qenë ndarja me të?
E kam ditur që nuk do të mund ta përballoja, prandaj kam ikur pa e përshëndetur.
Çfarë u bë me albumin e fotografive që ishin fshehur në rrënjët e pemëve. Arritët t’i gjenit?
Po, ishte ndër gjërat e para që bëmë me babain pasi më tregoi se si kishin shkuar gjërat. Shkuam te pema dhe e gjetëm.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura